Të bashkuar në Kishën “Trinia e Shenjtë” në Piraj, Motrat “Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta” së bashku me besimtarët e famullisë së Shën Shtjefnit lavdëruan Zotin në 25 vjetorin e misionit të tyre në tokën Shqiptare.
Në praninë e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, ipeshkvit të Shkodrës, imzot Massafra dhe ipeshkvit të Rrëshenit imzto Meta, në prani të meshtarëve e motrave, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, u kremtua Mesha e Shenjtë udhëhequr nga ipeshkvi i vendit. Në këtë kremtim ishte e pranishme edhe këshilltarja e përgjithshme e kësaj kongregate e ardhur nga Italia, motër Lina D’Acri.
Gjatë predikimit, imzot Simoni “kujtoi fillimin e misionit të motrave, që para 25 viteve erdhën në këtë vend të vogël në fshatin Piraj, ku shërbenin çdo ditë në këtë famulli me shumë dashuri ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Përveç anës shpirtërore, gjatë këtyre viteve misioni i motrave dha frytet e veta edhe në ndërtimin e ambjenteve, siç është Qendra e Fizioterapisë, që edhe në ditët e sotme vazhdon të jetë qendër terapie për ata që kanë nevojë. Nuk ka qenë e lehtë për motrat – vazhdoi ipeshkvi, që në fillim sepse vështirësitë dhe sakrificat ishin të mëdha, por që ia ka vlejtë përballë kësaj bukurie shpirtërore dhe materiale që shohim sot pas 25 viteve dhe i gëzojnë brezat e kësaj famullie”.
Në këtë kremtim përshëndeti edhe Këshilltarja e përgjithshme, motër Lina, e cila shprehi mirënjohjen e saj duke vlerësuar misionin e motrave vërtetë punëtore, që me bekimin e Zotit do të lulëzojë gjithnjë e më shumë ky mision.
Gjithashtu, në këtë ditë të veçantë për motrat, edhe Bashkia e Lezhës nderoi me titullin “Qytetare Nderi” motër Anna Maria Mocaldi, dhe me certifikatë “Mirënjohje” motër Angelica Mariniello, për shërbimin dhe për kontributin e dhënë në Shqipëri.
Festa e kësaj dite pasoi edhe me spektaklin e organizuar nga të rinjtë e famullisë, të cilët dhuruan momente të gëzueshme për të gjithë të pranishmit.
Violeta Marashi