Dioqeza e Sapës

Selia e vjeter e Sapes ne vitet ' 80 e rrenuar gjate regjimit komunist.
Selia e vjeter e Sapes ne vitet ‘ 80 e rrenuar gjate regjimit komunist.

Dioqeza e Sapës ka një terren të gërshetuar ndërmjet maleve dhe fushave. Selia e kësaj Dioqeze aktualisht ndodhet në qytetin e Vau-Dejësit, ku edhe ndodhet Kisha mëmë, Katedralja së bashku me selinë ipeshkvore. Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës është Shkëlqesia e Tij, Imzot Simon Kulli.

Kufiri i saj fillon me zonën fushore, ndërmjet dioqezave të Shkodrës e të Lezhës. Nga ana veri-perendimore e saj ka si kufi ndarës me Dioqezën e Shkodër-Pult, shtratin e vjetër të lumit Drin.

Në anën jug-lindore kufizohet me Dioqezën e Lezhës dhe të Rrëshenit ku për kufi ndarës ka mbarimin e shtrirjes së fushës së dytë pjellore në vend, për nga prodhimtaria, atë të Zadrimës. Në përbërje të saj janë një sërë fshatrash, që për nga tradita, zakoni dhe veshja i përkasin Dioqezës së Rrëshenit, sikurse janë fshatrat: Kaftallë, Kuzhnen, Rras, Dom, Mesul, Kimëz, Mollkuqe e Armiraj në rrethin e Pukës. Në veri-lindje të saj kjo Dioqezë kufizohet me Shtetin e Kosovës. Në brendësi të hapësirës territoriale Dioqeza e Sapës ka qytetet veri-lindorë të Pukës, Fushë-Arrësit, Kukësit, Hasit dhe Bajram Currit, ose siç njihet ndryshe me emrin e lashtë të saj Tropoja.

Nga Bajram Curri fillon përsëri të zbresë brenda territorit të Shqipërisë në zonën e Lek – Bibajve, pastaj kufi është lumi Drini, duke filluar nga rrethi i Pukës në Qebik, Dardhë, Mzi, Miliska, Poravë, Fierzë, Kokëdodë, Apripë, Mertur, Berishë e Epër, Berishë e Vogël, Berishë Vendi, Midhë, Bushat, Lëvrushk, Qelëz e Buzhalë. Vazhdon me Karmë, Gomsiqe dhe Vau – Dejës.
Ishulli i Shurdhahut që është mbi shtratin e lumit Drin, poshtë Karmës pranë Vjerdhës, është i Dioqezës së Sapës. Kufiri vazhdon me lumin Drin nëpër fushë të Zadrimës, me fshatrat Pistull, Paçram, Mabë, Gjadër, Grash dhe Zojz. Popullsia që shtrihet në zonën fushore është pothuajse e gjitha katolike, duke përjashtuar Mjedën, që pjesën më të madhe të banorëve i ka besimtarë myslimanë.

Vau–Dejës, Deja e Gjadri kanë pak myslimanë. Rrethi i Pukës është më shumë se 85% katolikë. Rrethi i Kukësit, Krumës e Hasit janë pothuajse krejt myslimanë. Në rrethin e Tropojës kemi fshatin Cërrnicë që është krejt katolike. Po ashtu edhe zona e Lek – Bibajve janë të gjithë katolikë. Në pjesën më të madhe territoriale të saj Dioqeza e Sapës është e mbuluar nga zonat malore. Popullsia e këtyre zonave gjendet në një varfëri ekonomike më të theksuar në krahasim me pjesën fushore.

Dioqeza e Sapës deri në vitet 2001 – 2005 ka pasur afërsisht 200.000 banorë. Raporti ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve është afërsisht 50% me 50%. Duhet vënë në dukje emigrimi i brendshëm me zhvendosja e popullsisë, në veçanti në këto 15 vitet e fundit, nga zona e thepisur malore duke u ngulur në zonat rurale të periferive të qyteteve të mëdha, sikurse janë Tirana, Durrësi, Lezha etj. Me siguri se edhe numri i popullsisë ka ndryshuar. Sipas regjistrimeve të fundit që kemi në librat e pagëzimeve, numërojmë rreth 73. 000 besimtarë katolikë.

