Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi!
Në përgjigje të thirrjes së Atit të Shenjtë, me rastin e Ditës Botërore për të varfërit, Caritas Dioqezan Sapa kremtoi të dielen e 18 nëntorit si ditën e dytë botërore për të varfërit e themeluar nga Papa Françesku.
Nën kujdesin e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kullit dhe stafit të Caritasit kjo ditë mblodhi një përfaqësi prej 170 personash, të cilët u pritën në ambjentet e mensës së Caritasit.
Në këtë ditë kushtuar të varfërve, nderoi me praninë e tij, Nunci Apostolik Imzot Charles John Brawn, i cili kremtoi Meshën e Shenjtë në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau Dejës. Ai e vlerësoi shumë këtë gjest dashurie që Caritas Sapa tregon për këto njerëz në nevojë, dhe jo vetëm. Ata krahas ushqimit kanë nevojë edhe për ngrohje shpirtërore.
Pjesë e drekës u bënë edhe Nunci Apostolik, Ipeskvi si dhe meshtarët, që ashtu në thjeshtësi u gjenden afër këtyre personave duke iu ofruar shërbimin nëpërmjet rolit të kamarierit dhe duke i trajtuar me dinjitetin e duhur. Edhe pse jeta i ka përballë mes vështirësive të shumta për jetesë, këto njerëz meritojnë shumë e më shumë. Gjithashtu momentet e drekës u shoqëruan edhe me muzikë dhe argëtim, duke krijuar një klimë vëllazërore taman si një familje e bashkuar në Krishtin.
Siç e ka theksuar edhe Ati i shenjtë në mesazhin e tij:
“Varfëria u krijua nga mëkatet, që lindin pasoja dramatike: përballë një farë “fobie”, apo përçmimi për të varfërit, të përgjigjemi duke u angazhuar e duke bashkëpunuar me realitete të tjera të solidaritetit”.
E pikërisht ky është dhe misioni i të gjithë neve, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht të angazhohemi duke u solidarizuar për t’u gjendur pranë njerëzve në nevojë, e të bëhemi promotorë të dashurisë dhe jetës.
Violeta Marashi