Festa e Zojës së Papërlyer për Dioqezën e Sapës, është shoqëruar edhe me kremtimin e marrjes së shëbesës së Lektoratit dhe Akolitatit, për 16 laik dhe motra të kësaj dioqeze.

Me këtë gëzim jemi bashkuar në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau –Dejës, ku morën pjesë në kremtimin e Meshës Shenjte të udhëhequr nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, besimtarë të shumtë, meshtarët dhe motrat e dioqezës si dhe familjarë të këtyre laikëve.

Në fillim të ceremonisë kandidatët u thirrën nga famullitari i Katedrales Dom Kastriot Gjoka, e ndërsa ato u përgjigjen: “Ja ku jam!”, duke shprehur kështu vullnetin e tyre të lirë për të pranuar shërbesën e Lektoratit dhe Akolitatit.

Ndërsa jemi në kohën e Kohën e Ardhjes, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Zojës Marisë, e zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Me këto fjalë e filloi predikimin e rastit ipeshkvi, i cili tha se në këtë festë të Zojës së Papërlyer më gëzon fakti se,  pas vlerësimit të personave kompetent që kujdesen për përparimin shpirtëror dhe intelektual të këtyre kandidatëve, do të pranonjnë shërbesën e (Lektoratit) – lexuesit dhe (Akolitatit) apo të shërbyesit në kishë. Duke vazhduar më tej, Imzot Simoni falënderoj Papa Françeskun për vendimin historik, sepse deri më sot kurrë gratë nuk ishin ato që merrnin zyrtarisht ministeret liturgjike në Kishë.  Ai ndryshoi Kodin e së Drejtës Kanonike Nr. 230, “gratë laike në shërbim të Fjalës e të altarit”. Nisur nga kjo, Papa Françesku vendos që shërbimi i Lektoratit dhe Akolitatit, tani e tutje, do të bëhet edhe nga gratë laike, të cilat do të marrin një mandat të veçantë nga Ipeshkvi, që i jep kësaj detyre të rëndësishme në Kishë formë të qëndrueshme dhe të institucionalizuar.

Me të mbaruar predikimi u mbajt riti i marrjes së Lektoratit dhe Akolitatit të këtyre të laikëve dhe motrave. Këto shërbesa të dhënë nga Kisha, janë një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e tyre, që me marrjen e Shkrimeve të Shenjta të përcjellin me besnikëri Fjalën e Zotit, që të lulëzojë e të japë fryte në zemrat e njerëzve dhe të jenë të denjë për shërbim në tryezën e Zotit dhe të Kishës.

Violeta Marashi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here