Sintezë e historikut të Dioqezës së Sapës

Dioqeza e Sapës ka një jetëgjatësi 950 vjeçare. Këtë e vërteton Annuari i Selisë Shenjte në Vatikan, i cili shkruan se themelimi i dioqezës së Sapës është bërë në vitin 1062. Për fat të keq nuk disponojmë të dhëna më të hollësishme në lidhje me këtë datë.
Selia e saj në të kaluarën ka qenë në qytetin e Sapës. Një qytet që ngrihej në brendësi të malit Shën Mëhillit, përballë fushës së Zadrimës ose Sapjanës siç e quan Dom Nikoll Mazreku fushën e Zadrimës. Duke ju referuar librit të Dom Gaspër Gurakuqit me titull “Dioçezi i Sapës” 1941, (vit ky i botimit të librit të tij), shkruan se Helena e Serbisë së bashku me Ipeshkvin e Tivarit i kërkojnë Atit të Shenjtë që qytetin e Sapës, fillimisht bashkë me Zadrimën e poshtme, ta shpallte Dioqezë të re. Ati i Shenjtë e miraton kërkesën dhe Sapa në vitin 1291 shpallet Dioqezë. Ipeshkvi i parë i saj quhej Pjetër. Më vonë, në vitin 1491, Dioqezës së Sapës i bashkangjiten edhe dy dioqezat e tjera kufitare me të: Dioqeza e Danjës dhe ajo e Sardës. Ky bashkim me Sapës Sardës e Danjës u bë nga Papa Eugeni IV.

Sapa nuk ekziston më si qytet, sepse në shek. XIII-të pasi që ajo ishte formuar si Dioqezë, Tartarët, një popullsi e ardhur edhe në Ballkan në atë kohë, e mundën qëndresën e banorëve të qytetit. Pas fitores ata dogjën të gjithë qytetin dhe thuhet se një pjesë e popullsisë së saj u shpërnda përgjatë fushës së Zadrimës. Që nga ajo kohë qyteti s’u bë më, por Dioqeza vazhdoi të mbetej me atë emër dhe vetëm selia ipeshkvore mbeti aty ku ishte i ndërtuar qyteti.
Sot, në ish qytetin e Sapës është vetëm një fshat që quhet Nënshat, domethënë “poshtë Sapës”, “poshtë fshatit” ose “nën fshat”, ose “nën shatë”. Prejardhja etimologjike e saj vjen nga sllavishtja, dhe e përkthyer në shqip do të thotë: nën shat.

Çdo strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë të vetën e cila i përcakton moshën ose vjetërsinë e saj. Njerëzit flasin me paradokse në jetën  e tyre për t’i  treguar gjërat në mënyrë sa më të qartë, me tonalitet, me vlerë dhe me forcë. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës së përsonit ose edhe gjallërisë së tij ose të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër” i atribohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këta dy fjalë janë shprehëse të dy kategorive të veçanta të njeriut, strukturës apo dhe të institucjonit. Këto dy fjalë përshkruajnë vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë jetën në tërësinë e plotë të saj

Kështu mund të flasim edhe për jetën e  institucionit të Dioqezës tonë të Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër. Duke iu referuar “Dioçezi i Sapës” i Dom Gaspër Gurakuqit, ne mund të kemi disa të dhëna të sakta mbi zanafillën dhe shumë të përafruara me realitetin për ecurinë e dioqezës së Sapës që nga themelimi i saj dhe deri në vitin 1941, vit ky i botimit të librit të tij “ Dioçezi i Sapës ”.

Në ditët e sotme, në vendin tonë, flitet shumë për komb dhe për dallimin e tij nga kombet e tjera. Kjo në veçanti ndjehet dhe është shumë më e mprehtë tek ne shqiptarët që ndoshta për arsye se akoma nuk e kemi kaluar fazën e formimit si komb, ashtu siç e kanë kaluar kombet e tjera perëndimorë rrahim vazhdimisht në këtë çështje. Në ditët e sotme ka shumë shtete me qeveri dhe pavarësi të vetën. Përpara 700 – 800 vjetësh nuk ka qenë kështu. Ne kërkojmë të jemi një popull i lirë në trojet tona, por trojet ku kanë banuar të parët tanë përpara dyndjes së sllavëve shtriheshin që nga lumi Danub në Veri dhe deri në Prevezë në Jug.

