Nga data 20-24 korrik 2018, Ipeshkvi i Cremonës – Itali, Mons. Antonio Napolioni, bëri një vizitë zyrtare në Dioqezën e Sapës. Ai është pritur nga misionari “fidei donum”, dom Giovanni Fiocchi, famullitari i famullisë “Zoja e Papërlyer” Pukë, që prej 20 vitesh. Në vizitën e tij 4 ditore, Mons. Napolioni i shoqëruar nga drejtori i qendrës misionare dom Maurizio Ghilardi ka vizituar kryesisht famullinë e Pukës dhe fshatrat përreth, duke më parë më nga afër realitetin dhe gjendjen pastorale të kësaj zone. Së bashku me famullitarin dom Giovanni, Ipeshkvi ka kryesuar edhe kremtimet e meshës Shenjte në disa famulli, ku ka patur rastin të takohet edhe me besimtarët e thjeshtë dhe të përvuajtur të Pukës. Po ashtu, mons. Antonio ka zhvilluar një vizitë edhe në bashkësinë e motrave të “Shën Nënë Terezes” në Pukë, të cilat së bashku me dom Giovannin zhvillojnë misionin e dashurisë dhe të bamirësisë në këtë vend.
Ipeshkvi i Cremonës, është pritur edhe në rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, nga Imzot Simon Kulli. Gjatë vizitës së ngrohtë dhe miqësore, mes të tjerave dy ipeshkvinjtë kanë diskutuar rreth vazhdimësisë së misionit dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy dioqezave si motra. Një falenderim i përzemërt dhe mirënjohje e veçantë, Imzot Simoni ka bërë për dom Giovannin, i cili ka hapur misionin e parë në Pukë, dhe që prej 20 vitesh ka shërbyer në këto zona, pa marrë parasysh kushtet dhe vështirësitë me të cilat është përballur.
Gjithashtu, gjatë ditëve të qëndrimit në Sapë, ipeshkvi i Cremonës ka vizituar Caritasin Dioqezan, Shtëpinë e Bamirësisë si dhe qendrën e Lutjes në Nënshat, Kuvendin Karmelitan.
Violeta Marashi