Shumë të dashur,

Dëshiroj që me këto fjalë ungjillore të bëj urimin tim për Krishtlindje. Çdo Krishtlindje përfshin në vete thirrjen “Ejani të shkojmë në Betlehem”, që të përkulemi para Foshnjës, si barinjtë dhe mbretërit, dhe ta ruajmë në zemër atë që Ai na thotë, atë që përjetojmë, si Virgjëra Mari.

Në ditën e Lindjes, Jezusi, Shëlbuesi i botës ua shpall mesazhin e tij të paqes dhe të dashurisë të gjithë njerëzve vullnetmirë. Është ky mesazh i të vërtetës, i shenjtërisë, i drejtësisë, i vëllazërimit. Duhet që të mësojmë prej barinjve, “të shkojmë në Betlehem” me nxitim për të parë se çfarë ndodhi, duke takuar “Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd”. Takimi me Foshnjën në shpellën e ftohtë sjell gëzimin dhe lajmin e mirë: “Sot, lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!”.

Krishtlindja është festa e zemrës, e ndjenjave të brendshme e të pastra, e kthjelltësisë familjare, por, mbi të gjitha, e grazhdit, që është “Betlehemi ynë”. Vështrojmë këtë Betlehem të vogël dhe ja, para syve tanë madhështia hyjnore e fshehur në vogëlsinë njerëzore; një varfëri e pa mendueshme nga ana njerëzore dhe një pasuri me vlerë të pafundme; jetë familjare e përbërë prej dashurisë dhe dinjitetit, ku vlen thelbësorja dhe ku e tepërta e ajo që s’ka domethënie i lëshojnë vend asaj që është e vërtetë, e bukur, e madhe. Kjo soditje na bën të pyesim mbi stilin tonë të jetës, mbi marrëdhënien tonë me të mirat tokësore, mbi llojin e mendësisë që rregullon të menduarit dhe të vepruarit tonë, nëse e kultivojmë shijen e të mirës. Do të thotë se këtu duhet të mësojmë praktikën e jetës sonë: si duhet të jetojmë, në cilën rrugë duhet të ecim.

Grazhdi përfaqëson botën por është edhe shenja e pranisë së dikujt, e Atij që largon të ftohtin dhe e ndriçon errësirën. Në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli e toka. Aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat; aty përjetohet gëzimi; aty lind kënga e jetës sonë.

Drita që ndriçon njerëzimin niset nga ajo pikë e parë drite, që është Biri i Hyjit, thelbi i të vërtetës dhe urtia e Atit. Drita e tij kalon nëpërmjet dhuratave të tij të shumta si: shëlbimi, hiri, sakramentet, Ungjilli, lartësimi i dinjitetit si bij të Hyjit dhe lavdia e amshuar. Para një mahnitjeje kaq të madhe hyjnore bie në sy paaftësia jonë për t’i përmbushur pritjet e thella të mendjes e të zemrës. Përreth Jezusit Foshnje ka një lulëzim jete, atij njerëzimi i drejtohet plot besim, bashkë me peshën e ditëve dhe ngarkesën e shpresave. Jezusi i shenjtëron marrëdhëniet familjare, duke lindur në një familje; i jep dukshmëri e vlerë varfërisë dhe përvujtërisë, duke zgjedhur që të lindë i varfër dhe i fshehur! Është një qortim i rreptë ndaj krenarisë së të fuqishmëve, por burim i gëzimit dhe i ngushëllimit të thellë për të pakonsideruarit dhe të mënjanuarit e shoqërisë.

Po! Në Betlehem mësojmë të meditojmë, ta bëjmë thesar tonin gjithçka që është e vërtetë, fisnike, e drejtë, e pastër, e dashur. Mësojmë të dhurojmë, sepse këtu jeta takon Jetën dhe merr prej saj dritë, orientim, ndihmë, ngushëllim dhe tërheqje nga e mira.

Mishërimi është misteri në të cilin na jepet shpresa që na lejon ta përballojmë të tashmen e mundimshme e të pasigurtë me të cilën “luftojmë” çdo ditë: Krishtlindja është kujtimi i fillimit të shëlbimit tonë, por edhe i shpresës sonë. Prej asaj dite çdo njeri ka të drejtën t’ia shprehë botës shpresën e vet, ta shpallë atë me zë të lartë, kundër çdo pesimizmi dhe kundër çdo të keqeje të botës. Shpresa e Krishtlindjes e lufton atë ndjenjë frustrimi të çdo “mendimi të dobët” që pushton kulturën e kësaj bote, lufton atë pesimizëm që thotë “nuk mund të bëjmë asgjë”.

Këtij mendimi fëmija i grazhdit të Betlehemit i kujton se njeriu ka një mision të madh: t’i sjellë botës kumtimin e Hyjit mes nesh, t’i sjellë botës një mesazh shprese!

Të dashur vëllezër e motra, Kisha është solidare edhe me ata që tronditen nga fatkeqësitë e natyrës, siç ishte tërmeti në vendin tonë para pak javëve, por edhe nga varfëria, “Përballë eksodit të atyre që lënë trojet e veta e marrin rrugët e largëta, të shtyrë nga uria, intoleranca ose nga degradimi ambiental, Kisha është prani, që bën thirrje për mikpritje. Me një fjalë, Kisha kumton kudo Ungjillin e Krishtit, pavarësisht nga persekutimet, diskriminimet”.

Uroj dhe dëshiroj shumë që, për Krishtlindje, të jetohet paqja që vjen prej Zotit në çdo familje, të jetohet ai bashkim me të cilin është e mbushur shpresa që Emanueli i kumton çdo qënieje njerëzore; do të doja që të praktikohet ajo kthjelltësi e ajo harmoni të cilat lulëzojnë vetëm aty ku është e pranishme feja në Hyjin e mishëruar. Amen!

Për shumë vjet Krishtlindja dhe Viti i Ri 2020!

Bariu i Juaj

+ Imzot Simon Kulli

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here