Efektet e respektimit të instrumenteve përkatëse ndërkombëtare

Pas katër vite sdudimesh në Universitetin Papnor Lateranas në Romë, pasditen e 3 qershorit 2020, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, u mbajt akti solemn akademik i mbrojtjes së doktoraturës nga meshtari dioqezan, dom Artur Kola me temën “Mbrojtja e lirisë fetare në sistemin Juridik të Shqipërisë”.

Për shkak të pandemisë botërore, dom Arturi u riatdhesua në Shqipëri, dhe prezantimi i temës u bë në lidhje online me profesorët e Universitetit Papnor, të cilët e kanë ndjekur punimin e tij.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishte ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, Vikari Gjeneral i Sapës, dom Robert Kola, meshtarë e motra të dioqezës, si dhe familjarët dhe miqtë e dom Arturit.

Në fillim u mbajt hapja e mirëseardhjes nga ana e Presidentit të Komisionit të Doktoraturës Prof. Vincenzo Buonomo, i cili vlerësoi këtë moment mjaft të rëndësishëm për arritjet e dom Arturit, një sukses i mëtejshëm në jetën e tij meshtarake dhe në jetën e kishës dhe të Selisë Shenjte. Më tej, profesori i dha fjalën dom Arturit për të prezantuar tezën e tij, e cila zgjati 20 minuta.

Si fillim dom Arturi e nisi prezantimin me një përvojë personale, ku citoi se: “Pas lindjes sime, si bëhej zakonisht, prindërit e mi shkuan të më regjistrojnë në Zyrën e gjendjes civile me një emër që lidhej direkt me fenë e krishterë. Punëtori kundërshtoi menjëherë zgjedhjen dhe dëshirën e prindërve dhe vendosi para tyre një listë me emra, të përpiluar me kujdes nga regjimi komunist dhe u detyruan të zgjidhnin emrin që mbart edhe sot. Sipas ligjit, emrat e fëmijëve nuk duhet të shfaqnin asnjë lidhje me përkatësinë fetare”

Pikërisht kjo plagë dhe kjo përvojë e jetës së tij personale që ka trashëguar nga komunizmi, që në një farë mënyre ka kushtëzuar jetën e tij, ka qenë motivimi kryesor i dom Arturit, për të filluar një kërkim historik dhe juridik mbi të drejtën natyrore dhe themelore të lirisë për të zgjedhur në çështje që kanë lidhje me fenë.

Punimi është i ndarë në 4 kapituj:

Në kapitullin e parë trajton lirinë fetare në sistemet juridike shtetërore dhe në të drejtën Kanonike.

Me kapitullin e dytë analizon përshtatjen e sistemit juridik shqiptar me kuadrin ndërkombëtar  dhe rajonal në  fushën e lirisë fetare.

Në kapitullin e tretë analizon mbrojtjen e dimensionit individual dhe komunitar të lirisë fetare, si edhe garancitë penale që ofron sistemi juridik shqiptar ndaj ndienjes fetare.

Në kapitullin e katërt shtjellon dhe analizon zhvillimin historik të marrëdhënieve diplomatike mes Selisë së Shenjte dhe Republikës së Shqipërisë dhe analizohet kuadri juridik që buron nga akordet dypalëshe.

Nisur nga puna dhe studimi i këtij punimi, Komisioni i doktoraturës i përbërë nga profesorët Vincenzo Buonomo, Silvia Angeletti dhe Matteo Nacci, dhanë vlerësimin maksimal për kandidatin dom Artur Kola. Mes emocioneve të shumta dom Arturi dhe të gjithë të pranishmit e kanë pritur këtë moment final, ku konkretizon të gjithë mundin dhe sakrificat e tij për të ardhur deri këtu.

Siç shprehet edhe vetë ai: “Ne jemi si xhuxhë në shpatullat e gjigandëve”, përmes së cilës shpreh gjithë mirënjohjen dhe falenderimet e tij personale për të gjithë ato persona “gjigandë” që në mënyra të ndryshme ia kanë mundësuar të shikojë më larg, me këshillat e tyre, më miqësinë e tyre e me afërsinë e tyre, duke lehtësuar vështirësitë e këtij shtegtimi.

Gjithashtu,  këtë punim Dom Arturi ia dedikon Martirëve Shqiptarë, burrave e grave të kohës sonë, që në shumë anë të botës vuajnë për shkak të përkatësisë fetare; me dëshirën që njerëzimi të bëhet më i vetdijshëm, se feja e vërtetë banon në liri.

Dom Artur Kola renditet meshtari i parë që ka studiuar pranë Akademisë Kishtare, një institucion ky që përgatit meshtarët për trupin diplomatik të Selisë Shenjte.

Tashmë dom Arturi do vazhdojë një udhëtim tjetër drejt diplomacisë Kishtare dhe është në pritje të dërgohet të shërbejë në një Nunciaturë, në shërbim të Kishës Universale dhe Selisë së Shenjtë. Dioqeza e Sapës falenderon Zotin për thirrjen e dom Arturit dhe e shoqëron me lutje meshtarin e saj që do jetë në radhët e kësaj diplomacie dhe do vendoset në shërbimin diplomatik të Selisë Shenjte.

