Martirët, të Lumturit e Kishës në Shqipëri:
Imzot Vinçenc Prendushi, At Daniel Dajani,
At Giovani Fausti, Dom Luigj Prendushi,
Dom Ndoc Suma dhe Fran Mirakaj.
Mbarë Kisha në Shqipëri me 5 nëntor përkujtoi Martirët e Lumtur të Shqipërisë. Edhe Dioqeza e Sapës, ka patur në qendër të kremtimeve të saj ditën e Martirëve, që ndryshe nga herët e tjera, ky kremtim filloi me shtegtimin drej Kishës së Martirëve në Blinisht të Zadrimës., drejt kësaj kishe në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushi, Dom Luigj Prendushi dhe Dom Ndoc Suma. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë.
Nga të katër anët e kësaj kishe turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse ecnin në këmbë, për t’u bashkuar në kremtimin e Meshës Shenjte të orës 15.00.
Ishte një ide e vetë ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, që në kujtim të figurës së tyre të shtegtohej në këmbë, me lutje dhe përshpirtëri në gjurmët e martirëve të lumtur, duke kërkuar ndërmjetësimin e tyre për hire dhe bekime në jetën e secilit.
Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni vuri në dukje që të kujtojmë shembullin e martirëve. Nuk guxojmë ti harrojmë. Vdekja e vërtetë dhe vuajtja e madhe është në qoftë se ne i harrojmë, atëherë i kemi vra, atëherë i kemi pushkatuar – tha ipeshkvi.
Në vazhdim të fjalës së tij, imzot Simoni solli në memorje edhe disa fjalë të kujtimit për Atë Danjel Dajanin, i cili i rezistoi çdo vuajtjeje dhe poshtërimi, saqë e dha jetën për Krishtin. Duke kujtuar Atë Dajanin, nuk mund të mos kujtojmë edhe Atë Giovanni Faustin dhe seminaristin Mark Çunin, të cilët, sipas dëshmitarëve që jetuan ngjarjen e 4 marsit të vitit 1946, do të dëshmonin se: “po udhëtonin në kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit në qytetin e Shkodrës. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra. Udhëtonin të qetë drejt amshimit. Ashtu të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku gërshetoheshin zhguna e veledona, rregulltarë e besimtarë, puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit. – Përpara skuadrës së pushkatimit Atë Fausti do të thoshte: “Jam i lumtur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret.” Atë Dajani do të thoshte: “I fali ata që më kanë ba keq!” Po kështu edhe Mark Çuni. E pasi i pushkatuan, të tre u rrëzuan duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte lagur prej shekujsh.
Shembulli i 6 martirëve të dioqezës sonë dhe shenjtërve, të cilët i nderojmë në këtë Kishë le të jenë për të gjithë ne, nxitje dhe mësim se si duhet me besim të pathyeshëm në Krishtin Zot ta jetojmë jetën tonë në tokë gjithmonë duke u angazhaur që ta fitojmë lumturinë dhe gëzimin e amshuar.
Violeta Marashi