KREZMIMET NË BLINISHT DHE DAJÇ TË ZADRIMËS

0
2887

Ditëve të fundit të nëntorit famullia e “Shën Shtjefnit” në Blinisht dhe famullia “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës, patën hirin që 80 të rinjë e të reja të marrin vulën e Shpirtit Shenjtë nëpërmjet sakramentit të Krezmimit. Janë këto të rinjë që pas një pregatitjeje të duhur gjatë vitit nëpërmjet katekizmit, përcjellur me lutje, me uratë, rrëfim paraprak si edhe me kungimin e Shenjtë, u afruan në Eukaristinë Shenjte për të marrë Sakramentin e Krezmimit, nëpërmjet të cilit fitojnë shumëzimin e hirit shenjtërues, fuqinë për të jetuar si i krishterë i vërtetë, begatinë e dhuratave të Shpirtit Shenjt dhe shenjën e pashlyeshme në shpirt, me të cilin Krishti na shënon si luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij në Mbretërinë Hyjnore.

Në këtë kremtim solemn të udhëhequr nga Ipeshkëvi i vendit Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me famullitarët dom Enzo Zago dhe dom Angjelin Krygja, u mblodh e gjithë bashkësia e krishterë të bashkuar në kishë dhe u lutën për ndikimin e Shpirtit Shenjtë në zemrat dhe mendjet e secilit, kryesisht për të rinjtë e të rejat.

Gjatë homelisë së rastit Imzot Simoni kujtoi rëndësinë e sakramentit të Krezmimit, që është i themeluar prej vetë Krishtit. Është ky sakrament përmes të cilit marrim Shpirtin Shenjt, i cili na forcon fenë dhe na jep fuqi që këtë fe ta njohim më mirë, ta jetojmë dhe ta dëshmojmë. Pranimi i Shpirtit Shenjt tha ipeshkëvi, bëhet me shtrirjen e duarve mbi ata që janë të pagëzuar. Dhe me pranimin e Shpirtit Shenjt hyjmë në plotësinë e misterit të Krishtit, në bashkësinë e Kishës. Duke përfunduar Imzot Simoni uroi të gjithë kandidatët për krezmim që t’i forcojë Shpirti Shenjt me dhantitë e veta që të munden gjithmonë të jenë dëshmitarë  të Krishtit Zot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here