Nga Don Robert Kola

Mistika është nektari i jetës në Kishë. Në Nxitjen apostolike të Papës Françesku: “Evangelii gaudium,” flitet, ndër të tjera, për “mistikën e të jeturit së bashku” (nr. 87) dhe e një “vëllazerie mistike” (nr. 92).

Në Nxitjen apostolike rreth saj thuhet: “Kur jetojmë mistiken e afërsisë ndaj tjetërit me qellim që të kërkojmë të mirën e tyre, e zgjerojmë mbrendësinë tonë për të pranuar dhuratat më të bukura të Zotit. Çdo herë që takohemi me një qenie njerëzore me dashuri, vihemi në gjendje për të zbuluar diçka të re rreth Hyjit.” (Evangelii gaudium, nr. 272).

Poeti Dante rreth saj thuri vargje të paharruara:

“Shekulli i parë, që porsi ar shkelqeu,

të shijshme i bani lëndët prej urisë,

prej etjes dukej se nektari sheu.”

(Purgatori, Kënga XXII, 148)

Mistika e askezës në traditën e Kishës është “mistika e kraharorit” (P. Florenskij). Është dashuria virgjërore e zemrës. “Fara e shpirtit, nëse nuk ushqehet me hirin dhe nuk rritet në kraharorin e Trinisë së Shenjtë, thahet dhe vdes” (P. Florenskij). Askeza është lartësimi i mbarë krijesës në vatrën e dashurisë së Trinisë. Dashuria virgjërore e askezës qëndron në zemrën e krijesës, mbasi ajo është flaka që vjen nga zemra e Hyjit. Kjo flakë e pastron krijesën nga çdo dashuri robëruese. Askeza e shpëton krijesën nga robëria. Krijesa e lënduar përmes mëkatit, mbërthehet lehtë nga dashuria e pasioneve. Dashuria pasionale nga frikësimi, për të mos e humbur atë që e do, e shtrëngon vetëm rreth vetës së tij dhe e shtrëngon aq sa ajo, pos frymës së tij, nuk merr frymë tjetër. Fryma e tij bëhet edhe kulti i tij. I mbyllur në këtë rreth, fryma e tij e zënë frymën e tjetrit dhe sikur një shtëpi e mbyllur, myket nga vetë lagështia e saj.

Krijesa merr hovin drejt Amshimit përmes dashurisë virgjërore, e cila nuk e shtrëngon rreth vetës atë që e do, por e hap drejt Mbretërisë qiellore. Dashuria virgjërore e shpëton dhe besimin që të mos mbërthehet në një dashuri pasioni ndaj Hyjit. Besimi i prirë nga pasioni e shtrëngon njëjtë krijesën dhe Amshimin vetëm rreth vetës dhe kërkon që vetëm përmes frymës së tij të përjetohet fryma e Hyjit. Fryma e tij e zë frymën e Hyjit dhe kjo bën që edhe në Tempullin e Hyjit të ketë myk. Njeriu nuk duron mykun në Tempull dhe kërkon hapje për të marrë frymë lirshëm. Dashuria virgjërore e askezës e pastron dhe e mban krijesën dhe Tempullin të hapur për të depërtuar fryma e Mbretërisë qiellore.

Pikërisht, një ndër qellimet thelbësore që do të trajtohet edhe në Simpoziumin rreth Sakramnetit të meshtarisë, që do të mbahet në Romë, nga data 17 deri me 19 shkurt rreth temës “Formimi meshtarak, çështja thelbesore për ardhmerin e Kishës”do të marrë në shqyrtim sidomos problemin e klerikalizimit, që, siç thuhet në vëzhgimet para përgatitore të këtij Simpoziumi, “buron nga një vizion i izoluar i meshtarit.” (M. Tenace).

Gjatë punës përgatitore komisioni ka vërejtur se “klerikalizmi është një rrezik si për meshtarët ashtu dhe për besimtarët, mbase identifikon meshtarin me pushtetin e jo me shërbimin, ku shquhet meshtaria si privilegj, e jo si një përgjegjësi ndaj gjithë besimtarëvë.”

Duke folur rreth këtij problemi Rektori i seminarit pontifikal franqez, Vincent Siret, vuri në dukje, ndër të tjera, se ilaçi ndaj një mpleksjes së klerikalizmit qendron në përvijimin e sindodalitetit: “Sinodaliteti është përvijimi i domosdoshem për të shmangur klerikalizmin kishtar. Ministeri meshtarak nuk shquhet, as në ngritjen e strukturave dhe as të organizimeve, por shquhet kryesisht përmes mistikes, zhytjes në Mister. Vetëm zhytja në Mister, mundëson udhëtimin që të ndiqet Krishti, i cili na çon kah Ati në Shpirtin Shenjtë. Ky udhëtim mundëson daljen, e cila niset nga lart dhe shmang të gjitha vështërsitë dhe rreziqet që hasim në ecjen tonë, duke u ngatërruar vetëm në dimensionin e botës; kjo s’është tjetër pos përpjekja për të arritur pushtetin dhe shfaqjet publicitare.

Në pragun e mbajtjes së Simpoziumit, Papa bëri një intervistë në Rai Tre, me gazetarin Fabio Fazio, në emisioni e tij “Che tempo fa.”

