“Erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju”!
Gjn 20, 19b)
Etërit Kapuçinë dhe familja Marku gëzuan këtë fundjavë në Shugurimin Meshtarak të Fra Reoland Markut, djalit të Nënshtatit të Zadrimës, me vendosjen e duarve të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Simon Kullit, ipeshkëv i Sapës. Këtij gëzimi iu bashkua mbarë dioqeza e Sapës me besimtarët e famullisë së Shën Mëhillit Nënshat, që e shoqëruan këtë të ri që po i shugurohej Zotit me praninë e tyre fizike dhe me lutjet shpirtërore për një meshtari sa më të frytshme.
Ceremonia e Shugurimit u mbajt në Kishën “Shën Mëhilli” në Nënshat në vendlindjen e fra Reolandit, ku morën pjesë meshtarë e motra, etërit Kapuçinë të ardhur nga Italia, autoritete vendore, miq e familjarë të fra Reolandit si dhe besimtarë të shumtë të zonës.
Në fillim ipeshkvi falenderoi Zotin për këtë dhuratë që po i bën popullit shqiptar, provincës së etërve Kapuçin dhe mbarë kishës me shugurimin e fra Reolandit. Gjatë homelisë ai theksoi “rëndësinë e figurës së meshtarit, që të shërbesh do të thotë të punosh bashkë me Krishtin. Duke shërbyer me përvujtëri realizohesh si Meshtar i vërtetë i Krishtit, vazhdoi më tej Imzot Simoni. Në përfundim ai iu drejtua fra Reolandit: shumë i dashur që po e merr urdhrin e meshtarisë, ki parasysh se duke ushtruar shërbesën e doktrinës së shenjtë je pjesëmarrës në misionin e Krishtit, të vetmit mësues. Përhape tek të gjithë atë Fjalë të Zotit, të cilën vetë e ke pranuar me gëzim. Komunikuoja miqësinë me Krishtin të tjerëve duke ndjekur shembullin etërve Kapuçin. Mos i harro fjalët e Jezusit në Ungjillin e sotëm: “Paqja me ju”! kjo përshëndetje le të jetë gjithmonë në gojën dhe në zemrën tënde, dhe t’iua dhurosh të gjithëve që do ti takosh në jetën tënde. Krishti të jep sot të njëjtin dërgim që të shkosh dhe të japësh fryt, që ta vazhdosh shpalljen e Ungjillit, në këtë vend të përgjakur me gjakun e martirëve, duke vdekur dhe flijuar veten për idealin e Mbretërisë së Zotit, për predikimin e Fjalës së Tij”
Gjatë ritit të shugurimit, i zgjedhuri i kërkoi Ipeshkëvit se nëpërmjet angazhimeve të tij duke marrë Urdhërin Meshtarak, do ka kryejë denjësisht shërbimin e Fjalës, do të kremtojë me devocion dhe besnikëri misteret e Krishtit sipas traditës së Kishës dhe do të jetë gjithmonë e më ngushtë i bashkuar me Krishtin kryemeshtar. Me vendosjen e duarve nga Imzot Simon Kulli, Pader Reoland Marku mori urdhërin e Meshtarisë duke u bërë kështu bashkëpunëtor i denjë i urdhërit Ipeshkvor.
Ndërsa të dielen e 28 prillit, pader Reolandi kremtoi Meshën e tij të parë në Kishën e Familjes së Shenjtë në Karmel, Nënshat.
Violeta Marashi