Violeta Marashi

Curriculum Vitae

Dom Artur Kola lindi me 23. 12. 1986 në Mabë të rrethit Lezhë nga prindërit Mark dhe Agetina. Mësimet e para i mori në vendlindje. Që në fëmijëri, në familje dhe në famulli, oksigjeni që ka thithur, ambienti ku është rritur ishin plot me besim, nderim dhe falenderim ndaj Zotit, i cili po bëhej pjesë e jetës së tij gradualisht edhe pa vetdijen time siç shprehet dhe vetë Dom Arturi. I tërhequr dhe i nxitur nga shembulli dhe fjalët e të ndjerit Mons. Injac Dema, terreni për mbjelljen e Fjalës së Zotit po përgatitej, dhe po ashtu përgatitej edhe përgjigjia ndaj zërit të tij me shumë pyetje nga ana e tij.

Pas mbarimit të shkollës 8 vjeçare, me paqartësi dhe në kërkim të vullnetit të Zotit, hyri në paraseminar në Dejë, për një vit përgatitje nën udhëheqjen e të ndjerit Dom Genc Tuku. Kjo ishte një eksperiencë  parapërgatitore për t’i hapur rrugë Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër.

Dhe mënjëherë pas mbarimit të këtij viti hyri në Seminar, ku me vështirësi të ndryshme, me ndihma të shumta të mëshirës së Zotit, përmes formatorëve dhe miqve të së njëjtës rrugë, Zoti po ndërtonte një njeri për vete, po e bënte për vete në shumë mënyra. Në fund të gjimnazit, plot me dëshira, ideale e qëllime vendosi të zgjedhte Zotin, t’i thoshte atij: “u bëftë vullneti yt, dua të të ndjek kështu me dobësitë dhe frikat e mia”. Kështu vazhdoi seminarin e lartë dhe studimet filozofike-teologjike gjatë periudhës 2007-2013, duke kërkuar planin e Zotit, duke e realizuar bashkë me Të, duke e lënë veten të shndërrohej prej Tij, duke pastruar shumë paragjykime në lidhje me mënyrën e ndjekjes së Krishtit.  Me kalimin e viteve, në personin e Dom Arturit përgjigjjia ndaj Zotit piqej e rritej, përmes hapave të ndryshëm drejt meshtarisë dhe bindja se “Pa mua s’mund të bëni asgjë- thotë Krishti”, e shtyn ta Falenderojë që ka shikuar me pëlqim mbi të dhe denjohet ta bëjë shërbëtor të Vetin.

Një hap i rëndësishëm dhe domethënës për të ishte shugurimi diakonal me 15 dhjetor 2012, në katedralen e së Lumes Nënë Tereza; një dhuratë prej Krishtit shërbëtor që i dhuroi hirin për t’i shërbyer Atij e vëllezerve në dioqezë, dhe në mënyrë të veçantë në famullinë e Shën Kollit Vau Dejës. Me këtë shugurim jeta e tij ndryshoi dhe u mbush plot me sfida, detyra e me gëzime, ndërkohë që ai kërkonte te jetonte me vetëdijen e Shërbimit: “Unë jam mes jush porsi ai që shërben – thotë Jezusi”, t’i përngjante sadopak duke u bërë shërbëtor ndaj nevojave të ndryshme të dioqezës dhe ndaj personave më në nevojë, sidomos në Shtëpinë e Bamirësisë.  Ecja nuk mbaroi, e as nuk do të mbarojë në ndjekjen e Zotit, sepse Ai në dashurinë e tij të pafund, e thirri ta bënte bari të grigjës së tij dhe përmes Urdhrit meshtarak e shuguroi të vazhdojë veprën shëlbuese të Krishtit. Falenderues ndaj Zotit dhe i lumtur për mëshirën e madhe ndaj tij, Dom Arturi pranoi Shugurimin Meshtarak me 6 Korrik 2013, në Katedralen “Nënë Tereza” në Vau Dejës, përmes Vendosjes së duarve të Shkëlqesisë së Tij Mons. Lucjan Avgustini, në përkujtimin e martires së Kishës, Maria Goreti. Me sigurinë “Unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës”( Mt 28, 20), meshtari i ri, merr përgjegjësinë për t’i shërbyer Zotit në të mirat dhe vështirësitë që do të takojë gjatë kësaj jete “dhuratë e Zotit- për të tjerët”.

Menjëherë pas shugurimit meshtarak dom Arturi u emërua famullitar në famullinë e “Shën Nikollit” – Gramsh, ku shërbeu deri në shtatorin e vitit 2016. Gjatë 3 viteve shërbimi si famullitar në Gramsh dhe njëkohësisht si Sekretar i Kuries Dioqezane të Sapës, dom Arturi pati një eksperincë dhe veprimtari pastorale mjaft frytdhënëse, duke jetuar e thelluar marrëdhënien e tij me Zotin përmes kremtimit të Meshës Shenjte. Dha një kontribut të shquar në rritjen shpirtërore përmes shërbimit të tij jo vetëm si meshtar, por edhe si mësues, edukator dhe përgjegjës në çdo sektor që famullia pati nevojë për shërbim duke bashkëpunuar bashkë me besimtarët e çdo grup-moshe.

Me propozimin e ish ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini për të ndjekur studimet në përgatitje për trupin diplomatik të Selisë së Shenjtë, dom Arturi e pranoi me bindje të plotë këtë propozim, dhe në shtator të vitit 2016 nisi studimet në “Të Drejtën Kanonike”, në Universitetin Papnor Lateranas në Romë – Itali. Pas katër vite studimesh, duke mbrojtur Dotoraturën me 3 qershor 2020,  ai arriti të realizonte me sukses këtë shtegtim sa të vështirë aq edhe të çmueshëm, pas të cilit do t’i lërë vend një etape tjetër, duke nisur rrugëtimin si pjesë e trupit Diplomatik të Selisë së Shenjtë.

Violeta Marashi

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here