Në ditët e para të nëntorit, Kisha Katolike në Shqipëri përkujton Martirët e lumtur Shqiptar. Në nder të figurës së tyre edhe në famullitë e dioqezës së Sapës u organizua nëntëditëshi i lutjes kushtuar këtyre Martirëve që dhanë jetën për fenë e Krishtit. Kumti i këtij kremtimi ishte celebrimi i Meshës Shenjte me datën 5 nëntor 2022, në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, ku janë të vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushi, Dom Luigj Prendushi dhe Dom Ndoc Suma. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë dhe kombit.
Këtij kremtimi i parapriu shtegtimi në këmbë drejt kësaj kishe, ku edhe pse në kushte jo të mira atomosferike, besimtarët të udhëhequr nga famullitarët dhe motrat morën pjesë në këtë shtegtim me plot devocion, duke u lutur dhe kërkuar hire të mërtirëve të lumtur. Këtij shtegtimi iu bashkua edhe bariu i kësaj grigje, Imzot Simon Kulli, i cili së bashku me besimtarët bëri ecjen në gjurmët e martirëve, një iniciativë kjo e lindur po nga dëshira e vetë bariut, që ti kushtohet Martirëve Shqiptarë, me qëllimin që të ketë thirrje të reja meshtarake dhe rregulltare në kishën shqiptare.
Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni tha se ndërsa jemi bashkuar sot në këtë kishë të Martirëve Shqiptarë, dua të vë në pah figurën e këtyre martirëve që nuk iu dorëzuan kurrë sistemit të egër të asaj kohe, por qëndruan të fortë e të patrembur në fenë e Krishtit Zot. Martirët tanë, si biri i Zadrimës At Danjel Dajani, At Giovanni Fausti e shumë të tjerë, ndërsa e dinin fundin e tyre, edhe në momentet e pushkatimit ato dëshmuan besimin në Krishtin, dashurinë dhe faljen ndaj armiqve. Vetë At Danjeli do thoshte: “I fali të gjithë ata që më kanë bërë keq. Jam i gëzuar që po vdes i pafajshëm, më mirë sesa fajtor”
Në vazhdim të fjalës së tij, ipeshkvi tha se, sa e çmueshme është kjo dëshmi e martirëve tanë, dhe sa i çmueshëm është ky vendi i jonë që është i larë me gjakun e tyre. Ky gjak i martirëve “është fara e të krishterëve të rijnë”
E me lutjet drejtuar Virgjërës Mari, shenjtërve dhe martirëve tanë për ndërmjetësinë e tyre në nevojat tona shpirtërore, u mbyll edhe ky shtegtim kushtuar Martirëve të Lumë të Shqipërisë.
Teksti dhe fotografia: Violeta Marashi