Me daten 23 shtator 2018, bashkësia e Motrave Dorote të Shën Paola Frassinettit, kremtoi 25 vjetorin e pranisë së tyre me mision në Shqipëri, konkretisht në Vau – Dejës.

Në këtë ceremoni sa modeste aq dhe domethënëse, me ftesë të Ipeshkvit të vendit dhe të motrave nderoi me praninë e tij edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot John Braën. Ishin të pranishëm bashkësia e popullit të Zotit, Nëna Gjenerale e ardhur nga Italia, motër Sao, Provincialja motër Silvia, motra të bashkësisë Dorote si dhe meshtarë e motra miq të kësaj bashkësie.

Mesha u mbajt në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau Dejës, dhe u udhëhoq nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili tha se, “jemi mbledhur në këtë Katedrale për t’ia ofruar së bashku me ju këtë Eukaristi Hyjit të Gjithëpushtetshëm, në shenjë falënderimi për dhuratën e shërbimit të këtyre motrave, por njëkohësisht edhe lutje për vazhdimin e misionit të tyre në përhapjen e lajmit të gëzuar të ungjillit në famullitë tona. 25 vite në shërbim Zotit dhe njeriut, ndoshta para syve tanë mund të duken pak – tha ipeshkvi, por duke pasur parasysh se prej këtyre viteve një pjesë e madhe është kaluar në shërbim në vendin tonë ndaj këtij populli si dhe duke pasur parasysh se në çfarë rrethanash ka filluar veprimtaria e motrave, është me të vërtetë një punë e madhe që bëhet në nderë dhe lavd të Zotit dhe kujdesit të njeriut. Gjatë homelisë, Imzot Simoni kujtoi dhe falenderoi edhe misionaret e para që vendosën themelin e këtij misioni, duke mos u lëkundur nga vështirësitë dhe sakrificat e kohës. E falë tyre gëzojmë sot duke përmbushur plot një çerek shekulli mision ungjillëzimi”. 

Më pas mesha vazhdoi me paraqitjen e dhuratave, si simbole ceremoniale, por nuk munguan edhe lutjet e besimtarëve drejtuar Zotit për Kishën që të jetë në botë shërbëtore dhe e varfër sikurse Jezusi; për motrat Dorote që në këtë 25 vjetor të misionit të tyre në Shqipëri, kjo prani edukuese sipas shembullit dhe mësimit të Shenjtes Paola Frassineti, qoftë farë e hedhur nga Zoti në arën e grigjës, lulëzoftë me hirin e Tij dhe dhashtë fryte jete, dashurie, solidariteti dhe bashkimi mes njerëzve.

Në fund të meshës Nunci Apostolik, Imzot Braën, famullitari i Katedrales dom Mark Shtjefni dhe Nëna Gjenerale e Kongregatës së motrave Dorote, në shenjë muirënjohjeje dhe falenderimin shprehën gëzimin për misionin, punën dhe aktivitetet e shumta që motrat kryejnë në famullitë ku shërbejnë, dhe për gjallërinë që dëshmojnë çdo ditë të misionit të tyre.

Si lindi Misioni i Motrave Dorote të Shën Paola Frassinettit?

“Ju besoj këtë tokë,  ujiteni me djersen tuaj! ” (Paola Frassinetti). Kjo thënie e Shën Paolës që nxit motrat Dorote për të qenë të hapura drejt një horizonti apo misioni të ri, bëri që t’i përgjigjen ftesës urgjente të Papa Gjon Pali II, bërë në vitin 1992, për t’u nisur, për të shpallur ungjillin në tokën Shqiptare, ku populli shqiptar më në fund po dilte nga diktatura e tmerrshme e pa Zot, e cila zgjati 50 vjet.  Ishte pra, ky vendim që motrat e para misionare morën për t’u bërë flakë të ndezura aty ku të kalonin, dhe të ndiznin zemrat me dashurinë e Zotit!

Shënonte data 23 shtator e vitit 1993, kur motrat Dorote të Shën Paola Frassinetit, Motër Santina Oresti, Motër Ester Gobbo dhe Motër Mariela Nascimbeni, mbërrijnë në Shqipëri si misionare të para. Ato si fillim u vendosën në Shkodër, por më vonë, ipeshkvi i Shkodrës, në atë kohë, Imzot Frano Illia ju beson motrave Dorote qytezën e Vau-Dejësit me famullitar don Nikoll Mazreku. Menjëherë motrat fillojnë punën baritore në këtë qytet. Ato jetonin në një shtëpi të vogël me qera, dhe u vendosen kështu në shërbim të popullit.  Fillimet ishin të vështira, por Zoti ka një popull të ri, të fortë dhe me një dëshirë të gjallë për të rizbuluar fenë e të parëve. Së  bashku me famullitarin  dom Nikoll Mazrreku dëshmitar i gjallë i një persekutimi të eger komunist, por me një vendosmëri të fortë për të rizgjuar besimin, puna e parë që bënë ishte rindërtimi i kishës së Shën Kollit, e cila gjatë komunizmit u kthye në magazinë. Tashmë, në këtë tempull lutjeje, lirisht mund të lavdëronin Hyjin së bashku me besimtarët vendas.

Kështu vazhdoi misioni i tyre duke e njohur realitetin më nga afër nëpërmjet vizitave në familje, duke qëndruar dhe biseduar me to, si dhe duke bashkëndarë mbi të gjitha problemet dhe nevojat e tyre. Nga kjo përvojë e re, motrat u përballen me një realitet të varfër dhe të  fortë  të  një  boshlleku të  shpreses e të  vlerave që  regjimi  kishte lënë  pas.

Më vonë, misioni vazhdoi edhe me motrat të tjera misionare që për shumë vite me radhë nuk e kursyen jetën e tyre duke shërbyer me shpirt për këtë popull.

Përveç ungjillëzimit, fëmijët dhe të rinjtë ishin në qendër të punës së tyre baritore, duke krijuar iniciativa dhe mbështetje të ndryshme për të vënë në lëvizje çdo kategori njerëzish.

Zoti që në fillim e bekoi punën e motrave misionare në Shqipëri. Nëpërmjet hirit të Tij, disa vajza të reja shfaqin dëshirën për të bashkëndarë ecjen në jetën rregulltare, dhe pas formimit të duhur, sot ne kemi fatin që të gëzojmë e të vazhdojnë misionin e tyre bijat e populli tonë, më saktë të komunitetit tonë, pasardhëset e Shën Paolës, siç janë: Motër Marjana Dema, Motër, Marta Lekaj, Motër Drande Marku, Motër Flora Gjoka, Motër Denada Ndoka, Motër Ganxhe Lacinaj, të cilat ndjekin shembullin e themelueses së tyre dhe të të gjitha misionareve që kanë kaluar në këtë tokë, duke mos kursyer as vetveten në shërbim të të tjerëve.

 

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here