Ditët e para të tetorit 2021, Dioqeza e Sapës zhvilloi Asamblenë Dioqezane dy – ditore, me temën: “Kisha dhe Eukaristia”, me pjesëmarrjen e Klerit Dioqezan, Rregulltarëve e Rregulltareve, Asistentave Baritorë, misionarëve laik dhe besimtarët – bashkëpunëtorë të kishës së Sapës.
Të bashkuar rreth bariut të saj, Imzot Simon Kulli, kjo Asamble ishte një kohë qëndrimi së bashku, dhe bashkëndarje e dhuratës së Fesë dhe të Ungjillit që na bashkojnë të gjithë të pagëzuarve. Një moment Falenderimi dhe njohje e identitetit si Kishë Dioqezane. Një moment dëgjimi e diskutimi, propozimesh të reja nga grupet e ndryshme.
Në fjalën hyrëse të kësaj asambleje, bariu i grigjës së Sapës, Imzot Simoni, nuk mundi të mos shprehte falënderimin ndaj Hyjit për këtë hir të veçantë në dioqezën tonë, e cila niset nga dashuria e Atit për të vazhduar rrugën e misionit të saj. Dhe ecja e kësaj asambleje kërkon të paraprihet dhe të ndiqet nga dashuria.
Përveç ligjëratave të mrekullueshme që kanë mbajtur relatorët e ftuar, At Gazmend Tinaj dhe Dom Pal Tunaj, kemi patur mundësinë të punojmë edhe punën në grupe, një vlerë kjo që i jep kësaj asambleje për të vënë në pah edhe pikat e diskutimeve të ndryshme. Gjatë shkëmbimit në punën në grupe, që kërkohej të dëgjohej besimtari, kanë dalë pamje të cilat na japin orientim të veprimit tonë baritor në dioqezë. Pothuajse nga gjithë pjesëmarrësit në grupe, është hetuar edhe thelbi i jetës sonë të krishterë që është Ngjallja e Krishtit.
Edhe në ligjëratat e mbajtura nga relatorët është folur për ikonën e dy nxënësve të Emausit që dëfton edhe ecjen tonë reale në jetën e përditshme në kishë, si edhe për dëshminë e Martirëve, prej së cilës dolën pamje sa thelbësore aq edhe të domosdoshme për secilin prej nesh.
Me moderimin e Vikarit Gjeneral, Dom Robert Kola, Asamblea pati një zë dhe dëgjesë nga të gjithë të pranishmit, duke ia lejuar Zotit të na flasë, të na habisë e të na udhëheqë përtej vetes e të na rigjenerojë. Dhe ky është gëzimi i të gjithëve dhe gëzimi i Ungjillit.
Violeta Marashi