Njëherësh me përurimin e Vitit rregulltar Kushtuar Zotit në Vatikan nga Papa Françesku, në Meshën me rregulltarë e rregulltare, edhe dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës, hapi këtë Vit të Jetës së Kushtuar Zotit “si dëshmi guximtare në gjurmët e Krishtit dhe sfidë përballë njeriut bashkëkohor”, siç pohoi rregulltari françeskan Atë Flavio Cavallini.
Bashkësia e etërve dhe motrave karmelitane në Nënshat priti sot mbarë klerin dioqezan të Sapës për të kremtuar së bashku 2 shkurtin që i kushtohet jetës së kushtuar, që liturgjikisht njihet si “Paraqitja e Krishtit në Tempull”, ndërsa ndër shqiptarët njihet si “Zoja e Qirave. Vetë Bariu i Sapës Imzot Avgustini ka shprehur dëshirën që së bashku me bashkësitë rregulltare dhe meshtarët dioqazan të jenë të bashkuar në këtë festë mjaft domethënëse, duke dhënë kështu dëshminë e të qenurit pjesëtarë të një familjeje, asaj dioqezane.
Takimi i ditës së sotme nisi me lutjen e orës së mesme për t’i lënë vend më pas ligjëratës së mbajtur nga françeskani dhe misionari italian prej vitesh në Shqipëri, Atë Flavio Cavallini. Një vend të veçantë zuri edhe adhurimi i të shenjtërueshmit sakrament të Eukaristisë dhe Rrëfimet. Ndërsa liturgjia e Qirinjve ndoqi procesionin nga Qendra Shpirtërore e Etërve Karmelitanë drejt Kishës duke vazhduar me kremtimin e Meshës Shenjte kryesuar nga Imzot Lucjan Avgustini. Në fjalën e rastit Shkëlqesia e Tij theksoi fjalët e Nxitjes Apostolike “Verbum Domini” duke thënë se “jeta e Kushtuar Zotit është dëshmi guximtare e krijuese në botën e sotme. Është sfidë përballë njeriut bashkëkohor. Është një jetë e ecjes në gjurmët e Krishtit, është dëshmi e vetë mësimeve të Ungjillit. Kjo jetë e kushtuar theksoi ai lind prej dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe e pranon Ungjillin si normën e vet të jetës” Imzot Avgustini shpalosi para asamblesë së tij edhe porositë e Atit të Shenjtë dhënë me rastin e Vitit kushtuar jetës rregulltare, ndër të cilat përmendi se Dëshmia juaj e ndritshme e jetës do të jetë si dritë mbi pishtar, për ta ndriçuar e për ta ngrohur mbarë popullin e Hyjit” “Zgjojeni botën! Ndriçojeni me dëshminë tuaj profetike kundër rrymës”.
Me të përfunduar tryeza Eukaristike, kleri dioqezan e rregulltaret u bashkuan edhe në tryezën vëllazërore përmes një koktei pranë kuvendit Karmelitan.
Kujtojmë se kremtimet për Vitin e Jetës së Kushtuar sapo kanë filluar dhe nisur nga shpallja e Atit të Shenjtë që 30 nëntori 2015 – 2 shkurti 2016 do të jetë Viti i Jetës së Kushtuar, do të zhvillohen kremtime të ndryshme gjatë këtij Jubileu, që do të jenë të organizuar si në nivel dioqezan ashtu dhe kombëtar.