Në kuadër të 75 vjetorit të pushkatimit të dom Nikollë Gazullit, me datën 30 dhjetor 2021, Famullia “Zoja Rruzare në Dajç të Zadrimës”, organizoi ceremoninë e përurimit të memorialit kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë shekujve. Në këtë cermoni ishte i pranishëm Ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, autoritete të larta civile, të historisë, artit dhe kulturës, meshtarë dhe motra si dhe besimtarët vendas.
Ishte një nismë e filluar nga ish famullitari, dom Angjelin Krygja dhe historiani, dom Nikë Ukgjini, ku së bashku me donatorët dhe njerëzit vullnetmirë, bënë të mundur aktualizimin e këtij memoriali në nderim të figurave të ndritura në shekuj të gazullorëve.
Pas urimit të mirëseardhjes të të gjithë të pranishëmve, në fillim u zbulua memoriali dhe u bë bekimi nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli shoqëruar dhe nga kryetari i bashkisë Lezhë.
Në fjalën e rastit, Imzot Simoni, tha se është kënaqësi për mua si bari i kësaj dioqeze të marr pjesë në përurimin e kësaj Përkujtimoreje kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë shekujve, të cilët i kanë dhënë kaq shumë Kishës në Shqipëri dhe kombit tonë në shërbimin e tyre si udhërrëfyes shpirtërorë, intelektualë, njerëz të artit dhe kulturës. Ai falenderoi edhe iniciatorët e kësaj vepre, historike që do të jetë tashmë një pasuri e vlefshme jo vetëm për Dajçin, por edhe për krejt Zadrimën e mbarë kombin tonë. Dhe ja ku erdhi dita që ti kujtojmë dhe nderojmë ato njerëz mendjendritur që gjithë jetën e tyre punuan për Fe e për Atdhe. E dhashtë Zoti që të vazhdojmë edhe ne në gjurmët e parardhësve tanë.
Gjatë kësaj ceremonie folën edhe personalitete të tjera të historisë, të cilët shpalosën vlerat unike të gazullorëve, që gjithmonë kontribuan për fenë dhe kombin shqiptar.
Memoriali kushtuar Gazullorëve është një monument jo vetëm dajçasor, por mbarëkombëtar që simbolizon njerëzit më të shquar të Shqipërisë në shekuj, siç ishin vëllezërit në kohën e Skëndërbeut: Gjon Gazulli (1400-1465) e Pal Gazulli (1405-1470), priftërinjë gazullor të persekutuar në shekulin XX, Gjon Gazulli i ri, (1893-1927) deputet në qeverinë e Nolit, të cilin e vari qeveria Zogiste në Shkodër në vitin 1927 dhe albanologu i njohur dom Nikollë Gazulli (1895-1946) (vëllai i Gjonit), të cilin e vranë forcat e ndjekjes komuniste në Shkrel të Malësisë së Madhe në vitin 1946.
Violeta Marashi