ETËRIT KAPUÇIN – NËNSHAT
Dioqeza e Sapës u afirmua falë ardhjes së misionarëve nga vendet e ndryshme të botës, që mësyen këtë dioqezë për të shërbyer në çdo fushë duke dhënë kontributin e tyre maksimal për ringritjen e saj si në anën shpirtërore ashtu edhe në fushat e tjera të jetës së besimtarëve. Një ndër këto misionarë është edhe bashkësia e Etërve Kapuçin.
Kapuçinët e parë në Shqipëri erdhën në vitin 1993, nga Provinca e Puglias – Itali, dhe u vendosën në Nënshat të Zadrimës. Ishte muaji maj i vitit 1993, kur Provinciali i asaj kohe, fra Lorenzo Invidia dhe sekretari provincial, fra Benito De Caro, u nisën me traget nga Bari për në Shqipëri për të parë se ku duhet të fillonte prania misionare e Etërve Kapuçin. Dhe më vonë, provinciali nisi misionarin e parë në tokën shqiptare, at Sergio La Fogia, i cili pas ndihmës që i dhanë Dom Injac Dema dhe etërit Rrogacionistë, vendosi që të hapte misionin në Nëshat. Por, së pari, me 29 shtator të vitit 1993, në festën e Shën Mëhillit, Atë Sergio pasi kishte qëndruar 20 ditë me d. Injacin, kremtoi për herë të parë meshën Shenjte në gjuhën Shqipe. E kështu për 9 muaj, Atë Sergio është bujtur pranë shtëpisë famullitare në Dajç të Zadrimës. Pastaj filloi organizimin e punës baritore në fshatrat Nënshat, Hajmel dhe Dheu – Lehtë. Në fillim, rikonstruktoi Kishën e parë, ish qelën e vjetër në Nënshat dhe shtëpinë ku kishte për të jetuar.
Pas një viti, me ardhjen edhe të dy fretërve të tjerë, at Bonaventura Mossuto dhe fra Angelo Argese, misioni i Etërve Kapuçin filloi të merrte një hov të ri, si nga ana shpirtërore me besimtarët ashtu edhe në objektet e kultit. Filloi një stinë e rimarrjes, e ristrukturimit e ndërtimit, e punës apostolike dhe e ecjes thirrore. Në vitin 1995, Etërit vendosën që të hapej një shtëpi tek kisha Shën Maria Madalenë, në Tarabosh në Shkodër, e cila shërbeu për të mikpritur një grup të rinjsh që dëshironin për të jetuar një përvojë vëllazërore përmes lutjes dhe për të soditur thirrjen. Po në vitin 1995, restauruan edhe ish pallatin e kulturës në Hajmel, duke e kthyer të përshtatshme për kishën e kësaj famullie. Në fillimin e vitit 1996, Etërit Kapuçin ndërtuan Kuvendin e tyre në Nënshat dhe në Shkodër. Në vitin 1998 filluan punimet për ndërtimin e kishës në fshatin Dheu-Lehtë, e cila u inaugurua më 7 dhjetor 1999, dhe iu kushtua Shën Farës. Ndërkohë që edhe në Hajmel ndihej nevoja për një kishë tjetër më të madhe, pasi shtëpia e kulturës që përdorej si kishë ishte tepër e vogël në krahasim me numrin e madh të besimtarëve. Dhe në nëntor të vitit 1998 filluan punimet për ndërtimin e Kishës së re e projektuar nga at Sergio La Fogia, dhe u shugurua më 26 tetor 2002, kushtuar apostujve, Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Në vitin 2000 filluan punimet për ndërtimin e një ambulance në fshatin Nënshat, e cila u përfundua në vitin 2008. Gjithashtu, në Nënshat u ndërtua edhe kisha kushtuar Shën Mëhillit, e cila pati fatin të shugurohej në vitin Jubilar të Dioqezës së Sapës, me 29 shtator 2012.
Që nga viti 1993 e deri në ditët e sotme, Etërit Kapuçin kanë punuar shumë në çdo fushë dhe në çdo kujdes për besimtarin. Veprimtaria e tyre baritore shtrihet gjithandej brenda territorit të dioqezës Sapë, si në Nënshat, Hajmel dhe Dheu-Lehtë, ashtu edhe në zonën malore Gjegjan-Kalivar. Një pjesë të misionit të tyre, Etërit Kapuçin e kanë shtrirë edhe në fushën sociale dhe shoqërore, ku ndihmojnë familjet në nevojë dhe komunitetin Rom. Vlen të përmendet që për këtë komunitet kanë hapur edhe shkollën fillore pranë kuvendit kapuçin në Shkodër.
Gjithashtu brenda Urdhërit të Etërve Kapuçin, falë Zotit kanë lindur edhe thirrje të reja shqiptare, si At Prel Syla, At Reoland Marku dhe fra Gjon Shtjefni, të cilët vazhdojnë misionin në atdheun e tyre. Aktualisht tashmë në Shqipëri ndodhen për mision 5 Etër Kapuçin misionarë : Fra Bonaventura Mossuto, Fra Matteo di Secli, Fra Andreas Waltermann Fra Giuseppe Lanzelloti dhe Fra Dario Ardillo. Ashtu si vetë karizma e tyre, me thjeshtësi, varfëri e dashuri, Etërit Kapuçin tashmë kanë një mision të konsiliduar që rritet e forcohet çdo ditë në tokën shqiptare, duke i shërbyer këtij vendi për nder e lavd të Zotit tonë Jezu Krishtit.
Misioni i etërve kapuçin i pati fillimet e tij nga misionari i parë, Atë Sergio La Fogia, i cili në ditarin e tij shkruan: “Të falenderoj, o Zoti im, sepse në Shqipëri më dhe mundësinë që të punoj jo vetëm për gjërat materiale, por mbi të gjitha për ato shpirtërore. Më dhurove shumë: njëqindfish! Dhe, edhe një herë më kërkove të të lë; unë jam i kënaqur ta rikthej këtë mirësi pa ankesa. Jam i kënaqur që kam punuar në këtë tokë pa interes, që kam vënë në punë dhuratat natyrore dhe hirin që Ti më ke dhënë. Falë Teje kam arritur të bëj çfarë sot u lë të tjerëve, por gjithmonë jam i pasur me dashurinë tënde”.