Nuk kaloi pa zhurmë intervista e bërë në një emison që u përket të majtëve. Si gjithmonë, kur bëhet zhurmë, nuk degjohet si duhet fjala.

Në intervistë Papa Françesku nder të tjera preku thelbin e shumë problemeve, sidomos të jetës kishtare dhe, pos të tjerash, tha: “E keqja më e madhe në Kishë është mondaniteti shpirtëror.”

Papa e kujtoi edhe një herë mendimin e teologut të mirënjohur H. De Lubac, nga vepra e tij: “Meditime mbi Kishën,” ku ai kishte vënë në dukje të keqen më të madhe që mund t’i ndodhë Kishës. Bëhet fjalë për një të keqe më të shemtuar së ajo gjatë kohës së papatit libertin, siç është klerikalizmi. Klerikalizmi e çorodit jetën nëKishë dhe lind nga rreptësia. Rreth kësaj Papa tha: “Në çdo lloj të rreptësisë ka kalbëzim dhe ideologjia zë vend në Kishë.” Pos kësaj Papa kujtoi edhe dy herezit kërcnjonjëse për jetën e Kishës. Njëra vjen nga pellagjianizmi dhe tjera nga gnjostizimi. Papa, theksoi: “Pellagjianizmi beson se vetëm me forcën vetjake mund të shkohet përpara. Kisha, përkundrazi ec përpara me fuqinë e Hyjit, me mëshirën e Tij dhe me fuqinë e Shpirtit Shjenjt. Po ashtu, gnjosticizmi, që është një mistik pa Hyjin, ka një jetë shpirtërore të zbrazët. Pa mishin e Krishtit, s’ka Kishë të mundshme dhe s’ka shpetim të mundshëm. Duhet t’i kthehemi qendrës së fesë: Fjalës së bërë Mish. Tek shkandulli i kryqit i Fjalës së mishëruar, qendron ardhmeria e Kishës.”

Dekreti “Optatem Totius” i Koncilit të dytë të Vatikanit, që i kushtohet formimit të meshtarëve, vënte në pah se ripertëritja e Kishës varet nga mbarështimi meshtarak. Në Dekret thuhet: “Ripërtëritja e dëshiruar e mbarë Kishës, për të cilën Koncili ekumenik është krejt i vetëdijshëm, varet kryesisht prej mbarështimit meshtarak të gjallëruar nga Shpirit i Krishtit, pohon solemnisht rëndësinë tejet të lartë të formimit të meshtarëve.”

Dokumenti për formimin e meshtarvëve: “Ratio fundamentalis” veçon: “Meshtari i ardhshëm bashkohet ngushtë me Fjalën e Hyjit” (nr. 165). Bëhet fjalë për të njëjten folje që e hasim në Zanafillë, kur Zoti i bashkoi Adamin e Evën, që të jenë një mish i vetëm (adhaereo). E njëjta folje përdoret edhe për Misterin e Kishës dhe të Krishtit. Një bashkim fejësor dhe nusëror. Një mish i vetëm.

Pas shugurimit të bukës dhe të verës, në lutjen e Tretë eukaristike, liturgjia vijon:

“Po të lutemi, o Zot,

shikoje kushtin e Kishës sate

dhe pranoje për fli,

me të cilën deshe të pajtohesh me ne

dhe bëj që ne, të cilët ushqehemi

me Korpin e me Gjakun e Birit tënd,

të mbushur me Shpirtin Shenjt,

të bëhemi në Krishtin një trup e një shpirt i vetëm.”

Po e mbyll këtë fjalë timen me një përsiatje të Shën Terezës së Jezusit Fëmijë, e cila rreth meshtarit, ndër të tjera, thotë: “Shpirtrat e meshtarëve: këta shpirtra do të duhej të ishin më të tejdukshëm se kristali” (Letera, 94). Kristali përshkohet nga drita. Meshtari përshkohet nga Drita e Shpirtit Shenjt.

Në shugurimin e meshtarit, Riti i shugurimit kërkon që meshtari të përshkohet nga Shpirti i Shenjtërisë, pikërisht: “in visceribus eorum”.Riti në lutjen e shugurimit, Hyjit ia drejton këtë epiklezë:“Innova in visceribus eorum Spiritum sanctitatis”. (De Ordinatione, 131). Kjo është epikleza më e thellë e Kishës për meshtarin e shuguruar. Ja ku qëndron misteri i shenjtërimit të tij. Butësia e dashurisë duhet të shenjtërohet me Shpirtin Shenjt. Zemërbutësia nuk qëndron pa Shpirtin Shenjt.

Sa lëndim i thellë bëhet pa Dritën e Shpirtit Shenjt. Meshtari është ai i cili përmes shenjtërisë: “in visceribus eorum” do të ripërtërijë botën: “in viscere” të saj, aty ku lulëzon jeta. Pa këtë shenjtëri bota dhe Kisha mbesin në terr. Sa terri i tmerrshëm është për Kishën dhe botën kur meshtari nuk lejon që: “in visceribus eorum”, të mos depërtojë shenjtëria e Shpirtit Shenjt.

Jeta e meshtarit varet nga tejdukshmëria e zemërbutësisë. Drita e saj merret vetëm nga shenjtëria e Shpirtit Shenjt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here