Ashtu si në mbarë botën, Java e Madhe filloi me kremtimin e të Dieles së Larit, edhe në Dioqezën e Sapës, një ngjarje mjaft e rëndësishme kjo për të gjithë të krishterët, që shënon Hyrjen e Krishtit në Jeruzalem.
E kremtja e kësaj dite filloi me bekimin e larit dhe procesionin e kryesuar nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli me famullitarin dom Mark Shtjefni, ku së bashku me besimtarët mbushën rrugët e qytetit të Vau Dejësit dhe me degët e larit e të ullinjëve u nisën drejt Katedrales Nënë Tereza, për të vazhduar më pas me kremtimin e Meshës Shenjte.
Gjatë solemnitetit të meshës Shenjte nëpërmjet liturgjisë Hyjnore u kujtua historia e mundimeve dhe vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit.
Ndërsa në predikimin e rastit, Imzot Simoni theksoi se, këto dy ngjarje që po kremtojmë sot janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën për shëlbimin e mbarë njerëzimit. Në Krishtin shkëlqen risia e jetës; në Krishtin marrim forcën për të fituar e mposhtur të keqen. Të besosh në fenë e krishterë, nuk do të thotë thjeshtë të pranosh disa të vërteta abstrakte, por të pranosh personalisht Krishtin, për t’u shëlbuar prej Tij e për të hyrë në bashkimin hyjnor, përfundoi Imzot Simoni.
Ndërkohë që kisha na thërret të përkujtojmë këto mistere, dashtë Zoti të kemi një javë të Shenjtë e të frytshme. Duke kujtuar dhe vitin e kaluar ku e gjithë bota me rastin e Pashkëve ishte e mbyllur për shkak të pandemisë botërore të Covid 19, falenderojmë Zotin që u rikthyem në kremtime të tilla. Zoti na haptë mendjen dhe zemrën tonë që të dimë të hyjmë në misterin e vdekjes dhe të Ngjalljes së Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit, dhe në misterin e shumë vellezërve dhe motrave tona që vuajnë për motive dhe shkaqe të ndryshme. E së bashku të ndizet në ne dëshira për lutje, dashuri e bamirësi ndaj të afërmit, jo vetëm gjatë kësaj jave të shenjtë, por edhe në jetën tonë të përditshme.
Violeta Marashi