CURRICULUM VITAE MONS. SIMON KULLI
Mons. Simon Kulli, ka lindur me 14.02.1973 në fshatin Pistull të rrethit të Shkodrës. U pagëzua nga Motër Maria Kaleta në vitin e parë të lindjes së tij, 1973. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje.
Me 2 shkurt 1992 është pranuar në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, ku kreu dy vite parapërgatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.
Në vitin 1994 fillon studimet e Filozofisë.
Shugurohet diakon me 14 shtator të vitit 1999, në Katedralen e Shkodrës nga Arqipeshkvi i Shkodër Imzot Angelo Massafra. Përvoja e tij baritore në periudhën e Diakonatit qe e ndarë në dy realitete: gjashtë muaj shërbeu në famullinë e “Shën Shtjefnit” në Shkodër, me famullitar Mons. Lucjan Avgustinin, dhe katër muaj të tjerë shërbeu në famullinë “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës (Lezhë), nën kujdesin e famullitarit dom Injac Dema.
Në vitin Jubilar 2000, me 29 qershor, përmes shtrirjes së duarve të Arqipeshkëvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, shugurohet meshtar në Katedralen e Shkodrës së bashku edhe me katër meshtarë të tjerë shqiptarë. Këta qenë shugurimet e para meshtarake pas periudhës së egër të regjimit komunist në Shqipëri.
Pas shugurimit meshtarak, emërohet Sekretar dhe Kancelar i Dioqezës së Sapës, me ipeshkëv Imzot Dodë Gjergjin, dhe njëkohësisht ndihmës famullitar në Dajç të Zadrimës (2000-2004).
Nga viti 2004 e deri në vitin 2007, me dekret të Ipeshkvit Mons. Dodë Gjergji, emërohet Famullitar i Katedrales e Lumja Nënë Tereza, në famullinë e “Shën Nikollit” në Vau-Dejës. Në të njëjtën periudhë mbuloi edhe detyrat si Ekonom i Dioqezës dhe Drejtor i Caritas-it Dioqezan SAPA.
Në vitin 2007, me ardhjen e Ipeshkvit të ri, Imzot Lucjan Avgustinit, riemërohet po me të njëjtat detyra të mëparshme në Dioqezë si: Kancelar, Famullitar i Katedrales Ekonom dhe Drejtor i Caritas-it.
Në 2012 pas ndërtimit të Shtëpisë së Bamirësisë, dom Simoni merr detyrën e Përgjegjësit të kësaj shtëpie.
Me kalimin në amshim të Bariut të Dioqezës Imzot Lucjan Avgustini, në maj të vitit 2016, dom Simon Kulli zgjidhet Administrator Dioqezan i Sapës.
Me datën 15 qershor 2017, në solemnitetin e Korpit e të gjakut të Krishtit, Ati i Shenjtë Papa Françesku e emëroi për Ipeshkëv të Dioqezës Sapës. Shugurohet Ipeshkëv me 14 shtator 2017 në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës në Vau-Dejës. Që në rithemelimin e Dioqezës së Sapës në vitin 2000. Dom Simon Kulli ishte krahu i djathtë i ipeshkvinjëve paraardhës dhe themelues i ringritjes së Strukturave Dioqezane.
Violeta Marashi