Me rastin e njëzet vjetorit të shugurimit meshtarak të Imzot Simon Kullit, ipeshkëv i Sapës

 

Shkruan Don Robert Kola

Shkëlqesi e nderuar!
Vëllezër dhe motra!

Në festën e apostujve të Pjetrit dhe të Palit, përmes të cilëve “Hyji i dha Kishës të mirat e para të fesë së Krishtit” – siç thuhet në Kolektën e kësaj feste – Bariu i dioqezës sonë, përkujton ditën e shugurimit meshtarak dhe jemi bashkuar këtu së bashku për të falënderuar Hyjin për dhuratën e Tij të mrekullueshme të meshtarisë.

Në Parathënien e dytë të Eukaristisë, pas shugurimit të dhuratave të bukës dhe të verës në Korpin e Gjakun e Krishtit, Kisha duke përkujtuar veprën e shëlbimit të Hyjit përmes liturgjisë, lutet:

 O Zot, duke përkujtuar vdekjen e ngjalljen e Birit tënd,
po ta kushtojmë bukën e jetës dhe kelkun e shpëtimit,
e po të falënderojmë që na lejove
të qëndrojmë para Teje e të të shërbejmë Ty.

Kremtimi i eukaristisë, siç thotë edhe lutja mbi dhurata e Ditës së kësaj feste, bën të jemi të “përkryer para Hyjit”:

E përcjelltë, o Zot, urata e apostujve
flinë që po ta paraqesim;
ajo na bëftë më të përkryer para teje
për ta kremtuar këtë fli.

Kur e kremtojmë Meshën, “flinë e përsosur të lavdit,” i kushtohet Atit “flija e lavdit” si falënderim që qëndrojmë para Ti: “coram Te”. “Të falënderojmë që na lejove të qëndrojmë para Teje”. Mister tronditës! As kerubinët dhe as serafinët, nuk guxojnë të ngritin shikimin e tyre para Ti, por me fytyrë të mbuluar e lëvdojnë pa pushim, duke brohoritur: “Sanctus, Sanctus, Sanctus, Deus sabaot.”

Si mund të lartësohet njeriu përballë njëmendësisë së Hyjit dhe t’i ofrojë Atij dhuratën? Është vetë Ati që me parë u dhurohet njerëzve në Dhurimin e Vetës së Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Njeriut i takon vetëm të pranojë këtë dhuratë duke e përvetësuar dhe duke e jetuar përmes Birit në Shpirtin e Shenjtë. “Dhuratat e Tua prej Dhuratave të Tua ne t’i ofrojmë Ty.” Këndon mrekullisht liturgjia e traditës lindore.

Misteri i shkëmbimit të dhuratës së Hyjit përmes nesh kryhet me Eukaristi: “Ai, kur ishte duke ngrenë Darkën e fundit me apostujt e vet – këndohet në Parathënien e festës së Korpit dhe Gjakut të Krishtit – ta kushtoj vet – vetën ty, si Qengj i panjollë dhe fli i përsosur, që të vazhdoj në shekuj të shekujve kujtimin shpëtimprurës të kryqit. Ti i ushqen dhe i shenjtëron besimtarët e tu me këtë Sakrament të nderuar, që e njëjta fe t’i ndriçojë dhe e njëjta dashuri t’i bashkojë të gjithë njerëzit në mbarë botën, prandaj po i afrohemi tryezës së këtij sakramenti kaq të madh, që të përshkuar nga hiri yt, të shndërrohemi në njerëz qiellorë.”

Dashuria që Ati e shkëmben me Birin që është Shpirti i Shenjtë, Ati ia dhuron njeriut po atë dashuri, që e njëjta dashuri t’i bashkojë të gjithë njerëzit në mbarë botën. Jo vetëm kaq. Dhurata e dashurisë së Hyjit kryhet në trup, në mish. Krishti duke hyrë në botë, thotë:

Fli e kusht ti nuk deshe,
por ma bërë gati trupin;
holokaustet dhe flitë për mëkate
nuk të pëlqen.
Atëherë thashë ja apo vij […] për të kryer vullnetin tënd.
(Heb 10, 5-8)

Duke kundruar Misterin e Mishërimit, Shën Augustini, thekson: “Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta: duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.” (Liturgjia e Orëve II, f. 228)

Mund të flasim për Hyjin dhe rreth të vërtetës dhe jetës së Tij, por për të shfaqur udhën e Tij, duhet të nisemi nga mishi i Tij – Trupi i Tij. “Duke u shfaqur në mishin tonë u bë udha.”

Eukaristia është sythi që e bulëzon dashurinë e Hyjit në mishin tonë. Ajo është Dasma e Qengjit. Populli ynë ka një fjalë të urtë, që thotë: “S’ka dasmë pa mish.” Po, vërtet! Gjithë rreziku i ynë qëndron duke bërë nga Hiri i Hyjit një shembull që të ndiqet, e duke harruar se Hiri është vetë Personi i Tij. “Merrni e hani, ky është korpi im.” Dashuria ndaj tjetrit është shfaqja e Dasmës së Qengjit. Dashuria ndaj tjetrit është kremtimi i dashurisë së Tij. S’ka krishterim pa shfaqjen e dashurisë ndaj tjetrit. Nëse nuk jemi të rrënjosur në Dashurinë e Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, çdo përshpirteri është pa rrënjë dhe sa vjen e thahet pa dhënë fryt.