Duhet thënë se lëvizjet e popullsive dhe pushtimet kanë qenë të shumta dhe të herëpashershme. Të parët tanë kanë ndodhur në kapërcyell të dy perandorive më të mëdha dhe më të fuqishme të kohërave të hershme dhe vendi ynë shpeshherë luante rolin e kufirit, gjë kjo që shkaktonte ndezje të shpeshta luftërash.

 

Kalendar paraprirës

Pas vdekjes së Manuel Komnenit më 1180, Mbretëria e Lindjes që quhej edhe e Bizantit filloi të binte ndjeshëm dhe njerëz të tjerë më të fuqishëm, brenda kësaj perandorie, kërkuan të merrnin në dorë zotërimet e saj dhe ta zhvendosnin qendrën nga Kostandinopoja në vendet e tyre.

Menjëherë, mbreti serb i Rashës, Stefan Nemanja pushtoi shumë prej tokave të mbretërisë së Bizantit dhe kërkoi të vendoste hegjemoninë e tij në këto territore. Në atë rast nuk e pati aspak kundërshtimin e pasuesit të Manuelit, Isak Angelos.

Kështu serbët e Rashës u shtynë anekënd territorit të Shqipërisë.  Përvetësuan Tivarin, Ulqinin, Shkodrën, Durrësin, Beratin, etj.

Nën dinastinë e Nemanjajve, qytetet e pushtuara morën një hov të ri zhvillimi. Tivari p.sh. jo vetëm që pati liri qeverisjeje, por arriti të presë edhe pare të vetën, arqipeshkëvia u zgjerua për së tepërmi me ipeshkëvi të reja, si: me atë të Ballezës, të Dejës, të Kunavjes, të Sapës, të Shkumbinit etj.

Pikërisht në këtë kohë u themelua dhe Dioqezi i Sapës.

Data dhe viti i themelimit të Dioqezës së Sapës nuk kanë qenë të mundshme të dihen deri vonë prej nesh, thotë Dom Gaspër Gurakuqi, mgjs At Danjel Farlati i qe vënë me këmbëngulje kërkimit të dokumentave për “Illyricum Sacrum.”

Por, pas botimit të “Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Eatatis Illustrantia,” të magnatit hungarez Dr. Ludwig Von Talloczy me shokë, e t’ Illyrich Albanische Forschungen” i të njëjtit autor, jo vetëm që jemi të sigurtë për vitin 1291, por kemi edhe disa të dhëna mbi rrethanat që e përcjellin themelimin e saj.

Me sa duket qytetin e Sapës e patën rrënuar urdinat e tartarit Kaduin rreth vitit 1240, urdina të cilat patën rrënuar edhe qytetet e Svaçit dhe të Drishtit në rrethin e Shkodrës.

Por në vitin 1291 në krahinat e Shqipërisë, përbri sllavëve ndjekësit e katolikëve të hershëm të qytetit së bashku me të tjerë të ardhur e përtërinë qytetin e Sapës dhe kërkuan një ipeshkëv. Ipeshkvi iu dha kësaj dioqeze pas lutjeve të mbretëreshës katolike të Serbisë, Helenës dhe të Arqipezhkëvit të Tivarit, në bashkëpunim me urdhërin françeskan dhe domenikan të Raguzës nga papa i atëhershëm Nikolla IV. Dioqeza u quajt Sappatensis dhe ipezhkëvi, Episcopus Sappatensis.

Ipeshkvi i parë i kësaj dioqeze  qe bërë PJETRI, prift, i cili u shugurua ipeshkëv prej Arqipezhkvit të Tivarit, Mikelit, dhe qe pranuar nga papa Nikolla IV me 11 Qershor 1291. Këtu është dhe zanafilla e dioqezës së Sapës.

 

Selia Ipeshkvnore e Sapës në shekuj

Sapa u zgjodh të bëhej ipeshkvi për arsye se ishte një qytet i rëndësishëm i atyre kohërave.

Në kohë të Hahnit, d.m.th. në vitet 1860 qytetit të Sapës i lokalizohej vendi në rrëzë të Malit të Shën Mëhillit dhe në një përshkrim të vitit 1685 thuhet se lokalizohej  përbri malit të Shën Ejllit, ku, në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit dalloheshin akoma disa teprica të vjetra muresh.

