Ditëvë të fundit të muajit gusht, Imzot Simon Kulli priti në rezidencën e tij Ipeshkvin e dioqezës Avezzano të Italisë, Mons. Giovanni Massaro, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Mes tyre ishte edhe misionarja Elsa del Manzo, e cila shërbeu prej më shumë se 15 vjet në Blinisht.
Gjatë kësaj vizite, dy ipeshkvinjtë shkëmbyen biseda miqësore me njëri – tjetrin por, diskutuan edhe rreth vazhdimit të mundshëm të binjakëzimit mes dy dioqezave. Mons. Giovanni është njohur më nga afër me realitetin e dioqezës së Sapës, ku bëri vizitë edhe në famullinë e “Shën Shtjefnit” në Blinisht, dhe është takuar me besimtarët e grupet që ushtrojnë veprimtarinë misionare në këtë famulli. Tjetër vizitë ishte edhe në Kuvendin e motrave dhe vëllezërve në Karmel, në Shtëpinë e Bamirësisë në Vau Dejës, në Katedralen Nënë Tereza dhe pranë varrit të ish Ipeshkvit të Sapës, Mons. Lucjan Avgustinit.
Dioqeza e Sapës është falenderuese dhe mirënjohëse për bashkëpunimin e frytshëm me dioqezën e Avezzanos, ku prej vitesh kanë dhënë kontributin e tyre në ndihmë të ringritjes shpirtërore dhe sociale të besimtarëve tanë. Përmendim këtu dhuratën e çmuar të meshtarit të Avezzanos, Dom Antonio Sciarra, i cili shërbeu për vite me radhë në Dioqezën e Sapës.
Violeta Marashi