Ungjilli i kësaj së diele, e 13-ta e vitit kishtar, është marrë nga kapitulli i nëntë i Lukës. Është këshillë për ta kuptuar si duhet ta ndjekim Krishtin në jetë.

R.SH. – Vatikan

51Kur erdhi koha që Jezusi të ngrihej nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem. 52 Përpara dërgoi lajmëtarët e vet. Këta… hynë në një fshat samaritanësh… 53 Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. 54 Kur e panë këtë gjë, nxënësit ‑ Jakobi e Gjoni, thanë: ‘Zotëri, a do të urdhërojmë ‘që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhdukë?’’ 55 Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi. 56 Dhe u nisën për një fshat tjetër.

57 Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha: ‘Unë dua të vij pas teje ngado që të shkosh!’ 58 Jezusi iu përgjigj: ‘Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!’ 59 Një tjetri i tha: ‘Eja pas meje!’ Por ai iu përgjigj: ‘Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!’ 60 ‘Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet…’ 61 Atëherë i tha një tjetër: ‘Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes’. 62 ‘Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!’” (Lk 9,51-62).

Të lutemi së bashku

O Zot Jezus, sigurisht që s’është e lehtë jeta

që u ofron dishepujve të tu.

Nuk u siguron strehë të ngrohtë e të rehatshme

ku të mblidhen kur ndihen të rraskapitur,

e as një strofkë ku të mbyllen

kur shtohen problemet e kundërshtitë.

Ndoshta, sepse Ti vetë je streha e tyre

në çdo çast të jetës,

edhe mes stuhive e furtunës.

Nuk ke respekt për lidhjet e tyre familjare,

për marrëdhëniet me njerëzit e një gjaku,

për verigat e fuqishme farefisnore.

Kur thërret, pretendon ta lënë gjithçka:

shtëpi e ara, punë e familje.

Asgjë s’vlen më shumë se Ti e sa dashuria jote,

asnjë lidhje s’mund t’i përmbajë

nga dëshira për të ardhur pas Teje, duke u dhuruar plotësisht.

 

Ti nuk lejon as vonesa e as mëdyshje.

Ata, që duan të humbasin kohë

për festa lamtumire,

ata, që kthehen mbrapa,

të kapërthyer nga nostalgjia dhe dyshimi,

nuk bëjnë për Ty, nuk janë të përshtatshëm për Mbretërinë e Zotit.

 

Ti do dishepuj të vendosur, gati për gjithçka, për hir të kësaj Mbretërie;

Ti kërkon burra e gra,

të gatshëm të lodhen, të vuajnë, të duan,

t’i bëjnë ballë çfarëdolloj pengese,

çdo kundërshtie a persekutimi.

 

Por Ti nuk i lë kurrë vetëm: je Ti ai, që u hap udhën

duke ecur me vendosmëri drejt Jeruzalemit,

je Ti i pari, që mbart kryqin…

O Zot i Ringjallur, Ti mbetesh përherë krah tyre,

shok udhëtimi, mik i sigurt,

mësues plot kujdes, vëlla plot mëshirë.

29 qershor 2019, 09:36
https://www.vaticannews.va

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here