Gëzuar Pashkën 2020!

Të dashur besimtarë, meshtarë, seminaristë, rregulltarë dhe rregulltare!

Shumë të dashur të sëmurë të Dioqezës së Sapës!

Gëzimi i Pashkës na nxit gjithmonë të jetojmë mrekullinë e ngjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit. Këtë vit dëshiroj të mbërrij shpirtërisht tek ju besimtarë të dashur të Dioqezës sime të Sapës, pikërisht me shpalljen dhe kundrimin e Krishtit të Ringjallur, shpresa dhe arsyeja e çdo njeriu mbi tokë. Dëshiroj të gjendem pranë jush veçanërisht në këto kohë të vështira e të ngushta për të gjithë, e sidomos për ata që më për së afërmi nuk i ka kursyer kjo pandemi, në mënyrë që të ngjallet dhe aktivizohet sërish në ju shpresa që nuk zhgënjen, se pavarësisht realitetit të krijuar, nuk është ky që e ka fjalën e fundit për asnjërin ndër ne.

Vërtetë që vuajtja për të prekur apo jo nga realiteti, është goditëse dhe e pamëshirë, pa dallim gjinie, race, kulture, kombësie apo pasurie. Por të dashur vëllezër e motra në Krishtin, më lejoni që në emër të të Ringjallurit që e mundi vdekjen dhe pushtetin e saj, s’bashkua më Shën Palin, të mund t’i afrohem fesë suaj dhe zemrës suaj krejt aty pranë dhe t’ju shpall: “Vuajtjet e tanishme, nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme” , gjë që na e thotë shumë qartë ky tre-ditësh pashkvor, i cili me shumë mundime e përmes shumë mundimeve, nuk përfundon në dhimbje e zhgënjim, por në Ringjallje e Lartësim. Të lejojmë që kjo ngjarje e ngadhënjimit mbi vdekjen, t’i ripërtërijë shpirtrat tanë në Hyjin Fitimtar.

Shpesh dëgjojmë të themi dhe ta urojmë njëri – tjetrin në këto ditë pashkësh duke thënë; GËZUAR PASHKËN……ME SHNET PASHKËN……GËZUAR…..ndoshta shpesh si rutinë, për zakon, pa u thelluar shumë…! Urime vërtetë të bukura dhe shenjë e një zemre që ia dëshiron të mirën dhe gëzimin tjetrit, edhe pse shpesh ekziston një pavetëdije dhe moskuptim  në përdorimin e këtij urimi, i cili po të kuptohet në fe, është urim i mjaftueshëm të lëvizë gurin e varrit brenda shpirtit tënd dhe mbi të gjitha situatat që e kanë errësuar gëzimin e zemrës sate. Gëzuar Pashkën, me fjalë të tjera do të thotë: U GËZOFSH ME GËZIMIN E TË RINGJALLURIT, gëzim ky që askush nuk mund ta marrë dhe asgjë nuk mund ta zbeh, sepse kur gëzimi vjen prej Zotit dhe është vënë në Të, nuk mund ta brejë asnjë lloj epidemie dhe asnjë lloj pandemie, sepse ato vetëm shërbejnë që ta pastrojnë e përforcojnë arsyen e fesë sonë, por asesi ta çrrënjosin, sepse thotë Shën Pali:”…gjithçka kalon…por mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Zotit” . e vullneti i Tij është ky: fitorja dhe ringjallja jonë!

Të dashur vëllezër! Tendencat e kohëve tona kanë folur mjaft deri tani për një zhvillim të paskajshëm të teknologjisë dhe mënyrës së të jetuarit të paimagjinueshëm në atë që mundëson “gjithçka për shpejt; gjithçka aty për aty; gjithçka pa shumë mund; e gjithçka si të duash ti”. Vërtetë që kohët ndryshojnë, situatat gjithashtu, ajo që nuk ndryshon dhe nuk kalon askurrë është Fjala e Zotit, para së cilës pikërisht tani, gjithçka po gjunjëzohet.  Është kjo që nuk njeh moshë, nuk njeh lodhje, nuk njeh rrudhje dhe nuk njeh mplakje, sepse është gjithmonë e njëjtë, e re dhe me të njëjtin pushtet veprues si dje, si sot  dhe përgjithmonë. Kështu sot, sërish sipas Shën Gjonit ungjilltar, Krishti sërish na shpall të njëjtin lajm të mirë, jo më pak të rëndësishëm, jo më pak të vlefshëm dhe jo me më pak pushtet: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11, 25-26).  Prandaj, lë t’i ngrejmë sytë lart, dhe të kundrojmë me fenë e shpirtit triumfin mbi mëkatin dhe mbi vdekjen e të marrim guxim, se vdekja nuk ka më pushtet mbi ne. Lejoni që kjo fitore dhe Ringjallje e Krishtit, të jetë ringjallja dhe fitorja e çdo shpirti dhe e çdo situate apo realiteti që jetojnë thellësitë dhe brishtësitë tuaja.

Më lejoni t’ju drejtohem edhe me një fjalë shumë domethënëse, të një prej shenjtëreshave të ditëve tona, të një prej bijave të lindura dhe të rritura nga gjiri i po këtij populli, e cila preku nga afër realitetin e një kombi, Shën Nënë Terezës, që thotë: “Është e lehtë të duash atë që e ke larg. Nuk është gjithmonë e lehtë të duash atë që e ke afër. Pashka është pikërisht momenti më i bukur dhe më domethënës për të zbuluar rëndësinë e personave më të dashur në jetën tonë”.  Qoftë për ty kjo Pashkë  një Rilindje në Dashurinë e Ringjallur! E kur them …”në dashurinë e ringjallur…” nënkuptoj në një dashuri që nuk është ajo që ishte dje, nuk është ajo që përsëritet, por një  dashuri që  është krejt e re, sepse është fryt i ringjalljes, vjen prej të Ringjallurit.

 

Me këtë shpirt feje e GEZOFSHI PASHKËN E ZOTIT!

 

Bariu juaj,

+ SIMON KULLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here