Fjala e imzot Ivan Jurkoviç, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, në mbledhjen e Këshillit për të Drejtat e Njeriut.

R.SH. – Vatikan

“Zhvendosja e detyruar nuk është vetëm çështje ‘fatkeqësie’, ose kërkim për një jetë më të mirë”: ky ishte qëndrimi i Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Ivan Jurkoviç, i cili foli në sesionin e 41-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në Gjenevë. Mbledhja e radhës i kushtohej të drejtave të të zhvendosurve brenda vendit. Imzot Jurkoviç theksoi se shpesh, ky fenomen “nxitet nga politikat dhe ideologjitë e padrejta e indiferente, nga racizmi dhe nga format e tjera të paragjykimit dhe të diskriminimit, nga dhuna sistematike, si edhe nga mungesa e Shtetit të së drejtës”.

Në një vit, 28 milion të shpërngulur më shumë

Në botë, mbi 41 milionë njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të jetojnë si “të shpërngulur brenda vendit”. Ky numër është rritur me 28 milionë në vitin 2018, kryesisht për shkak të fatkeqësive natyrore, duke dëshmuar kështu, sa njerëz vuajnë në kërkim të një jete më të sigurt, më paqësore dhe më dinjitoze. Shifra që, “si në rastin e emigrantëve dhe të refugjatëve”, “mund të mos merren parasysh”, pavarësisht nga “tragjeditë dhe historitë” e këtyre njerëzve, të cilat ndikojnë në jetën shoqëroro-ekonomike të bashkësive ku bëjnë pjesë.

Më tepër përgjegjësi e përbashkët

Përsa u përket mjeteve ligjore për mbrojtjen e të zhvendosurve brenda vendit, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pohoi se çdo vend duhet “të udhëhiqet nga centraliteti i njeriut”. U takon shteteve, përgjegjësia për të ndihmuar migrantët e brendshëm, gjithnjë në rritje, denoncon Selia e Shenjtë, e cila u kërkon qeverive të merren së bashku me këtë problem, duke analizuar shkaqet e vërteta të zhvendosjes së popullsisë. “Me guxim dhe vullnet politik, – nënvizoi imzot Jurkoviç – u duhen dhënë fund konflikteve, që sjellin urrejtje, dhunë e hakmarrje, duke luftuar për paqen e pajtimin, për dialogun ndërfetar dhe për respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut”.

Roli i Kishës

Selia e Shenjtë “rikujton rolin e organizatave fetare, të cilat shpesh janë të parat që ofrojnë ndihmë për të shpërngulurit”, edhe përmes mbështetjes psikologjike dhe shpirtërore. Shpesh, pas humbjes së shtëpive, të zhvendosurit detyrohen të mbijetojnë në kushte të dëshpëruara, në kurthin e drogës e të prostitucionit. Gjendje tragjike që mediat, kërkoi imzot Jurkoviç, nuk duhet të harrojnë. Një nga shkaqet e zhvendosjes së popullsisë, siç ka denoncuar shpesh Papa Françesku, është edhe ndryshimi i klimës e keqësimi i ambientit, me rezultat pakësimin e burimeve natyrore, konfliktet territoriale dhe varfërimin e mëtejshëm të më të brishtëve. Prandaj, Selia e Shenjtë mendon se impenjimi për klimën është përpjekje e vërtetë për të mos pasur më të shpërngulur.

Burimi: https://www.vaticannews.va/sq/vatikani/news/2019-07/selia-e-shenjte-ne-okb-me-teper-kujdes-me-te-shperngulurit.html

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here