Misioni Veror 2020

… Dhe tradita vazhdon…

Që prej rithemelimit të Dioqezës së Sapës, në Jubileun e ri 2000, çdo ipeshkëv që ka drejtuar deri më sot këtë grigjë, kanë pasë në vëmendjen e tyre që shpallja e Ungjillit të mbërrijë në çdo skaj ku shtrihet kjo dioqezë.

Dhe duke i qëndruar traditës, tashmë prej 20 vitesh, si dhe duke ecur në nismën e ipeshkvinjëve paraardhës, Imzot Dodë Gjergji dhe i ndjeri Imzot Lucjan Avgustinit, edhe ipeshkvi aktual Imzot Simon Kulli, e ka vazhduar traditën e trashëguar ku muaji Korrik është i organizuar për misionin veror në zonat malore, në këto zona të thella ku shërbimi pastoral mbulohet pjesërisht gjatë vitit liturgjik.

Edhe pse ky vit është jo i zakontë si vitet e tjera, për shkak të Pandemisë Botërore nga sëmundja Covid – 19, por me zbutjen e masave dhe në respektim dhe zbatim të rregullave për mbrojtjen nga kjo sëmundje, misionarët janë drejtuar zonave malore në Pukë, Fushë Arrëz, Iballë dhe Tropojë ku po zhvillojnë misionin veror me takime të ndryshme katekistike, me kremtime te meshëve të shenjta, bekime shtëpiash dhe lojëra të ndryshme me fëmijët. Janë rreth 60 misionarë meshtarë, motra, rregulltarë dhe laik, që janë shpërndarë në grupe të vogla dhe çdo grup kryen misionin në një zonë të caktuar duke përfshirë kështu të gjithë ato fshatra, ku pavarësisht vështirësisë së terrenit të thepisur malor, vapës dhe ecjes me këmbë, misionarët nuk ndalen në përhapjen e Fjalës së Zotit, që është burimi shpirtëror për të gjithë ne të krishterët. Arsyeja është se edhe pse në kohë të vështirë, kisha është e pranishme dhe qëndron afër bijve të saj.

Misioni ka qenë i shoqëruar edhe nga vetë prania e Ipeshkvit, Imzot Simon Kulli, i cili ka bërë vizita tek çdo grup duke ndjekur më afër edhe situatën në të cilën ato po shërbejnë gjatë kësaj periudhe, si dhe duke bashkëndarë momente qëndrimi me to. Gjithashtu, çdo meshtar ka patur lejen e posaçme nga ana e ipeshkvit, që të administrojë edhe sakramentet, si pagëzime ashtu edhe krezmimet.

Është për t’u vlerësuar fakti se bashkëjetesa mes grupeve të misionarëve ka sjellë një klimë të bukur dhe një harmoni të plotë mes tyre, ku përveç çlodhjes nga misioni ditor, të gjithë së bashku kanë bashkëndarë momente të gëzueshme, duke sjellë gëzim e argëtim mes njëri-tjetrit.  Qendrat kryesore të banimit për misionarët kanë qenë shtëpia famullitare në Pukë, shtëpia e motrave në Fushë –Arrëz, shtëpia e famullisë në Dardhë të Pukës si dhe shtëpia e motrave në Dushaj të Tropojës, të cilët meritojnë një falenderim të veçantë që kanë hapur dyert e zemrës dhe të shtëpisë për misionarët.

Për të gjithë ato që përjetojnë këto momente si misionarë jetojnë një eksperiencë të mrekullueshme në shpalljen e Ungjillit dhe në kujdesin ndaj besimtarëve.  Ndaj dhe ky mision ka një vlerë të madhe shpirtërore për të gjithë.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here