Intervistë me motër Adelajde Pashkja 

Kush është Motër Adelajda?

Motër Adelajda është e bija e Kolë dhe Gonxhe Pashkës. Ka lindur me 08 janar të vitit 1928 në Shkodër. Nëna e saj ishte bijë e Volajve në Shirokë, një fis mjaft i njohur në Shkodër. Babai i saj ishte zanatli, mjeshtër i punimeve me llamarinë, ndryshe i quajtur teneqexhi, kurse e ëma ishte shtëpiake, ndërkohë që punonte edhe me pëlhurë. I ati kishte mbaruar shkollën për avokat, por për arsye familjare nuk e ushtroi kurrë profesionin e tij. Motër Adelajde është fëmija i tretë ndër 7 fëmijët e familjes Pashkja. Mësimet i mori në Shkodër: klasën e parë dhe të dytë e kreu në shkollën shtetërore, kurse tre klasa të tjera i kreu tek shkolla e murgeshave stigmatine, por nuk pat mundësi t’i shkollonte më tej të gjithë. Si gjendje ekonomike, familja e saj kishte një ekonomi mesatare, e për këtë arsye edhe Motër Adelajda nuk kaloi një fëmijëri të vuajtur.

Ja si na rrëfen jetën e saj Motër Adelajde, murgesha më e vjetër në Shqipëri.

Motër Adelajde kur keni hyrë në Kuvendin e Motrave Stigmatine?

Nëna ime kishte një kushërirë murgeshë, dhe shpeshherë më fliste për jetën rregulltare. Unë e dëgjoja me shumë vëmendje dhe një ndjenjë e zjarrtë më përshkonte kur ajo fliste për Jezusin. Ndërsa po rritesha bashkë me mua rritej dëshira për t’u bërë murgeshë, edhe pse nuk e kuptoja shumë ngaqë isha veç 13 vjeç. Në intimitetin tim askush nuk dinte asgjë për këtë dëshirë timen. Nuk e kisha biseduar me askënd, përveçse me veten time, dhe mendoja e kërkoja të takohesha me ndonjë murgeshë. Deshti Zoti e m’i dëgjoi lutjet, kur papritmas takova Motër Benardeta Babën tek Kuvendi i Motrave Stigmatine. I tregova asaj në lidhje me thirrjen që kisha ndierë mbrenda vetes, ndërsa ajo më tha se po bëj të mundur që të takohesh me superioren Konsilia Muzhani. U takova me superioren dhe pas bisedës me të, Motër Konsilia më pyeti nëse ishin në dijeni familja ime për këtë, por iu përgjigja duke i thënë se, nuk ka dijeni askush në lidhje me dëshirën time. Ajo më tha të thërrisja nënën. Kur i thashë nënës se të kërkon Motër Konsilia, nëna reagoi pak ashpër se mos kisha bërë ndonjë sherr tek shkolla. Nëna u nis e shkoi të takonte Motër Konsilian dhe kur biseduan për çështjen time, në ato momente nëna ka mbetur e shtangur, ngaqë nuk kishte vënë re tek unë asgjë nga ato sinjalet e para të thirrjes. Pas bisedës me Motër Konsilian bisedoi personalisht edhe me mua, ndërkohë që ua bëri të ditur edhe familjes. Nuk pata ndonjë kundërshtim nga ana e familjarëve, dhe me bindjen time të plotë vendosa që me 20 qershor të vitit 1943 të hyja në kuvend. Isha 15 vjeçe. Në fillim gjeta 5 veta (studente, kandidate, propandete-postullandate). Fillova menjëherë formimin për t’u bërë murgeshë, por fatkeqësisht nuk zgjati shumë. E gjithë kjo ishte një periudhë 3-vjeçare, deri me 10 mars të vitit 1946, ditë në të cilën ndodhi ajo që ndodhi.

Si ndodhi kur ju larguan nga Kuvendi?  

Ishte 10 marsi i vitit 1946, ditën e dielë ndërsa po bënim lutjen e mëngjesit na u rrethua i gjithë kuvendi i stigmatineve. Aty-këtu kishim dëgjuar të flitej  për mbylljen e kuvendeve. Ishim në ato luhatjet e para por akoma s’kishte ndodhur diça e tillë dhe as nuk e mendomim se do ishim pikërisht ne që do na ndodhte kjo punë. Menjëherë pasi mbaruam lutjen dëgjuam teksa po na rrethonin shtëpinë, shpërthyen derën dhe forcat e policisë së shtetit komunist u shpërndanë nëpër të gjithë shtëpinë. I kujtoj ende ato momente të tmerrshme, përballjet fizike me to, kur po na merrnin forcërisht për të na nxjerrë nga shtëpia. Me gjithë përpjekjet tona, çdo gjë kishte marrë fund dhe u detyruam të shpërndaheshim dhe të ktheheshim në familjet tona, ku na kishin lindur dhe rritur.