Ka shumë mundësi që qyteti të ketë qenë në mes të dy maleve, malit të Shën Mëhillit dhe malit të Shën Ejllit, në një zonë fushore ku i thonë Fusha Frange, te Guri i Sumës në Tanushë, sidomos në lagjen Bardhaj, ku gjendej atëherë ipeshkvia.

Duhet theksuar se mali i Shën Mëhillit dhe mali i shën Ejllit nuk janë dy male por një mal i vetëm. Mali i Shën Mëhillit thirrej ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Mëhillit ndërsa Mali i Shën Ejllit ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Ejllit. Kisha e Shën Ejllit thuhet se ka qenë në majë të Shitës së Hajmelit, ku në kohën që shkruan Dom Gaspër Gurakuqi ka qenë i ndërtuar vetëm një elter dhe disa teprica muresh.

Selia ipeshkvnore e Sapës, përpara ka qenë te Kisha Katedrale e Shën Mëhillit. Përpara më shumë se 100 vjet, në këtë Kishë thuhej mesha me rastin e të kremtes së Kryeengjëllit Mëhill. Kjo Kishë ka qenë famullitare, sepse në të thuhej mesha dhe bëheshin funksionet deri sa një pjesë e pat rrënuar turku pak para ipeshkëvit Gjergj Palma (1583). Këtu kanë qenë edhe varrezat e famullisë së Nënshatit, gjë kjo që vërtetohet se edhe një prej lagjeve të Nënshatit, Skarramani, para 100 vjetësh, i shtinte aty të vdekurit e vet.

Pas kësaj selia ipeshkvnore nguli në Shkrep të Nënshatit, përbri Kishës së Shën Gjergjit, e cila me kohë pati mbetur Kishë Katedrale dhe famullitare.

Ipeshkvi Severini e shpërnguli përsëri ipeshkvinë dhe rreth vitit 1860 e vendosi ku ka qenë funksionale deri në vitin 1967 dhe jo funksionale pas këtij viti dhe deri më sot, pra me fjalë të tjera rrëzë malit të Shën Mëhillit ku pati qenë lagja Bardhaj.

Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur, por selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë dhe në kohën  e Dom Gaspër Gurakuqit numëronte 16 234 katolikë me 22 famulli, 9 në Pukë: Dush, Kçirë, Qelëz, Koman, Iballë, Berishë, Kryezi, Dardhë, Fierzë; 13 në Zadrimë: Laç, Naraç, Hajmel, Nënshatë, Troshan, Blinisht, Kodhel, Gjadër, Dajç, Babë (Mabë), Pistull, Plezhë (Shkjezë).

Ndër famullitë e Pukës, tri zotëroheshin prej Etërve Françeskanë (Berishë, Iballë, Fierzë), si dhe famullia e Troshanit në Zadrimë. Famullitë e tjera, që të gjitha zotëroheshin prej famullitarëve dioqezan të dioqezës. Kodheli administrohej prej famullitarit të Nënshatit, ndërsa Plezha prej atij të Pistullit. Në Troshan ndodhej Kuvendi i Françeskanëve, ndërsa në Nënshatë ai i Stigmatineve. Ishin dy dekanate: një në Dajç për fushën e Zadrimës dhe një në Qelëz për krahinën e Pukës. Selia ipeshkvnore ndodhej si gjithherë në Nënshatë, ku dikur ishte qyteti i Sapës. Statistika më e hershmja që dihet deri më sot është ajo e Shtjefën Gasparit, Vizitator Apostolik (1671) ku përmblidhet se dioqeza e Sapës në atë vit numëronte 1075 shtëpi me 9 226 katolikë. Më vonë kemi statistikat e imzot Borçit (1832 – 1834) ku shkruan se dioqeza ka 2024 shtëpi katolike dhe me 15 492 frymë. Së fundi statistikat e imzot Nevjanit 1893, numëron 17 550 frymë. Duke e krahasuar statistikën e Nevjanit me atë të kohës së Gurakuqit, popullsia duket në mungesë të madhe, gjë e cila s’është e vërtetë, sepse statistika e fundit nuk përfshinte Grykën e Gjadrit, Shllakun dhe Mazrrekun, që pas Nevjanit i’u shkëputën kësaj dioqeze dhe iu bashkangjiten dioqezës së Shkodrës. Në kohën e Nevjanit këto përbënin një popullsi prej 1 213 frymësh.

