Në festën e Naltimit të Kryqit, Dioqeza e Sapës kujtoi përvjetorin e katër të shugurimit ipeshkvor të ipeshkvit të saj, Imzot Simon Kulli, dhe pranoi në diakonat për meshtari kandidatët Mario Katalinic dhe Srecko Fransuiç , anëtarë të Bashkësisë “Tempulli i Zotit”.
Të bashkuar në Katedralen Nënë Tereza në Vau Dejës, në praninë e dhjetëra besimtarëve, meshtarëve dhe motrave, u kremtua Mesha e Shenjtë nga ipeshkvi, Imzot Simon Kulli. Menjëherë pas leximeve të ditës u thirrën kandidatët, të cilët u pyetën nga ana e ipeshkvit: a doni, të përfundoni përgatitjen tuaj që të jeni të gatshëm për të marrë mbi vete në Kishë shërbesën, që kur të jetë koha do të jepet nëpërmjet sakramentit të Urdhrit të Shenjt?
Dhe si përgjigje e thirrjes së Zotit, ato u përgjigjen: Po, duam!
Pas këtij momenti, ipeshkvi u ndal në homelinë e rastit, i cili në fillim kujtoi “Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë. Duket si kontradiktë të festosh Kryqin, por misteri i Kryqit është misteri i një Dashurie që i dha jetë secilit prej nesh. Në fakt, vetëm kur njeriu ndihet i dashuruar plotësisht, aftësohet të duajë e të dashurojë me gjithçka ka në vetvete, sado që vërtetë dhemb dhe kushton. Gjithashtu, sot për dioqezën tonë tha ipeshkvi dhe për bashkësinë “Tempulli i Zotit” është festë, sepse dy vëllezër të kësaj familjeje Mario Katalinic dhe Srecko Fransuic, do pranohen ndër kandidatët për meshtari. E falënderojmë Zotin për këtë dhuratë që i bëhet Kishës dhe bashkësisë, një dhuratë kjo që kalon dhe përsoset vetëm përmes kryqit, i cili në kohën e romakëve ishte shenjë e turpit. Por ama, i parë me syrin e fesë është akti më i thellë i bashkimit me Hyjin dhe Kishën, gjë të cilën ua dëshiroj edhe juve sot” – tha duke përfunduar Mons. Simoni.
Në përfundim të këtij kremtimi, në emër të klerit, vikari Gjeneral dom Robert Kola, shprehi falenderimet dhe urimet për Mons. Simonin dhe dy kandidatët e rinj. E kështu së bashku tha ai të vazhdojmë e të shërbejmë në këtë dioqezë duke i shërbyer Krishtit e ti përngjajmë zemrës së tij.
Violeta Marashi