Në festën e Nënë Terezes, në famullinë “Zoja Rruzare” – Dajç, u organizua ceremonia e pranimit zyrtar të Bashkësisë “Tempulli i Zotit” dhe famullitarit dom Dik Çekrezi. Në këtë ceremoni morën pjesë Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, i cili udhëhoqi Meshën Shenjte të pasdites, në bashkëkremtim me ish famullitarin dom Angjelin Krygja dhe meshtarë të tjerë.
Ndërsa kjo ceremoni përkonte dhe me përkujtimin e figurës së Nënë Terezes, Imzot Simoni gjatë predikimit të tij, u ndal fillimisht mbi jetën dhe veprën e shenjtëreshës shqiptare, ikonë e samaritanit të mirë, e cila shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit ndër më të varfërit.
Duke vazhduar më tej, ipeshkvi iu uroj mirëseardhjen Dom Dik Çekrezit dhe Bashkësisë “Tempulli i Zotit”, që tashmë do të shërbejnë në famullitë Dajç dhe Mabë. Ndërsa iu drejtua atyre, me fjalët: kjo është grigja e juaj që po ju besoj në kujdes që ta ushqeni me Fjalën e Zotit, t’iu ndani Sakramentet dhe bekimet që kanë nevojë. Ti mësoni dhe edukoni në mësimin e Krishtit dhe të Kishës. Po ashtu, ipeshkvi porositi edhe besimtarët e kësaj famullie që të jenë pranë kësaj bashkësie dhe meshtarit të tyre, që tashmë janë pjesë e familjes së tyre. Ti pranojnë mësimet e tyre që i shpallin në emër të Krishtit dhe të Ipeshkvit duke u rritur në Fe, shpresë, dashuri për shëlbimin e gjithësecilit.
Më pas ipeshkvi lexoi edhe Dekretin e emërimit të famullitari të ri, i cili nënshkruhet në bazë të së drejtës Kishtare Kanonike.
Pas kremtimit të meshës, të gjithë besimtarët u përshëndeten me famullitarin e ri dhe krejt bashkësinë e cila përbëhet nga 8 anëtarë. Zoti i udhëheqtë në punën e tyre baritore.
Violeta Marashi