Që nga momenti kur u kthyet në shtëpi dhe vazhduat jetën si gjithë të tjerët, si ka rrjedhur jeta e juaj, dhe a keni pasur kontakte me meshtarët gjatë periudhës së komunizmit?

Pasi u ktheva në shtëpi bëra një kurs rrobaqepësie. Me të mbaruar kursin fillova të punoja në shtëpi si rrobaqepëse dhe së bashku me vëllain tim mbanim familjen. Unë kisha vendosur të mos martohesha dhe doja t’ia kushtoja jetën time ashtu në heshtje vetëm Krishtit. Kur fillova të punoja si rrobaqepëse, punoja privatisht në shtëpi, pas disa vitesh hyra dhe në punë shteti po me të njëjtin profesion si rrobaqepëse. Dhe shpeshherë aty tek rrobaqepësia më thonin murgeshë, por kaq e frikshme ishte koha nëse përmendej punë feje, saqë unë kisha frikë se mos po më ndikonte për keq tek familjarët e mi. Madje disa herë iu thosha: shshshsht… uleni zërin se mos na dëgjojnë. Në të vërtetë kisha kënaqësi kur më thërrisnin motër, por…. Hyra në punë në moshën 38 vjeçe dhe punova për 17 vjet deri sa dola në pension.. Një motër e kisha të martuar këtu në Shkodër dhe fatmirësisht ishte kojshi me meshtarin Pader Viktor Volaj. Shkoja shumë shpesh tek shtëpia e saj, jo se kisha shumë mall për motrën, (ngaqë e shihja shumë shpesh) por më tërhiqte diçka e veçantë tek ajo shtëpi. Kjo e veçantë ishte se, pikërisht në dhomën e motres, në mënyrë ilegale, Pader Viktori celebronte Meshën me Pader Leon Kabashin e Pader Agostin Ashikun. Për mua ishte kënaqësi e madhe që merrja pjesë në Meshë duke marrë Krishtin në zemër, ushqimin tim shpirtëror. Kur u kthehesha në shtëpi tek nëna, i thosha nënës: e mora edhe sot Krishtin në zemër. Gjatë gjithë viteve të jetës në kohën e komunizmit kam pasë raste të takohem edhe me meshtarë të tjerë. Shpesh shkoja edhe në Pistull dhe i merrja ostjet te Motër Marija Kaleta, ia jepsha Pader Vitorit për t’i shuguruar, dhe i çoja tezes kungimin ose ndonjë të sëmuri tjetër që e njihja dhe e kërkonte. Por personit më të dashur të jetës time, nënës time, nuk ia dhashë kungimin para se të vdiste, se ashtu m’u paraqit situata në ato momente të fundit të jetës së saj, domethënë më mungonin ostjet. Zakonisht e kam mbajtë edhe nën jastëk të shenjtnueshmin sakrament dhe i çoja edhe tek murgeshat servite në Vlorë.

Gjithashtu, kam pagëzuar edhe fëmijë, ku shumë prindër ose vinin e më merrnin ose m’i sillnin tek shtëpia ime.

Si e pritët rilindjen e fesë. Ke ndonjë moment për të kujtuar?

Tek kjo pyetje dua te ndalem pak më gjatë. Ishin vitet e para të demokracisë. Sapo kishin filluar fjalët në qarkullim se do rikthehej liria fetare në mesin tonë, por ende ishte e paqartë kjo punë për shumë kënd si unë, për arsye se gjithë ato vite kishim jetuar pa Zot dhe me ethe në shtat nëse përmendej qoftë dhe në fshehtësi emri i tij. Ndaj, dëgjoja por nuk guxoja të flisja e të shpallja se më në fund po realizohej ëndrra ime, e cila i pat fillimet e saj që në fëmijëri. Pas disa kohëve, nëpërmjet një lajmërimit në gazetë mora vesh për vizitën e Nënë Terezes, për këtë nënë të dashur, për të cilën më kishte folë Pader Viktori dhe isha në dijeni të veprës dhe misionit të saj në botë, edhe pse pikërisht vendlindja e saj e mohoi për  dekada më radhë. I tregova familjes për këtë lajm dhe kam shkuar me vëllain dhe Motër Marije Kaletën, nga Pistulli për të takuar Nënë Terezen, dhe kemi ndenjur 4 orë duke pritur në këmbë për të marrë një madajë nga duart e saja. Kjo pritje ishte e gjatë ngaqë turma e njerëzve që kishin ardhur nga ana-anës ishte shumë e madhe.  Ishte një moment mjaft rrënqethës kur kam takuar duart e saj me të miat. Të gëzuar në shpirt për këtë takim që  patëm u nisëm për në shtëpi. Gjatë rrugës, motër Marija më thoshte: sa gëzim moj Lajde! A thua të jetë e vërtetë kjo punë që po dojnë me hapë Kishat në Shqipëri? A mund të mblidhemi edhe një herë si dikur tek kuvendi i jonë? E shumë pyetje të tjera lindën gjatë kësaj bisede për në shtëpi, por sigurisht që s’mund të jepnim asnjë përgjigje, sepse nuk e dinim se si do vazhdonte rrjedha e këtyre ngjarjeve.