Në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit, dioqeza kishte një sipërfaqe prej 1 270 km2. Për kufij kishte nga veriperëndimi lumin Drin dhe nga juglindja dioqezat e Mirditës dhe të Lezhës.

Duhet theksuar se, kur qe themeluar dioqeza, nuk ka qenë me këta kufij që përmendëm, por ka qenë shumë më e vogël. Në kohën e themelimit të dioqezës së Sapës qenë formuar dhe dioqeza e Dejës dhe shumë më jetike se këta të dyja ipeshkvia e qytetit të Sardës.

Dioqeza e Sapës në shtigjet e errëta të diktaturës

Siç shihet nga përshkrimi që kemi bërë, dioqeza e Sapës ka një traditë të hershme dhe të lashtë me një histori me mjaft luhatje për shkak të pushtimeve të shumta dhe të gjata. Këtu flitet për pushtimin për afro 5 – shekullorë osman.

Por megjithatë, Zoti e ka ruajtur ndezur dritën e tij në këtë dioqezë që nga themelimi i saj e deri në ditët tona. Siç duket ato që Zoti i do më shumë, i provon edhe më shumë. Kjo frazë nuk ka për qëllim të justifikojë të gjitha ngjarjet negative që kanë ndodhur në dioqezën  e Sapës, por të tregojë se Zoti e ndërton dhe shkruan historinë e tij edhe në vija të shtrembëra dhe pa asnjë lloj shprese për të shkruar në të.

Por historia e një krahine, dioqeze apo edhe vendi nuk mund të merret kryekëput e shkëputur dhe e izoluar në vetvete, pa marrë parasysh dhe historitë e krahinave, dioqezave dhe vendeve që i kufizojnë ato. Ajo histori merr kahet dhe zhvillimet e vendit që i përket dhe vendi merr kahet e zhvillimit në drejtim të vendeve më të forta dhe më me influencë në të.

Kjo gjë vërtetohet më së miri edhe për vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri për afro 50 – vjet.

Gjatë kësaj periudhe kohore, breshëri s’do të ndalonte së godituri Kishën Katolike në Shqipëri në të gjitha dioqezat e vendit pa përjashtim. Sistemi i atëhershëm kërkoi që Kisha të shkëpuste lidhjet me Vatikanin dhe të shpallej Kishë Kombëtare. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe sulmi ndaj Kishës u bë i pashmangshëm dhe i pamëshirshëm në të gjitha dioqezat.

Deri në atë kohë, d.m.t.h, deri me ardhjen e sistemit komunist, feja katolike në këtë dioqezë, kishte marrë një hov të ri dhe një zhvillim të dukshëm. Famullitë ishin të plotësuara me famullitarë qoftë ato në zonën fushore, ashtu edhe ato në zonën malore. Dioqeza ishte pothuajse e plotësuar me Kisha në të gjitha famullitë. Kisha kishte marrë një autoritet jo të imponuar ndër njerëz por të respektueshëm dhe të nderuar, tamam atë autoritet që e ka pasur Krishti në mes të popullit të tij.

Katolikët e atëhershëm ishin të vetëdijshëm dhe të bindur se feja e tyre është një thesar i madh që s’duhej ta humbisnin. Kjo bindje ishte formuar për shumë arsye. Disa prej tyre ishin: mbijetesa shumë shekullore që kishin arritur të bënin nën sundimin turk ipeshkëvinjtë dhe meshtarët të cilët jepeshin me shpirt shërbese dhe me vetmohim për popullin e Zotit që u ishte besuar;  krenaria dhe nderi që nuk e kishin tjetërsuar fenë e tyre dhe bashkë me të ata mendonin se kishin trashëguar edhe kombin e tyre pa u asgjësuar dhe pa u shuar ashtu siç kishte ndodhur me shumë popuj të tjerë. Ata kishin bindjen se feja e krishterë ishte si nënë dhe ata e ndienin veten bij të saj.

Për këtë arsye dhe sulmi që iu bë Kishës Katolike nuk ishte i menjëhershëm por gradual dhe tepër i dëmshëm dhe i rrezikshëm edhe për dioqezën tonë.

