Don Robert Kola

Nën(ë) dhén u-fshehe,

si një Diell tani,

dhe i vdekur perëndove

në varr të zi,

po u-ngrer i buzëqeshur Shpëtimtar.”[1]

Ndër të gjitha qeniet që hasim në jetë, vetëm njeriu e ka aftësinë dhe prirjen të besojë në ngjallje. Çka e shtyn atë (njeriun) të besojë në jetë edhe në jetën përtej vdekjes, apo thënë me saktë në ngjallje! S’do mend se përmallimi i njeriut për pavdekësi është një etje e pashuar që përshkon dhe e cilëson shpirtin dhe gjakimin e tij. Pra, dashuria shfaq gjakimin më të thellë të njeriut për amshimin. Çfarë kuptimi do të kishte sikur të përmbushej vetëm gjakimi i shpirtit e jo edhe i mishit dhe trupit të njeriut për amshimin? Sa thellë e hetoi këtë gjakim të njeriut një mendimtar i kohës sonë, kur thotë: “Shpirti im me gjakimet e tij, ashtu si mishi dhe gjaku duhet të shëlbohet […] Ndoshta mund të themi: vetëm dashuria mund të besojë në Ringjalljen. Ose: është dashuria e cila beson në Ringjalljen.”[2]

Kjo pritje e gjakimit të shpirtit, mishit dhe trupit u përmbush vetëm përmes Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pikërisht ngjallja e Jezu Krishtit është përkryerja e dashurisë. Ajo e shuguron natyrën njerëzore përmes zjarrit dhe dritës së Lavdisë së Hyjit. Shkëlqimi i dritës së Ngjalljes përshkon natyrën e njeriut dhe mbarë rendi i krijimit ripërtërihet. Së këndejmi, Ngjallja, si tallaz i valës së re, e kredh krijesën në thellësi të pambaruara të lavdisë.

Kjo njëmendësi shprehet veçmas përmes liturgjisë së Kishës. Duke e kundruar misterin e kryqëzimit dhe kraharorin e shporuar të Krishtit, ajo heton larjen – pastrimin e ri që e përfshin tërë kozmosin, sikur një pagëzim i ri.

Në ritet e së Premtes së shenjtë, duke kundruar misterin e Kryqit, ndër të tjera, këndohet në Kishë:

“Posi dallga gufon gjaku,

toka, deti,  yjet e bota

ja po lahen në atë lumë.”[3]

Dhe në vargjet e tjera vazhdohet:

“N’ heshtë kraharorin ja shporuan,

prej kah ujë e gjak si gurra

ra mbi tokë me tallaz t‘vetin

pastroi qiellin e pastroi detin.”[4]

Në himnin e Kishës: “Exultet”, në Vigjiljen e Ngjalljes, Liturgjia ngrihet (shpërthen) në harenë e kremtimit, bashkohet me zërin e koreve engjëllore të përmbushura (edhe ato) me frymën e ngjalljes, dhe kumbon buria e shëlbimit, qoftë në qiell, qoftë në tokë:

“Le të shpërthejnë tani në hare

çetat engjëllorë të qiellëve

le të galdojnë mbarështuesit e Hyjit;

dhe për fitoren e mbretit kaq të madhërishëm,

le të kumbojë me gëzim buria e shëlbimit.”[5]

Ngjalla është kënga e re përmes së cilës ndodh eksodi i krijesës në Lavdinë e Hyjit. Liturgjia e apokalipsës shquan gjithë doksologjinë e saj rreth “Qengjit të flijuar. ”Ai (qengji) “është simboli i mbretërisë, simboli i shekullit të ri, i mbretërisë përfundimtare, të amshuar dhe të pashkatërrueshme […] Lavdeve të engjëjve rreth fronit dhe të udhëheqësve i bashkëngjitet dhe ai (lavdi) i mbarë gjithësisë. Gjithësia e dukshme bashkohet në lavdërim me gjithësinë e çetave engjëllore, duke brohoritur së bashku:

‘Atij që rri në fron dhe Qengjit:

Bekim, nder e pushtet

në shekuj të shekujve!’(Zb 5, 13).

