Këto ditë (26 shtator 2021)

në famullinë “Shën Panteleoni” në Mabë, është kremtuar mesha e falenderimit për misionin e tyre 10 vjeçar të misionarëve laikë nga Dioqeza e Pescarës, Gofredo Maria Leonardis, Tiziana D’Andrea dhe Mariapalma di Batista.

Të pranishëm ishte ipeshkvi i vendit, imzot Simon Kulli, besimtarët, meshtarë e motra, miq të misionarëve si dhe meshtarët, ish famullitarë të kësaj famullie nga Pescara, dom Ezio Pietropaolo dhe dom Massimo di Lullo. Mesha u udhëhoq nga Imzot Simon Kulli, i cili në fillim dëshiroj të falenderonte ipeshkvin e Pescarës, Mons. Tomaso Valentineti, për dhuratën e këtyre viteve që ka bërë, duke dërguar meshtarët dhe laikët në mision në Dioqezën tonë të Sapës.

Me dërgimin e misionarëve laikë Gofredos, Tizianës dhe Mariapalmës në këtë tokë të vuajtur e të martirizuar për Ungjillin e Krishtit, është hapur një faqe e re e bashkëpunimit ndërmjet dy dioqezave, atë të Pescarës dhe Sapës, por kjo s’do të thotë se është mbyllur me këtë vendim të bariut tuaj. Falenderoj Ipeshkvin tuaj që i ka parë nevojat tona baritore dhe u përgjigjët tash 10 vite për të na ndihmuar në zhvillimin e Kishës dhe përparimin shpirtëror të besimtarëve. Bashkëpunimi i kishave motra ka vazhduar të rrugëtojë së bashku, dhe pasi ishte e arsyeshme për baritoren në Dioqezin e tij që Don Giovanni të kthehet, dërguat Don Ezion, pastaj Dom Massimon, për të dëshmuar dashurinë dhe kujdesin që ka treguar dhe vazhdon ta tregojë për ne. Ndaj e falënderoj për dëshminë e dashurisë e të kujdesit për popullin e vendin tonë martir- përfundoi Mons. Simoni.

Edhe vetë misionarët, Gofredo, Tiziana e Mariapalma, mes emocioneve të shumta falenderuan Zotin dhe popullin e famullisë Mabë që i kanë dashur edhe mirëpritur duke iu hapurt dyert e zemrës dhe të shtëpive të tyre.

Misionarët laikë si Gofredo Maria Leonardis, Tiziana D’Andrea, dhe Mariapalma Di Battista, erdhën në Dioqezën e Sapës në verën e vitit 2012. Që prej këtij viti ato shërbyen në famullinë “Shën Panteleoni” në Mabë-Dragushë, por edhe gjatë misioneve verore në zonat malore dhe në baritoren dioqezane Shërbimi i tyre dhuruar vullnetarisht kishës ka qenë mbështetje e fortë për famullitarët e kësaj famullie, siç ishin dom Giovanni Cianciosi, dom Ezio Pietropaolo dhe dom Massimo di Lullo.

Origjina e misionit të tyre rrjedhë nga famullia e San Giovanni Bosco, ku dhe janë rritur dhe janë takuar me Zotin në dëgjimin e Fjalës dhe në Eukaristi; ku kanë mësuar shërbimin ndaj më të vegjëlve të shoqërisë (fëmijëve, të moshuarve, njerëzve në vështirësi të ndryshme), ku kanë përjetuar bukurinë edhe vështirësinë e jetës së përbashkët. Eksperienca e këtij misioni në tokën martire, i ka ndihmuar shumë mbi vullnetin e Zotit, e madje i ka bërë të kuptojnë gjithnjë e më tepër thirrjen që vetë Zoti ju ka dërguar. Vërtet nuk ka gjë më të bukur se të takosh e t’ua komunikosh Krishtin të gjithëve. Zoti jua shpërbleftë me të mira, e mision të mbarë në dioqezën tuaj.

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here