Ipeshkvijtë dhe meshtarët më të përgatitur të të gjitha dioqezave akuzoheshin si kolaboracioniste ( bashkëpunëtorë ) që kërkonin të rrëzonin pushtetin popullor. Në shënjestër të rrëgjimit u vunë të gjithë ato që ishin më të përgatitur dhe dyshoheshin që mund të ishin një kërcënim për rregjimin e ri. Ipeshkvijtë dhe meshtarët që dilnin haptazi në mbrojtje të popullit, jo vetëm të pjesës katolike, u goditën të parët. Pastaj të njëjtin fat pësuan gati edhe të gjithë priftërinjtë e tjerë. Ky ishte shpërblimi për punën e bërë dhe djersën  e derdhur që iu bë Kishës Katolike në të gjitha dioqezat. Ipeshkvi i fundit i Sapës, Mons Gjergj Volaj u pushkatua i pari në dioqezën tonë, tamam si bariu që jep jetën për grigjën e vet. Ky qe në shënjestër të regjimit për shkak të predikimit që mbajti me rastin e meshës së dritës të Mons. Gaspër Thaçit, ipeshkëv Metropolit i dioqezës së Shkodrës, i cili vdiq më 1945.

Mons. Gjergj Volaj ishte nga Shiroka. Meshën e parë e tha në vitin 1930. U emërua si famullitar në Mal të Jushit dhe në Shkrel. Kur ishte prift në famullinë e Shkrelit u shugurua ipeshkëv dhe emërohet ipeshkëv i Sapës. Këtë detyrë e merr me 08 gusht 1940, në moshën 35 – vjeçare. Ekzekutohet me vdekje ditën e shën Vlashit martir me 03 shkurt 1947.

Pas ekzekutimit të tij, administrimi i dioqezës së Sapës i kaloi dioqezës së Shkodrës. Radha u takonte meshtarëve më të “rrezikshmëve” të të gjithë Shqipërisë dhe të dioqezës së Sapës po ashtu. Njëra pas tjetrës, famullitë mbeteshin pa meshtarë, sepse meshtarët arrestoheshin dhe dënoheshin me dënime nga më absurdet: dënime kapitale, d.m.th. ekzekutime me vdekje, dënime me burgime të përjetshme, me burgime të gjata, dënime në kampe përqëndrimi, me punë të detyruar, të sforcuara dhe të papërshtatshme. Kjo kohë pasigurie zgjati deri në vitin 1967, vit në të cilin ndalohet rreptësisht me ligj çdo lloj shërbimi fetar. Deri në atë vit regjimi e kishte pastruar mirë lemën e tij prej Kishës. Meshtarët e lirë ishin shumë të pakët në numër, ndërsa në burgje dhe të ekzekutar zinin një ndër vendet e para të “ Listës së Zezë.” Pas këtij viti, sulmi kundër Kishës Katolike u bë i hapur. Ato pak meshtarë që kishin mbetur jashtë burgjeve u burgosen. Të numëruar me gisht kanë qenë meshtarët që nuk kanë bërë burgje të gjata. Pronat e Kishës u shtetëzuan, arkivat e Kishave iu kaluan shtetit. Disa prej Kishave dhe shenjtoreve më në zë për vlerat e tyre historike dhe muzeale u shkatërruan, si:

Kisha e Shën Kollit në Shkodër

Shenjtorja e Zojës së Shkodrës ose e Zojës së Këshillit të Mirë

Shenjtorja e Shna Ndout në Laç të Kurbinit

Kisha e Dejës në Dejë,

e cila ka qenë një pasuri monumentale për kombin shqiptar. Aty mendohet të ketë vënë kurorë Skënderbeu, edhe pse disa studiues thonë se Skënderbeu mund të ketë vënë kurorë në Manastirin e Ardenicës. Kjo Kishë ka qenë një objekt i rrallë dhe i rëndësisë së veçantë për kulturën tonë por është shkatërruar. Ky objekt ka qenë në dioqezën  e Sapës.

