Të shtunën para të dieles së Krishtit Mbret, 19. 11. 2022, u zhvillua takimi i Rinisë Dioqezane në Vau Dejës me pjesëmarrjen e të rinjëve e të rejave nga famullitë e dioqezës Sapë. Ky takim u organizua nën kujdesin e Komisionit Dioqezan të Rinisë me përgjegjës Fra Giuseppe Lanzelloti.
Secila famulli shtegtoi me grupin e saj drejt Katedrales Shën Nënë Tereza, ku së bashku u mblodhën në kishën nënë të Sapës, dhe u pritën nga bariu i grigjës së Sapës, Imzot Simon Kulli, për të jetuar këto momente takimi, lutjeje dhe bashkëndarjeje. Është gëzim edhe për Kishën kur sheh bijtë e saj të mbledhur për një qëllim, të bashkuar nën moton e mesazhit të Atit të Shenjtë Papa Françesku, me temën “U ngrit dhe shkoi me nxitim”.
Takimi u hap me himnin e Ditës Botërore të Rinisë, përkthyer në shqip nga kori Dioqezan i Sapës, duke pasuar më pas me pjesë të Ungjillit të dramatizuar nga të rinjtë e famullisë Blinisht dhe Gjadër, me punë në grupe ku në qendër kishte tre pjesë të mesazhit të Papës. Po ashtu edhe diskutime të ndryshme për problematikat shoqërore aktuale dhe çfarë mund ti bëjë të rinjtë që të lëvizin. Moment i rëndëshëm ishte edhe lutja personale dhe takimi me Zotin, rruzarja e medituar nga misteret e shenjta, shoqëruar edhe me dëshmi të personazheve që me të vërtetë e kanë takuar Zotin.
Sigurisht nuk mungoi edhe fjala e Ipeshkvit, Imzot Simonit, i cili i mbështet dhe i inkurajon të rinjtë që të vazhdojnë këtë ecje në rrugën e Zotit, të jenë sa më aktiv në kishë dhe pse jo ta dëgjojnë dhe ti përgjigjen zërit të tij nëse Zoti ju troket në zemër.
Këto takime rinore janë një nismë e frymëzuar prej Zotit dhe është një mundësi që ju krijohet këtyre të rinjëve për t’i nxitur që ta njohin veten në dimensionin për të cilin janë të thirrur; këtë ecje ta shndërrojnë në të mirën e jetës së tyre për lavdinë e Zotit. E kur Zoti na don atëherë mund të kemi gjithçka.
Teksti & fotografia: Violeta Marashi