“Të pagëzuar dhe të dërguar” është kjo tema që Ati i Shenjtë, Papa Françesku ka zgjedhur për muajin misionar të tetorit 2019. Duke u bashkuar me Atin e Shenjtë, ashtu si kisha universale edhe kisha lokale e Sapës e ka jetuar këtë muaj të jashtëzakonshëm kushtuar misionit nëpërmjet lutjes, adhurimit dhe Udhës së Kryqit. Ka qenë një iniciativë e vetë bariut të kësaj dioqeze, Imzot Simon Kullit, i cili ka dashur që në çdo famulli të organizohen takime të tilla shpirtërore me besimtarët vendas.

Vetë kisha është në mision kudo në botë, e po kështu edhe Kisha e Sapës ka në përbërjen e saj misionarë nga e gjithë bota, ku së bashku shërbejnë për të shpallur lajmin e gëzueshëm, Ungjillin. Misionarë janë jo vetëm të kushtuarit Zotit, por edhe besimtarë të thjeshtë laik, të cilët ndjejnë në zemrën e tyre për të qenë misionar. Të tillë janë edhe çifti nga famullia e Shën Mëhillit – Nënshat, Gasper dhe Benardeta Marku, të cilët, pikërisht në këtë muaj të misionit, me vullnetin e tyre të lirë dhe me mandatin e ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kullit, janë dërguar me mision në Administraturën Apostolike të Jugut të Shqipërisë me qendër në Vlorë. Është ndër rastet e para në Shqipëri kur një çift besimtarësh vendosin për një thirrje të re, për t’i shërbyer Kishës. Gasper dhe Benedeta pas shumë vitesh që kanë bashkëpunuar në famullinë e tyre dhe në dioqezë, tashmë janë bërë pjesë e një misioni të ri. Kjo është dëshmia më e mirë kur Zoti na flet në mënyra dhe forma të ndryshme. Kjo është Kisha që i don bijtë e saj rreth vetes, e kjo është Kisha e dioqezës Sapë e cila pas shumë vitesh, për herë të parë dërgon misionarë të saj në shërbim të kishës në tokën misionare Shqiptare.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here