Data 1 mars 2021, shënoi 80 vjetorin e lindjes së misionares gjermane, Motër Grazia Ruf, e cila ndodhet me mision në Fushë Arrës. Me modestinë e saj që e karakterizon, ajo ka dashur ta kujtojë këtë datë me një rreth tepër të ngushtë miqësor, me Ipeshkvin e Sapës, Imzot Simon Kullin me familjen françeskane dhe me bashkëpunëtorët e saj të misionit.
Ky kremtim u mbajt pikërisht në Kishën e Shën Jozefit në Fushë Arrës, ku imzot Simon Kulli kremtoi meshën Shenjte posaçërisht për motër Grazian, në bashkëkremtim me famullitarin Atë Andreas Waltermann dhe meshtarë të tjerë, në prani të bashkësisë famullitare.
Ai falenderoi shumë motrën misionare, e cila që prej 27 vitesh është vendosur këtu në Fushë Arrës, ku zhvillon një mision në shërbim të Zotit dhe banorëve të këtyre zonave, të cilët gjenden në vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale. Ipeshkvi ndër të tjera foli për punën e palodhur dhe veprën misonare të motër Grazias, dhe shprehi falenderimin Zotit për dhuratën e jetës, që kjo motër të jetë në mesin tonë, në Dioqezën e Sapës. Mirënjohje dhe respekt për ty motër Grazia që nuk u dorëzove kurrë as përballë vështirësive më të mëdha.
Kush është motër Grazia Ruf ?
Motër Grazia Ruf ka lindur me datën 1 mars 1941, në Mindelheim në Gjermani. Është pagëzuar në Kishën Katolike me emrin AGNES. Është fëmija i pestë prej 9 fëmijëve të prindërve të saj, mes të cilëve janë 3 vëllezër dhe 5 motra. Prindërit e saj ishin Jozef Ruf i diplomuar Inxhinier Arkitekt dhe Anna Ruf e lindur në Mayer dhe është shtëpiake.
Periudha e Shkollimit dhe formimit:
Nga shtator 1947 deri në korrik 1954 kreu shkollën 7 vjeçare në Mindelheim. Nga shtatori i vitit 1954 deri në Korrik të vitit 1957 ka kryer shkollën e mesme në Dillingen. Pastaj mori Dëftesën e Shkollës së Mesme, dëftesë në shkrim steno dhe makinë.
Nga shtatori i vitit 1957 deri në mars të vitit 1960 kreu Shkollën Profesionale të Motrave Françekane në Maria Madingen. Mori dëftesën si Mësuese në punë dore dhe shtëpie.
Në shtator të vitit 1960 deri në mars të vitit 1961 bëri formim special si ndihmës mjeke në Munchen.
Në Prill 1961 deri në Gusht 1962 bëri praktikë në spital të Motrave Françeskane në Dillingen.
Me 29 shtator 1961 deri me 1 dhjetor të vitit 1962 kreu Noviciatin tek Motrat Françeskane në Dillingen.
Në tetor 1962 deri në Prill 1963 bëri praktikë në spitalin e Motrave Françeskane në Buchloe.
Nga muaji prill i vitit 1963 deri në mars 1965 kreu një tjetër formim si asistente medicinale teknike në Koln të Gjermanisë.
Periudha e punës:
Nga prilli 1965 deri në maj 1975 punoi si laborante në spitalin e Motrave Franceskane në Dillingen të Gjermanisë.
Nga maj 1975 deri në shkurt 1994 bëri Radiografi në spitalin e motrave Franceskane në Dillingen të Gjermanisë.
Misioni në Shqipëri:
Nga marsi i vitit 1994 deri në Gusht 1994 bëri mission në Kallmet të Lezhës.
U kthye në Gjermani në Mindelheim në shtator 1994 dhe qëndroi deri në prill 1995 ku u mor me përgatitjen për misionin tjetër në Shqipëri. Filloi misionin e saj në Fushë Arrëz me 26 prill 1995 dhe vazhdon deri në ditët e sotme 2020.
Me 4 tetor të vitit 1998, kaloi prej Motrave Françeskane në Bashkësinë fetare dioqezane të Shën Fatlumit në Dioqezën e Orvieto-Todi në Itali. Prej nga këtu vazhdoi misionin e saj në Shqipëri gjatë periudhës 27 vjeçare.
Misioni i motër Grazias dhe vepra e bamirësisë në Fushë Arrës flet shumë duke u shtrirë në shumë fusha. Përveç veprës së ungjillizimit çmohet shumë për veprën e bamirësisë në luftën kundër varfërisë; në mbështetjen për edukimin e të rinjëve; në
ndërtimin e banesave të të pastrehëve; në kurimin falas të të sëmurëve; në hapjen e kopshteve e çerdheve për fëmijët, në hapjen e kurseve të ndryshme profesionale, etj. Tani edhe pse ka arritur në moshën 80 vjeçare falë Zotit gëzon shëndet të plotë dhe nuk ndalet asnjë ditë së kryeri veprën misionare tek çdo besimtarë. Me urimin për jetë sa më të gjatë, shprehim edhe mirënjohjen përjetë për gjithçka që i ke dhuruar këtij vendi dhe Shqipërisë.
Violeta Marashi