Sot jemi këtu për të falënderuar Hyjin për dhuratën e Tij të meshtarisë. Të falënderosh (hodoth) në Shkrimin e Shenjtë, domethënë para së gjithash pëlqimin tënd dhënë dikujt, njësimin me dikë dhe vetëm pas kësaj ndodh falënderimi. Ai që falënderon puthitet me atë që falënderohet. Falënderimi nuk përshkon vetëm shpirtin, por nga ai vepron drejt botës për t’u bërë akt dhe ndodhi. Të puthitesh me dikë në këtë mënyrë do të thotë të vërtetosh ekzistencën e tij.

Eukaristia është puthitje me ekzistencën e Atit. Të kremtosh eukaristinë do të thotë të puthitesh me Atin. Eukaristia e Jezusit është akti dhe ndodhia e kësaj puthitje.

Sa thellë dhe bukur Shën Jeronimi i përvetësoi fjalët e themelimit të eukaristisë në Darkën e Fundit, duke i përkthyer mrekullisht të dy foljet e ndryshme mes veti: (dechomai) mori dhe (lambano) pranoi, me të njëjtën folje, në gjuhen latine: accepto: pranoi. “Accepto pane gratias egit et fregit et dedit eis dicens” dhe “accepto calice, gratias egit et dixit.”

Dhuruesi i Kelkut është Ati. “A mos ta pi gotën që ma dha Ati” (Gjn 18, 11). Kelku vjen nga Ati, po ashtu edhe Buka (rr. 23). Mbi këtë Bukë, Zotëria (Jezusi) “bën falënderimin.” Ai që e falënderon Hyjin e kremton Hyjin në vetvete, për veprat e tij të madhërishme dhe e kremton në ‘asamble’ jo vetëm në brendësinë e tij, por e bën të njohur në jetë duke e shfaqur pushtetin e dashurisë së Tij.

Dashuria e përshkon kraharorin. Kraharori përmbushet vetëm me kraharor. Ikona e meshtarisë është Maria. Ajo në kraharor e ngjizi Fjalën. Pikërisht, në lutjen e shugurimit meshtarak, Kisha lutet që kraharori i meshtarit të përshkohet nga Shpirti i Shenjtë.

Shën Tereza e Jezusit Fëmijë thoshte: “Shpirtrat e meshtarëve: këta shpirtra do të duhej të ishin më të tejduk¬shëm se kristali” (Letr. 94). Kristali përshkohet nga drita. Meshtari për¬shkohet nga Drita e Shpirtit të Shenjtë. Në shugurimin e meshtarit, Riti i shugurimit, kërkon që meshtari të përshkohet nga Shpirti i Shenjtërisë: “in visceribus eorum”. Në lutjen e shugurimit të meshtarit, Kisha lutet: “Innova in visceribus eorum Spiritum sanctitatis”. (Ripërtërij në kraharorin e tyre Shpirtin e shenjtërisë) (De Ordinatione, 131).

Kjo është epikleza më e thellë e Kishës për meshtarin e shuguruar. Këtu qëndron misteri i shenjtërimit të tij. Butësia e dashurisë, duhet të shenjtërohet me Shpirtin e Shenjtë.

Zemërbutësia nuk qëndron pa Shpirtin e Shenjtë. Sa lëndim i thellë bëhet pa Dritën e Shpirtit të Shenjtë. Meshtari është ai i cili përmes shenjtërisë: “in visceribus eorum,” do të ripërtërijë botën: “in viscere” të saj, aty ku lulëzon jeta. Pa këtë shenjtëri bota dhe Kisha mbetën në terr. Ah, sa terri i tmerrshëm përfshin Kishën dhe botën, kur meshtari nuk lejon që: “in visceribus eorum”, të mos depërtojë shenjtëria e Shpirtit të Shenjtë. Jeta e meshtarit varet nga tejdukshmëria e zemërbutësisë. Drita e saj merret vetëm nga shenjtëria e Shpirtit të Shenjtë.

Meshtari është mbeltesë e dashurisë dhe e lavdisë së Hyjit. Në librin e Jeremisë profet, Zoti i drejtohet Izraelit kështu: “Sikurse brezi që ngjeshët rreth ijeve të njeriut, kështu kam dashur që të ngjeshët rreth meje mbarë shtëpia e Izraelit e mbarë shtëpia e Judës, që të jetë populli im, zëri im, lavdia ime, nderi im.” (Jer 13, 11).

Në Ungjillin e sotshëm, Jezusi pyet Simonin, në bregun e detit të Tiberdiatit: “Simon Gjoni a me do”! (Gjn 21, 15-19) Hyji “Oqean pa brigje,” pas vdekjes dhe Ngjalljes së Tij, kërkon të zhytë dhe nxënësin i tij në dashurin e Tij të pambarim. Përgjigjja e Simonit, me në fund ishte: “Ti di gjithçka, ti e di se të dua.” Tani çdo hapësirë e qenies së Simonit përballë Krishtit të Ngjallur është hapur dhe lejon të zhytët dhe të përshkohet nga dashuria e të Ngjallurit. Hapet ndaj Dashurisë së pambarueshme që të përmbushet me dashuri të pambaruar. E Jezusi i thotë: “Më ndiq!” 

Nënshat, 29.06.2020

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here