Tani, në ditët e sotme, imazhi i saj është vendosur në kartëmonedhën 1000 lekëshe. Në vitin 1967 e në vazhdim të sistemit komunist, janë prishur edhe Kisha të tjera, por më pak. Qëllimi i regjimit ishte të ndalonte sa më shumë grumbullimet e njerëzve që mund t’i dilnin jashtë kontrollit. Shumë prej Kishave u shndërruan në objekte të ndryshme civile,si:

Kisha Stigmatine në Shkodër u kthye në sallë gjyqi, ku është bërë proçesi i gjyqit të shumë priftërinjëve, në kinema;

Kisha e Zemrës së Krishtit në Tiranë, u kthye në burg;

Kuvendi i Fretërve në Gjuhadol, në Shkodër, në magazina;

 Kisha Katedrale në Shkodër, në pallat sporti:

 Në dioqezën e Sapës Kisha e Troshanit dhe Kabashit u kthyen në shkolla, në zyra të nëpunësve të rregjimit, deri edhe në stalla.

 Kemi shembull edhe Kishën e Shenjtes Trini në Piraj e cila u kthye në zyre e magazinë.

 

Pas vitit 1967 shërbimet fetare kryheshin në mënyrë ilegale. Njerëzit kërkonin priftërinjtë që të pagëzonin fëmijët e tyre. Ata shtegtonin fshehtas në vendet ku kishin qenë Shenjtorja e Shna Ndout në Laç të Kurbinit dhe në vendin ku kishte qenë Shenjtorja e Zojës së Shkodrës, lutnin Zotin nëpër shtëpitë e tyre, festonin sipas zakonit me miq festat fetare të pajtorit të famullisë së tyre etj. Në krye të çdo varri vendosnin kryqe duke ia besuar Krishtit të kryqëzuar të vdekurit e tyre.

 

Ringjallja

Ardhja e demokracisë e gjeti dioqezën e Sapës të rrënuar dhe të shkatërruar thuajse plotësisht.

Data 4 nëntor 1991 shënon pikërisht fundin e regjimit dhe ardhjen e demokracisë. Në Kishën e varrezave të Rrmajit në Shkodër thuhet Mesha e Parë pas diktaturës komuniste nga Dom Simon Jubani. Në atë kremtim marrin pjesë më shumë se 50 mijë qytetarë. Që nga ajo ditë edhe fetë mundën të marrin frymë lirisht. Kisha në të gjitha dioqezat ishte në një gjendje të mjerueshme. Çfarë kishte lënë pa prishur dhe pa shkatërruar regjimi e kishte prishur dhe shkatërruar koha.

Gjendja e dioqezës së Sapës ishte shumë e ndryshme nga ajo e vitit 1945, vit kur zyrtarisht regjimi merr në dorë pushtetin.

Në këtë datë dioqeza e Sapës ashtu si e gjithë Kisha në Shqipëri u gjend e rrënuar dhe e shembur plotësisht. Prej shumë priftërinjëve që kishte pasur dioqeza e Sapës, numërohej i gjallë vetëm Dom Jakë Zeka nga Baqli, Mons Nikollë Troshani, nga Troshani, ipeshkëv i Mirditës gjatë kohës së regjimit deri në vitin 1967, dy motra stigmatine në Troshan dhe një në Pistull. Gjendja e Kishave linte shumë për të dëshiruar. Selia ipeshkvnore kishte arritur të mbijetone deri në fundin e diktaturës, e lënë në mëshirë të fatit dhe të kohës. Ipeshkëv nuk kishte dhe famullitë ishin të zbrazura totalisht, d.m.th. pa meshtarë.

Besimtarët ishin tepër të etur dhe të ankthshëm për ti parë edhe një herë të hapura dyert e Kishave. Dita e kremtimit të asaj meshe ka pasur emocjone të veçanta jo vetëm për ata që morën pjesë por edhe për të gjithë të tjerët.  Kjo ishte një ngjarje historike për krejt Shqipërinë. Njerëzit kishin shkuar për të marrë pjesë jo vetëm se donin të hapnin ndrydhjen e gjatë por edhe  sepse katolikët i kishte marrë malli për të parë, të paktën një herë në jetën e tyre, meshtarë duke celebruar meshë.

Edhe besimtarët e dioqezës sonë kërkuan që, tani që feja ishte liruar, të rregulloheshin nga Kisha, me sakramente. Shumë prej tyre vraponin për t’i gjetur vetë meshtarët e mbijetuar që t’ u shkonin nëpër shtëpia dhe nëpër fshatrat e tyre për t’i pagëzuar, krezmuar, kurorëzuar e  për t’iu bekuar shtëpitë.

