Dioqeza e Sapës, me rastin e festës së Krishtlindjes dhe fund vitit 2014 organizoi lobingun me Miqtë e Zadrimës, tashmë të pagëzuar në “Miqtë e Sapës”. Kjo nismë e filluar që para 10 viteve, (viti 2004) nga ish ipeshkvi i asaj kohe, Imzot Dodë Gjergji, vit pas viti është trashëguar nga ipeshkvi pasardhës, Imzot Lucjan Avgustini, duke e çuar përpara këtë projekt në Edukimin dhe zhvillimin e mbarë dioqezës, posaçe në fushën e vreshtarisë, ullishtes dhe blegtorisë. Në këtë takim të udhëhequr nga ipeshkvi i vendit ishin të pranishëm, ipeshkvi i Malit të Zi Imzot Zef Gashi, meshtarë e motra, ish deputetë të zonës, kryetarët e bashkive Vau-Dejës dhe Bushat, ekspert të fushave të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë, e turizmit si dhe të ftuar të tjerë. Ky takim ishte i një rëndësie të veçantë sepse, përveç bilancit të punës gjatë këtij viti dhe përpjekjeve të përbashkëta në mbështetje të zhvillimit të komunitetit, u inaugurua edhe Muzeu Dioqezan i Sapës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, të paktën në rangun kishtar.
Edhe në fjalën e rastit Imzot Lucjani e cilësoi këtë muze, një muze simbolik të vogël por që flet shumë dhe mbart vlera të mëdha historike. Jam gjithmonë i mendimit tha ai, se gjërat e bukura dhe me vlerë duhet të vihen në pah për të mirën e të gjithëve dhe jo të mbahen të mbyllura në sirtar. Shpresoj që kjo nismë e cila është e para në Dioqezën tonë, të shumohet edhe në dioqezat e tjera dhe në zemrat e njerëzve, e të dimë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për dëshminë e kulturës duke lënë gjurmë, dhe për të shkruar faqet e historisë sonë nëpërmjet objekteve apo gjërave që kanë të bëjnë me traditën, kulturën e popullit dhe vendit tonë, përfundoi ipeshkvi. Ndërsa imzot Zef Gashi e vlerësoi këtë muze që po hap një faqe të re në historinë e kësaj dioqeze, duke iu rikthyer dinjiteti i gjërave historike të mohuara gjatë regjimit komunist.
Gjatë këtij takimi u mbajtën edhe disa referenca si: “Historiku i Dioqezës së Sapës” referuar nga Violeta Marashi; “Përmbledhje e veprimtarive të kishës në favor të zhvillimit të komunitetit” me referent Z. Nikolin Lekaj; “Rikonceptimi i Lëvizjes Lobuese për zhvillimin e kësaj dioqeze” referuar nga Z. Tom Preku, si dhe diskutime dhe përshëndetje nga pjesëmarrësit.
Muzeu dioqezan është me vlera të veçanta dhe përmban sende dhe objekte kishtare dhe arkeologjike të gjetura, të mbledhura dhe të ruajtura ndër vite.
Ndër më të veçantat janë:
– veshjet e vjetra liturgjike të punuara me dorë;
– regjistra pagëzimi që në vitet 1800;
– rrobat, enë liturgjike dhe libri i meshës me të cilët ka kremtuar meshën dom Prenk Qafalia në Gjegjan të Pukës;
– libri i meshës dhe enët liturgjike me të cilët ka kremtuar meshën Dom Ejll Kovaçi;
– kryq dhe piksidë e përdorur prej dom Jak Zekës;
– gurë elteri me relike brenda saj e kishës së vjetër në Gjegjan;
– kumbona e kishës së Zojës në Dejë, e cila pati fatin e keq të rrënohej me dinamit;
– pjesë të thyera të këmbanës së kishës së Shën Lukës në Gomsiqe;
– kumbona e vjetër e vitit 1791;
– kelk i cili është përdorë për kremtimin e meshës në burg;
– gurë të gdhendur të katedrales së vjetër të Sapës në Nënshat;
Një vend i veçantë iu është rezervuar edhe martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri e shoqëruar me hartën e burgjeve dhe kampeve famëkeqe gjatë diktaturës komuniste. Por në këtë muze nuk mund të mos mungonte gjithashtu edhe këndi kushtuar vizitës së Atit të Shenjtë Papa Françeskut në Tiranë si dhe një pjesë e dëshmisë së të mbijetuarës së komunizmit, motrës Stigmatine, Marie Kaleta.