Famullia “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës, ka qenë vendi mikpritës i takimit të radhës, me Personat me Aftësi Ndryshe, organizuar nga Caritas Dioqezan Sapa dhe projekti Inclusion. Përsonat me aftësi ndryshe tashmë janë pjesë aktive e jetës dioqezane, ku tregohet një vëmendje maksimale për kujdesin dhe mbështetjen për t’u integruar më lehtësisht në përditshmërinë e jetës së tyre, jo vetëm personale por edhe atë shoqërore dhe komunitare.
Takimi filloi me Rruzaren e Shenjtë. Menjëherë pas Rruzares, u kremtua Mesha e Shenjtë, qendra e bashkimit të çdo të krishteri, udhëhequr nga famullitari i kësaj Famullie Dom Dik Çekrezi, i cili në fjalën e tij falenderoi Zotin për dhuratën e jetës së këtyre personave, ku nëpërmjet institucionit bamirës të Caritasit dhe falë punës së vullnetarëve dhe bashkëpunimit të të gjithë atyre që ndihmojnë dhe japin kontributin e tyre në ecjen vëllazërore, mundësohet kjo iniciativë në përkujdesjen e Personave me Aftësi Ndryshe.
Pas Meshës, takimi vijoi edhe me drekën vëllazërore në një klimë mjaft festive, shoqëruar dhe me muzikë, duke krijuar kështu një kreativitet sa më social ashtu edhe kulturor.
Dreka u organizua nga Caritasi dhe Famullia, po vlen të përmendet mikpritja e famullitarit të kësaj famullie, dom Dik Çekrezi, i cili në bashkëpunim me bashkësin “Tempulli i Zotit” Motrat dhe të rinjtë e famullisë i dhanë ngjyra harmonie në çdo pikëpamje këtij takimi.
Ishin të pranishëm rreth 180 persona nga të gjitha famullitë e dioqezës, të cilët u shoqëruan nga motrat ose asistente baritorë përgjegjës, si dhe familjarët e tyre. E kjo mënyrë e bashkëpunimit tregon një zhvillim të shoqërisë shqiptare, duke i përfshirë Personat me Aftësi Ndryshe në sferat e jetës sociale, për t’iu bërë të mundur integrimin dhe mosdiskriminimin në shoqërinë apo vendin ku jetojnë.
Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here