Pas kësaj ngjarje historike, misionare të ardhur kryesisht nga Italia dhe Kosova vërshuan në Shqipëri. Disa prej tyre u vendosën edhe në dioqezën tonë, si në Dajç, Blinisht, Nënshat, Vau – Dejës, Pukë, etj. Secili prej tyre filloi të punojë me entuziazëm duke mos pyetyr shumë për vështirësitë që hasnin në shpalljen e Ungjillit. Ky lloj aktiviteti zgjati deri në ngjarjen tjetër historike për kombin shqiptar të të gjitha kohërave.

Me 25 Prill, 1993, Ati i Shenjtë, Papa  Gjon Pali i II viziton tokën e njomur dhe të etur shqiptare. Me atë rast, Ai shuguron 4 ipeshkvij, për dioqezat më kryesore të Shqipërisë. Ipeshkvi i Shkodrës, Mons. Frano Illia, nga Jubani i Shkodrës, emërohet edhe me detyrën e Administratorit Apostolik të Sapës. Me ardhjen e tij në seli të Shkodrës, ky kërkoi që të organizojë aq sa ishte e mundur pastoralin edhe në dioqezën  e Sapës. Gjthashtu kërkoi të koordinojë punën me të gjithë misjonarët që ishin të pranishëm dhe që vepronin edhe në atë kohë në dioqezën e Sapës.

Ndër veprat e para që kërkuan të bëjnë të gjithë misjonarët që erdhën në dioqezën tonë ishin, shërbesa eukaristike në sa më shumë fshatra që të ishte e mundur, ardhja në ndihmë varfërisë ekstreme që kishte kapluar vendet ku ata ishin vendosur, ndërtimi i Kishave që ishin shkatërruar gjatë rregjimit, dhe i Kishave të reja. Këto ishin urgjencat që paraqiteshin.

Ardhja e tyre u erdhi shumë në ndihmë vendeve ku ato u vendosën e në të njëjtën kohë e thirrën  në apel kujtesën e më të moshuarve që kishin jetuar kohën e Kishës përpara se ajo të mbyllej. Tani Kisha ishte postkonçiljare dhe funksionet fetare që kryenin meshtarët ishin ato të paskoncilit. Në fillim njerëzit patën pak vështirësi t’i pranonin misjonarët sepse kishin frikë mos pranonin shizmatikë dhe heretikë, dmth rryma e sekte që ishin të ndarë nga Kisha Katolike Romake, por gradualisht u mësuan pasi u bindën se misionarët janë vërtetë të Kishës Katolike. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dioqezat e tjera të vendit.

Nën administrimin e dioqezës nga ipeshkvi i Shkodrës, Mons Frano Illia, kanë nisur ndërtimet dhe rindërtimet prej misionarëve shumë Kisha dhe objekte të tjera me karakter socjal për banorët. Shtegtimi në Kishën e Shna Ndout në Laç të Kurbinit nuk është lënë në harresë prej besimtarëve të dioqezës por është ushqyer edhe më shumë.

Pas vdekjes së Mons Frano Illisë më 1997, ipeshkëv i Shkodrës dhe njëkohësisht Administrator i Sapës bëhet Mons Angjelo Masafra. Ky ipeshkëv kërkon të ridimensionojë organizimin e Kishës për të dyja dioqezat.

Nën adminstrimin e Shkodrës, Sapa, pjesa fushore e saj mbulohej pothuajse e gjitha me funksjonet fetare, pjesa malore, vetëm në disa famulli të veçanta, si në Pukë, Kçirë, Fushë – Arrës, Iballë dhe Dushaj.

Duke pasur selinë në Shkodër, dioqeza e Sapës kishte një disavantazh për arsye se ipeshkëvi i Shkodrës e kishte të vështirë të mbulonte edhe një dioqezë tjetër. Prandaj ishte e nevojshme që dioqeza e Sapës të kishte ipeshkvin e vet ose të të paktën Administratorin e vet.

Kështu me kërkesën e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Selia e Shenjtë kishte menduar që t’u japë dioqezave të Sapës, Lezhës dhe Rrëshenit Administratorët e tyre Apostolikë. Selia e Shenjtë e pranon kërkesën dhe me 06 Janar të vitit 2000, Vit Jubilar për krejt Kishën Katolike, ipeshkëvia e Sapës ka Administratorin e saj Apostolik, Mons Dodë Gjergji. Po ashtu edhe ipeshkëvitë e tjera.

Dom Kastriot Gjoka