Ishte vullnesa e Zotit që pikërisht në Vitin Jubilar të 950 vjetorit të themelimit të Dioqezës së Sapës, në mënyrë të papritur dhe të parakohshme të thirrë tek vetja për në banesën e amshuar, meshtarin e ri Dom Genc Tukun. Dom Genc Tuku ishte ndër meshtarët e gjeneratës së dytë pas komunizmit.
Dom Genci u lind më 06.06.1975 në Troshan të Lezhës. Mësimet e para i mori në vendlindje. Studio në Seminarin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër.
Me 14 Shtator 2001 mori Diakonatin në Kishën “Lindja e Zojës” në Troshan. U shugurua meshtar me 29 qershor 2002 në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër, ndërsa Meshën e Parë e kremtoi me datën 1 korrik 2002 në vendlindjen e tij në Troshan. Pas shugurimit u emërua si famullitar në famullinë “Lindja e Zojës në Dejë”. Shërbeu në shumë famulli të tjera si në famullinë “Shën Gjon Bosko” në Shelqet; në famullinë Shën Nikollit në Grash; Në famullinë “Zoja Rruzare” në Dajç; në famullinë “Zoja Rruzare” në Gjegjan, ate të “Shën Nikollit” në Kalivar e në shumë zona të tjera. Dom Genc Tuku ishte përgjegjës për thirrjet në dioqezë dhe për Rininë Dioqezane. Gjithashtu me zell u kujdesua edhe Asistentët baritorë për 8 vjet. Për vite të tëra, pothuajse nga themelimi e udhëhoqi si at shpirtëror në nivel kombëtar, Shoqatën “Kolping” me qendër në Tiranë.
10 vitet e jetës së tij meshtarake i shërbeu Zotit dhe Kishës duke përhapur Ungjillin e Krishtit. Kaloi në amshim me 16 shtator 2012, në rezidencën e famullisë në Dejë. E gjithë veprimtaria e tij prej Meshtarit la gjurmë të frytshme në Kishën Shqiptare, posaçërisht në Dioqezën e Sapës. Pushoftë në paqe!
Violeta Marashi