“Ai që beson në mua nuk do të vdesë, por do të jetojë për amshim” (Gjn, 11, 25)

Ashtu siç ishe e shenjte, Zoti të thirri pranë vetes po në Natën e Shenjtë.

Murgesha stigmatine Motër Adelajde Pashkja, kaloi në amshim rreth orës 20.00 të Natës së Krishtlindjes, 24 dhjetor 2019,  në moshën 92 vjeç. Për arsye të moshës që kishte, kohët e fundit gjendja e saj ishte pëkeqësuar, megjithatë motrat Stigmatine i shërbyen deri në momentet e fundit me kujdes dhe dashuri. Ajo ndërroi jetë po në kuvendin e kësaj Kongregate, ku kaloi vitet e jetës së saj.

Pas dy ditë homazhe dhe ngushëllime në bashkësinë e Motrave Stigmatine në Shkodër, me datë 26 dhjetor 2019, përmes kremtimit të Meshës së Shenjtë në Kishën e Motrave Stigmatine në i është dhënë lamtumira e fundit e motër Adelajde Pashkës.

Me pjesëmarrjen e besimtarëve të dioqezave Sapë dhe Shkodër, në prani të 16 meshtarëve dhe Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Massafra dhe ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, familjarëve të saj dhe bashkëudhëtares motër Maria Kaleta, me të cilën bashkëndau 30 vitet e fundit të jetës, edhe pse me dhimbje në zemër, në këtë moment të pikëllimit të ndarjes nga motra jonë e dashur, përmes lutjeve, uratëve dhe këngëve të meshës, të gjithë u bashkuan në sofrën eukaristike, duke u lutur për shpirtin e saj, e njëkohësisht duke falenderuar Zotin për ato vite që Motër Adelajda i shërbeu Zoti dhe Kishës.

Gjatë homelisë së rastit, Imzot Massafra i cili kryesoi meshën shenjte tha se “ishte fat për të gjithë ne që e njohëm motër Adelajden, një murgeshë me besim të palëkundur, pavarësisht furtunave të jetës gjatë periudhës së komunizmit, por ajo ishte e vendosur që të jetonte vetëm për Krishtin e me Krishtin.Vdekja tokësore është Pashkë, është kalim nga kjo jetë në një jetë më të lumtur, ku nuk ka lot vajtimi. E tashmë ajo do të gëzojë lumturinë e ëngjëjve dhe shenjtërve dhe së bashku me martirët shqiptarë do të luten për këtë vend”. Me të mbaruar kremtimi i Meshës së Shenjtë trupi i Motër Adelajdes u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Rrmajve në Shkodër.

Kush ishte motër Adelajde Pashkja?

Motër Adelajde Pashkja lindi në Shkodër me 09. 01. 1928 nga prindërit Kolë e Ganxhe Pashkja. Jetoi në një familje të thjeshtë, me tradita e vlera të krishtera, ku ishin 4 motra dhe 3 vëllezër. Fëmijërinë e kaloi në familjen e saj, që pastaj vazhdoi shkollën fillestare te murgeshat, dhe në moshën 16 vjeçare të vitit 1943 hyri në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Shkodër. Në atë kohë ishte afër fryma e regjimit komunist, i cili i “pezulloi” dëshirën e motrës që të ndiqte me liri rrugën drej kushtimit të Zotit. Me 24 dhjetor 1946, sistemi komunist i mbylli dyert e kuvendit të Motrave, dhe motër Adelajde si dhe bashkëmotrat e tjera detyrohen të kthehen në familjet e tyre.

Dëshira e madhe për Kushtimin ndaj Hyjit mbeti e pathyeshme. Gjatë kohës së regjimit, punoi si rrobaqepëse pranë familjes në Shkodër për t’i dhënë dinjitet jetës nëpëmjet punës dhe dëshmisë. Ndërsa një ditë pas kalimit të një rrugëtimi të gjatë të diktaturës komuniste u hapen dyert e shpresës, të lirisë dhe gëzimit për t’iu dhuruar Krishtit krejtësisht.

Në vitet 1990-1991 u rikthye në bashkësinë rregulltare. Me gëzim e falenderim të patregueshëm të gjitha motrat që qëndruan besnikërisht në “pritje” patën fatin të vazhdojnë jetën e tyre në Kuvend drejt ecjes së kushtimit të përjetshëm Zotit.

Me datën 02. 05. 1992, motër Adelajde mori veshjen françeskane stigmatine, dhe me 17. 09. 1997 bëri Kushtet e përjetshme në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër.

Në vitin 1992 transferohet me mision në bashkësinë e re së bashku me motër Marie Kaleta në fshatin Pistull. Aty vazhdoi punën e saj profesionale të rrobaqepësisë duke qëndruar mes njerëzve në nevojë me anë të lutjes. Hapi edhe kurset e rrobaqepësisë për vajzat dhe gratë e kësaj famullie. Jetoi 27 vite në këtë fshat së bashku me motër Marie Kaletën dhe motrat e reja Stigmatine. Për shkak të shëndetit, pak muaj më parë u kthye në Kuvend në Shkodër, ku pati filluar jetën e kushtuar dhe qe pranuar e përcjellë me dashur të motrave deri në fund.

Motër Adelajde ishte një motër e thjeshtë, e kujdesshme e dashur për familjarët e saj dhe motrat rregulltare. Kishte një zë të bukur për këngët e Kishës dhe ishte e apasionuar pas kopshtit të luleve, lutjes e devocionit të përshpirtshëm. Dhe me datën 24 dhjetor 2019, natën e Krishtlindjes, Zoti e thirri pranë vetes për të rilindur me Të në një jetë të re.

Motër Adelajde faleminderit për dëshminë e qëndresës dhe të fesë që nuk u dorëzove kurrë, ku askush dhe asgjë nuk mundi të të ndajë prej dashurisë së Krishtit. Shpirti yt pushoftë në paqe në prehërin e Zotit dhe të Zojës që aq shumë i lute gjatë jetës tokësore.

 

Violeta Marashi

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here