Edhe gjithësia e dukshme thur lavde në trajtën e brohoritjes, duke u bashkuar me engjëj të panumërt; lëvdon ‘atë që rri në fron’ dhe ‘Qengjin’. Lavdet e filluara nga engjëjt rreth fronit përfundojnë në krijesën e dukshme dhe lavdi i saj përforcohet nga Amen-i i engjëjve.”[6]

Ngjallja e Jezu Krishtit është edhe buzëqeshje e ëmbël e Lavdisë së Hyjit, e cila çel mu në zemrën e krijesës: “Bukuria e krijesës është buzëqeshja e butësisë që Krishti na drejton përmes materies.”[7]

Pra, Ngjallja është lartësimi dhe përkryeja e pambaruar e dashurisë për arsye se “Dashuria qëndron vetëm aty ku ajo ripërtërihet në mënyrë absolute.“[8] S’ka ripërtëritje të dashurisë pa shenjtëri. Ripërtërija e dashurisë rimëkëmbët vetëm përmes shenjtërisë. Në Prefacionin e Ngjalljes, Kisha këndon:

“Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin na ripërtërihet jeta.”[9]

Vepra e ngjalljes është, po ashtu, edhe më e përsosur së vepra e krijimit. Në Vigjiljen e Ngjalljes, që është nëna e të gjitha vigjiljeve, gjatë lutjeve të shërbesës së Fjalës, Kisha, thotë edhe këtë lutje:

“O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

Ti je i mrekullueshëm në të gjitha veprat e tua:

bëj që bijtë e tu që i ke shëlbuar të kuptojnë

se krijimi i botës në fillim ishte vepër e shkëlqyer,

por më i shkëlqyer ishte, në plotësinë e kohës,

shëlbimi i tyre me flijimin e Krishtit, Pashkëve tonë.”[10]

Në Vigjiljen e Ngjalljes, përmes një predikimi të lashtë që vjen nga tradita e saj, Kisha e shpalos misterin tronditës që ajo e kremton. Me ngjyrime dramatike, Kisha paraqet ngjarjen dhe veprën e shëlbimit, si një breviar që përmbledh gjithë misterin: “Krishti duke marrë për dore Adamin e vdekur, i drejtohet atij: Zgjohu, ti që po fle, ngjallu prej të vdekurish, e Krishti do të shndrisë. Unë jam Hyji i yt, që për ty jam bërë biri yt; që për ty e për këta, të cilët prej teje e patën prejardhjen, tani po flas, e në pushtetin tim po u urdhëroj atyre që ishin në burg: Dilni! Dhe atyre që ishin në errësirë: Ndriçohuni! Dhe atyre që ishin të vdekur: Ngjalluni! Ty po të urdhëroj: Zgjohu ti që po fle! Vërtet, nuk të krijova që të mbetesh i burgosur në Nëntokë. Ngjallu nga të vdekurit. Unë jam jeta e të vdekurve. Ngjallu, vepër e duarve të mia! Ngjallu shëmbëllesa ime, e bërë në përngjasimin tim! Ngjallu, të dalim prej këndej! Ti në mua e unë në ty jemi të një natyre të vetme e të pandashme. Për ty unë, Hyji yt, jam bërë biri yt. Për ty unë Zoti e kam veshur natyrën tënde prej shërbëtori. Për ty unë, që rri përtej lartësive qiellore, kam ardhur në tokë dhe në Nëntokë. Për ty, njeri, kam marrë pjesë në dobësinë njerëzore […] Vështroji, në fytyrën time, pështymat që unë pranova për hatrin tënd, që të të kthej në atë frymë të parë jetëdhënëse. Shiko në faqet e mia shuplakat që durova për ta kthyer përsëri në përngjasimin tim bukurinë tënde të humbur […] Çohu, të largohemi prej këtej. Armiku të dëboi nga toka e parajsës, ndërsa unë nuk të kthej më në  atë kopsht, por të vendos mbi fronin qiellor. Të qe ndaluar të prekësh pemën simbolike të jetës, por unë që jam jeta, të jap vetveten.”[11]