Do doja të më përshkruanit pak se si u rithemelua Kuvendi i Motrave Stigmatine? Cilat ishin ato murgesha që edhe pse jashtë Kuvendit, ia kushtuan jetën tërësisht Zotit?

 Pas vizitës së Nënë Terezes në Shkodër, gjithçka filloi të merrte rrjedhën e duhur. Në fillim erdhën dy motra Stigmatine nga Italia dhe u vendosën momentalisht në Tiranë, duke kërkuar andej e këndej për të rigjetur motrat Stigmatine shqiptare që kishin mbijetuar gjatë kohës së diktaturës. Rastësisht Motër Xhorxhina Borgaleci, që ishte ndër motrat më të vjetra të kuvendit tonë, ndërsa po ecte rrugës, syri i ndesh në dy murgeshat stigmatine italiane dhe nga konopi ka arritur t’i njohë se ishin po ato motra pjesë e së cilës ishte edhe ajo vetë. Menjëherë ajo iu është afruar dhe është prezantuar si ish motër e këtij kuvendi, ndërsa u bashkuan të tria së bashku dhe erdhën në Shkodër në kërkim të motrave të tjera. Janë takuar me At Zef Pëllumbin, i cili iu dha ndihmën e parë duke lajmëruar të gjitha murgeshat që kishin mbetur, mes të cilave isha edhe unë, dhe po tek At Zefi kemi bërë takimin dhe njohjen e parë me njëra-tjetrën. Pas këtij takimi dhe bisedimeve mes nesh, motrat italiane u rikthyen pranë kuvendit të tyre në Itali, duke na lënë me shpresën dhe rrugën hapur për rithemelimin e Kuvendit të Motrave Stigmatine në Shkodër. Dhe ashtu u bë. Motrat italiane u rikthyen sërish dhe na mblodhën pranë ish-kuvendit të motrave stigmatine. Ishim 28 murgesha që u mblodhëm. Nga murgeshat që u mblodhën, mund të përmendi Motër Gita Cepi, Motër Marije Kaleta, Motër Xhorxhina, Motër Roza Kraja e Motër Pina Shestani. Superiorja e parë ka qenë Mader Paola Pascualini. dhe pas tre muajve të rilindjes së kuvendit tonë, të gjitha murgeshat shqiptare jemi nisur për Itali, dhe kemi bërë kushtet e përjetshme, dhe pse ndoshta disa prej nesh ishin edhe në moshë të thyer. Kur jemi kthyer në Shqipëri pas qëndrimit 3 mujor në Itali, kemi ardhur me uniformën e Motrave Stigmatine. Më pas ka vazhduar jeta siç kemi ëndërruar të jemi në bashkësinë e Stigmatineve, ashtu siç e parasheh edhe kushtetuta e kësaj kongregate, duke u bërë misionare për t’i shërbyer Krishtit tek çdo famulli ku na kanë caktuar. Nga periudha tetor 1991 – prill 1992 eproret e mia më kanë besuar detyrën për të shërbyer në Nunciaturën Apostolike në Tiranë, në atë kohë Nunci Apostolik ishte Imzot Ivan Dias. Ndërsa nga 19 korriku i vitit 1992 më kanë emëruar në famullinë Shën Nikolli në Pistull ku kemi qëndruar vetëm me Motër Marije Kaletën. Dy veta ishim bashkësia e jonë në Pistull. E sot e kësaj dite ende jemi të pandarë në po të njëjtën bashkësi, dhe faleminderit Zotit se që nga viti 1995 kemi pasur në ndihmë edhe motrat e reja shqiptare.

A e kishit menduar ndonjëherë se do vinin këto ditë që fatmirësisht i gëzon sot?

Nga periudha që dola nga Kuvendi e për 20 vite me radhë jetova gjithmonë me shpresë se do hapej liria fetare. Më pas thashë me vete se tani nuk kthehet më ajo rrugë, dhe mendova të pregatisja rrobat e dekës. Por për Zotin asgjë s’është e pamundur, dhe pas shumë vuajtjeve, lindi dita e gëzimit edhe për mua. Tashmë kam mbushur plot 91 vjeç, dhe i falem nderës Zotit për këto vite jete edhe pse një pjesë e tyre ishte plot me vuajtje.

Cili është mesazhi juaj për thirrjen?

Mesazhi im është: Lum ai njeri që e thërret Zoti të shërbejë në vreshtën e tij”! Ah sa e bukur është jeta me Zotin! Ju bëj thirrje të rinjëve dhe të rejave që, nëse dëgjojnë zërin e Zotit, përgjigjuni atij zëri dhe jetojeni ditët e jetës tuaj në shtëpinë e Zotit që është gëzimi i vërtetë i jetës tokësore dhe jetës së pasosur.

Intervistoi

Violeta Marashi

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here