Edhe pse viti 2020 na solli shumë vështirësi për shkak të virusit Covid-19, prapëseprapë edhe këtë vit në Ipeshkvinë e Sapës u organizua misioni veror në zonat malore, i cili që në vitin 2001 është kthyer në një traditë.

Kështu që ky mision u realizua edhe në zonën e Iballës dhe Berishës e cila shërbehet nga fretërit e Provincës Françeskane Shqiptare. Këto zona dikur kanë qenë dy famulli.

Në këtë mision morën pjesë famullitari i kësaj zone fra Aleksandër Tanushi dhe tre fretër studentë fra Driton Hajdaraj, fra Anton Selitaj dhe fra Tomë Bushpreni.

Këtë vit misioni filloi më 5 korrik, ku njëherazi u kremtua mesha në Kishën famullitare të shën Gjergjit në Iballe e që besimtarët u njohën edhe me programin e misionit të këtij viti. Në të vërtetë disa ditë më përpara, me datën 2 korrik mesha qe kremtuar edhe në Svinë-Dushkaj, që janë fshatra të Berishës të cilët gjenden buzë liqenit të Komanit. Meshën e pati udhëhequr fra Ndue Kajtazi, famullitar në Gjakovë e i pranishëm ishte edhe dom Pal Tunaj dhe famullitari i kësaj zone fra Aleksandër Tanushi.

Javën e parë të misionit u kremtuan meshët dhe u vizituan besimtarët nëpër fshatrat e Berishës (Katund Kishë, Shopël, Qyqesh, Ludricë, Levoshë, Merturi Gurit), ndërsa në Iballe gjatë krejt misionit, çdo ditë u mbajt katekizëm për fëmijët nga klasa 1 – 9, si dhe u kremtua mesha, ndërsa pas meshe ishte kohë argëtimi me rininë e famullisë.

Në javën e dytë të misionit përveç katekizmit dhe meshëve në Iballe, famullitari dha sakramentin e pagëzimit dhe bekoi disa nga kurorëzimet, por këtë javë më së shumti u punua me kandidatët për kungimin e parë dhe për krezmim.

Të dielën më 19 korrik mesha u kremtua në orën 12:00 ku njëherazi ishte edhe kungimi i parë për fëmijët. Meshën e drejtoi famullitari i kësaj zone fra Aleksander Tanushi, që mban edhe detyrën e guardianit të Kuvendit Françeskan në Gjuhadol në Shkodër, dhe me leje të ipeshkvit të Sapës mons. Simon Kullit, ndau sakramentin e krezmimit.

 

Statistika e vitit 2020: Pagëzime 8, Kungimi i parë 10, Krezmime 16, Kurorëzime 2 çifte dhe Vdekje 4.

Famullia përbëhet nga këto lagje / fshatra që sot janë të banuara me besimtarë:

Zona e Iballës: Koprat 8 familje, Breg Lumi 11 familje, Qurk 7 familje, Geraj 14 familje, Pnish 7 familje, Gojan 9 familje, Ndërlyma 1 familje, Sapaç 2 familje, Race 2 familje, Arap 2 familje, Levoshë  6 familje, Ludricë  7 familje.

Zona e Berishës: Katundi Kishë 7 familje, Shopël 11 familje, Pap 5 familje, Vlash 2 familje, Trrovna 4 familje, Qyqesh 4 familje, Merturi Gurit 4 familje, Svinë – Dushkaj 12 familje.  Gjithsej 117 familje.

Zyra famullitare

Shën Gjergji – Iballe

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here