Gjaku i derdhur i Jezu Krishti në Kryq, shfaq planin e shpëtimit të Atit, i cili u pranua nga Ati, jo pse “Hyji e kërkonte, apo pse kishte nevojë, por për shkak të ekonomisë së shpëtimit, nga çasti që njeriu duhej të shenjtërohej përmes njerëzisë së Hyjit (ἁγιασθῆναι τῷ ἀνθρωπίνῳ τοῦ θεοῦ τόν νθρωπον).”[12]

Ngjalla e Krishtit është shenjtërorja dhe burimi i shenjtërisë së njeriut. Rruga e shenjtërimit të njeriut është mishi i tij, të cilin ai e mori përmes Mishërimit. Shën Augustini e hetoi këtë të vërtetë në mënyrë të thellë: “Do ta shohim faqe-faqas. […] E Gjoni apostull në letrën e vet shton: Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet ai, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është (1 Gjn 3, 2). Ky është premtim i madh. Në qoftë se e do, ndiqe. Ti thua e dua, por nëpër cilën udhë duhet ta ndjek? […] Po e kërkon udhën? Dëgjoje Zotin që thotë më se pari: Unë jam udha. […] Udha për të shkuar ku? Tek e vërteta dhe jeta. Më se pari të tregon udhën që duhet të marrësh, e pastaj qëllimin që do ta arrish. ‘Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta’. Duke qëndruar tek Ati, ishte e vërteta dhe jeta; duke u shfaqur në mishin tonë, u bë udha.[13]

Më pak fjalë, Ngjallja është sythi që bulëzon dashurinë e Hyjit në mishin tonë. Në kremtimin e Vigjiljes së ngjalljes, besimtarët ushqehen me misteret e ngjalljes që dikojnë në ta Shpirtin e dashurisë dhe i bën të përkojnë e të njësohen në dashurinë e të Ngjallurit.

“Na ndiko, o Zot, Shpirtin e dashurisë sate,

dhe bën që, ata që i ushqeve me misteret e Pashkëve

të jetojnë në përkim me dashurinë tënde.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.”[14]

Në kremtimin e liturgjisë, pra, asambleja është vendi: “ubi floret Spiritus” (Traditio apostolicae, nr. 35). Sythi i dashurisë i të Ngjallurit përmes epiklezës së Shpirtit të Shenjtë në liturgjinë e Kishës, tejfiguron dashurinë në shujtën e Mbretërisë qiellore. Eukaristia është përflakje e dashurisë në dritën dhe zjarrin e të Ngjallurit.

[1] TROIDI DHE PESËDHJETORJA, E Shtuna e Madhe, Shërbesa e Epitafisë, përktheu Imzot Fan Stylian Noli, E Botoj Peshkopata e Amerikës, Boston, Mass., 1952, f. 249.

[2] LUDWIG WITTGENSTEIN, ‘Vermischte Bemerkungen’, në Werkausgabe, Vëll. 8. Frankfurt 1990, f. 495. Cituar sipas Th. SCHÄRTL, Aspektet metafizike të konceptit të ringjalljes, në Fjala Hyjnore, Prishtinë (2007) 2, f. 141.

[3] Meshari Romak, Himni i Kryqit të shenjtë, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Tiranë 2014, f. 259.

[4] Po aty.

[5] Meshari Romak, Himni. Lajmi i gëzueshëm, f. 271.

[6] E. PETERSON, Il libro degli angeli, Roma 1989, f. 22.

[7] S. WEIL, Attesa di Dio, Milano 1972, f. 125.

[8] G. MARCEL, Giornale metafisico, Roma 1966, f. 110

[9] Meshari Romak, f. 445.

[10] Po aty, f. 287.

[11] Nga një predikim i lashtë i Kishës: Mbi të Shtunën e Madhe Liturgjia e Orëve II, Qendra Don Bosko, Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 415t.

[12] GREGORIO DI NAZIANZO, Tutte le Orazioni, përkth., në it., C. Moreschini, Bompiani, Il Pensiero Occidentale, Milano 2002, f.1161.

[13] SHËN AUGUSTINI, Nga traktatet mbi Gjonin, Liturgjia e Orëve II, f. 228.

[14] Meshari Romak, f. 298.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here