Dom Artur Kola me datën 1 korrik 2020, është caktuar nga Papa Francesku të shërbejë në Përfaqësinë Papnore në Republikën e Bregut të Fildishtë. Ai është meshtari i parë shqiptar që hyn në trupin diplomatik të Selisë Shenjte, pasi ka përfunduar studimet dhe formimin e posaçëm në Akademinë Kishtare në Romë. Akademia Kishtare është institucioni i Kishës që kujdeset për përgatitjen e meshtarëve të caktuar për shërbimin diplomatik të Selisë Shenjte në Nunciaturat e ndryshme ose në Sekretarinë e Shtetit. Me 3 qershor 2020, ai ka mbrojtur doktoraturën në të Drejtën Kanonike në “Universitetin Papnor të Lateranos”.
Dom Artur Kola ka lindur në Mabë të Zadrimës, në vitin 1986 dhe është shuguruar meshtar për dioqezën e Sapës me 6 korrik 2013. Si detyrë të parë ai ka shërbyer si famullitar në Gramsh të Zadrimës dhe në të njëjtën kohë kryente edhe detyrën e Sekretarit të ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit. Pas 3 vjet shërbimi baritor në famulli, në shtatorin e vitit 2016 është thirrur për t’u përgatitur për shërbimin diplomatik të Selisë Shenjte. Gjatë kësaj periudhe formimi, dom Artur Kola përveç studimit të së Drejtes Kanonike dhe Diplomacisë, mbrojti edhe gjuhët e juaja si: anglisht, frëngjisht dhe spanjisht. Ndërkohë që ishin parësore edhe stazhet që bëri në Nunciaturat e vendeve të ndryshme. Tashmë të gjithë këto së bashku do të jenë thelbësore për hapa më të sigurtë për të kryer këtë shërbim delikat si përfaqësues i Selisë së Shenjtë.
Në shërbimin e tij në Abidjan (Bregu i Fildishtë) do të jetë bashkëpunëtor i Nuncit aktual mons. Paolo Borgia, i cili ka ushtruar detyra të larta në Kurien Romake.
Përfaqësitë diplomatike të Selisë Shenjte janë nyje themelore për jetën politike dhe sociale të shumë vendeve në botë. Veçanërisht, shërbimi diplomatik i Selisë Shenjte është para së gjithash një vend i shpalljes dhe i dëshmisë së vullnetit që Kisha ka për zhvillimin e popujve dhe promovimin e paqes.
Kisha Katolike në Shqipëri ndihet e pasuruar me këtë dhuratë që i bën Kishës universale dhe ia beson shërbimin e dom Arturit ndërmjetësisë së të Lumturve Martirë të Kishës në Shqipëri. Me këtë emërim të dom Arturit, Kisha Katolike në Shqipëri shënon një fletë të re në historinë e saj, ku një meshtar Shqiptar bëhet pjesë e Diplomacisë Kishtare. E në të njëjtën kohë, në këtë ditë të 6 korrikut ku dom Artur Kola kujton 7 vjetorin e Shugurimit Meshtarak, Dioqeza nënë e Sapës e shoqëron birin e saj me lutje dhe i uron mision të shenjtë e të frytshëm në shërbim të Selisë Shenjte e të bashkësisë së Bregut të Fildishtë.
Zyra e Kuries Sapë