E diela e parë e Ardhjes 29. 11. 2020, që shënoi fillimin e kohës së shenjtë në pritje të Lindjes së Jezusit, për Misionin Katolik të famullive Blinisht dhe Gjadër, shënoi dhe ardhjen e famullitarit të ri, misionarit italian nga Milano, dom Alberto Galimberti.
Me këtë rast, Ipeshkvi i Sapës, Shkëlqesia e Tij, Imzot Simon Kulli, ishte i pranishëm në këto famulli dhe kremtoi Meshën Shenjte, përmes së cilës bëri dhe hyrjen zyrtare të dom Albertit, i cili do të zëvendësojë famullitarin aktual, dom Enzo Zago, që shërben në këto famulli prej 13 vitesh.
Imzot Simoni falenderoi mikun dhe vëllain, ipeshkvin e Milanos, Imzot Mario Delpinin, i cili duke iu përgjigjur nevojave tona baritore, tregon bashkëpunimin mes dy dioqezave motra, që përmes vazhdimësisë së shërbimit shprehet natyra baritore e Kishës si dhe zhvillimi dhe përparimi shpirtëror i besimtarëve.
Famullitari i ri dom Alberto në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se jam shumë i kënaqur që gjendem në këtë tokë martire, dhe së bashku me ipeshkvin e vendit dhe me besimtarët e kësaj zone do të vazhdoj në rrugën e parardhësve të mi misionarë – tha ai, dom Antonio Sciarra dhe dom Enzo Zago.
Sipas marrëveshjes mes ipeshvinjëve, Dom Alberto do të jetë i shoqëruar nga dom Enzo Zago, për një periudhë 6 mujore, ku së bashku do të vazhdojnë shërbimin në 6 fshatrat e këtij misioni, duke e ndihmuar edhe për të mësuar gjuhën shqipe.
Violeta Marashi