Me rastin e mbylljes së muajit marian kushtuar Zojës, qindra besimtarë shtegtuan drejt Shenjtërores së Zojës, në famullinë “Lindja e Zojës” në Dejë. Një traditë kjo e krijuar prej vitesh që pasia e Zojës të kremtohet në mënyrë solemne duke shtegtuar në nivel dioqezan për t’u mbledhur tek këmbët e kësaj Nane Qiellore, që din të dhurojë veç hire e bekime.

E të mbledhur në këtë vend të shenjtë besimtarët kishin ardhur për ta përjetuar me përshpirtëri lutjen e mrekullueshme të Zojës, që thotë: “Shpirti im e madhëron Zotin – Magnificat”, në mënyrë që t’i përngjajmë Asaj, duke i lartuar edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi, si dhe duke ia paraqitur njetet dhe nevojat tona.

Mesha e shenjtë u udhëhoq nga ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me meshtarët e dioqezës.

Në fjalën e rastit, Imzot Simoni kujtoi figurën e Virgjërës Mari, si model dhe shembull në shkollën e fesë.  Nëna e jonë qiellore nga kjo shenjtërore na mëson se si duhet edhe ne, në qetësinë e zemrës të dimë të bashkëpunojmë me Zotin dhe se si duhet të dimë të jetojmë me të. Ndërsa më pas, të ushqyer me Fjalën e Zotit, Imzot Simoni iu drejtua të gjithë familjes dioqezane me disa mendime mbi familjen, e cila është bërthama e shoqërisë njerëzore, prej ku buron dashuria, paqja dhe mirësia. “Familja – tha ai – ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në jetën e njeriut. Familja është në qendër të mendimit të Zotit, krijuar nga Zoti. Zoti do që familja të karakterizohet, të shquhet nga një dashuri e vetme dhe e përbashkët: me respektimin e dinjitetit të qiftit të martuar, burrit e gruas dhe për respektimin e dinjitetit të fëmijëve. Familja, sipas Shkrimit Shenjt, është dhe duhet të jetë pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit. Nga familja varet krejt shoqëria njerëzore. Në qoftë se familja është e shëndoshë krejt shoqëria është e shëndoshë. Familja nuk mund të jetojë e ndarë. Nuk mund të ndahet familja duke u ndarë burri e gruaja e duke i ndarë me matematikë fëmijët për gjysmë. Këtu është shkatërrimi total i familjes.

Duhet që të kemi durim. Dashuri të durueshme.  Në familjen e Nazaretit ka gëzim dhe vuajtje, por ajo që e dallon është se jetohet në lutje dhe në bindje ndaj vullnetit të Hyjit”. – përfundoi ipeshkvi.

Gjatë këtij kremtimi u bë edhe bekimi solemn i familjeve, duke i kërkuar Hyjit që ti shikojë me butësi e dashamirësi familjet dhe të kërkojnë ndihmën e Zotit me ndërmjetësimin e Familjes së Shenjtë.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here