Në ditën e Shën Gjon Pagëzuesit, Dioqeza e Sapës dhe bashkësia famullitare e Pukës gëzoi jo vetëm në përkujtimin e këtij shenjti, por edhe në festën e Shugurimit të Kishës kushtuar Shën Gjonit në Pukë. Me gëzim të madh e të papërshkrueshëm, qindra besimtarë shtegtuan drejt këtij qyteti malor, për të marrë pjesë në këtë ceremoni të shenjtë, ku për herë të parë ndërtohet një kishë në qytetin e Pukës.

Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me Nuncin Apostolik, Imzot Luigi Bonazzi, me të gjithë Ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe 45 meshtarëve të pranishëm, si dhe ish famullitari dom Giovanni Fiochi, i ardhur nga Italia enkas për këtë ditë. Në këtë kremtim ishin të pranishëm autoritetet civile vendore, bamirësit dhe mbarë populli i Zotit.

Menjëherë pas fillimit të Meshës, i zoti i shtëpisë, Imzot Simon Kulli me gëzim në zemër ju uroj mirëseardhjen të gjithëve duke shprehur mirënjohje të madhe kundrejt Hyjit, donatorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë dashamirës, për të cilin gjendemi sot në këtë tempull që do të shugurohet krejtësisht për Hyjin.

Ndërsa në predikimin e rastit, Imzot Simoni tha se është puna, mundi dhe ndërmjetësimi i shumë personave që shpaloset sot para syve tanë, si shenjë e manifestimit të Zemrës së Zotit për ne dhe në veçanti për bashkësinë e besimtarëve këtu në Pukë, të cilët tashmë gëzojnë për kishën e re të ndërtuar në nder dhe lavd të të Madhit Zot, e cila shënon dhe një fletë të re në historinë e ndërtimit të tempujve ku adhurohet Zoti. E duke vazhduar më tej, ipeshkvi tha se ne jemi një familje, familja e të pagëzuarve, e cila mblidhet rreth altarit – tryezës së Eukaristisë për t’u ushqyer prej të njëjtës bukë, që zbriti prej qiellit për të na ushqyer për jetën e amshuar. Prandaj kjo kishë e kësaj famullie, qoftë për të gjithë ju të dashur besimtarë, shenjë treguese dhe kujtuese e amshimit, e pafundësisë, duke e lidhur kështu tokën e mundimeve tuaja të përditshme me lumturinë e amshuar, për të cilën jemi të krijuar të gjithë ne – përfundoi Imzot Simoni.

Gjatë ritit solemn të Shugurimit të kishës së re, e cila ishte e mbushur me ndjenja gëzimi dhe lutjeje, Ipeshkvi bëri bekimin e mureve të tempullit të ri, që bekimi i Zotit të zbresë mbi popullin e krishterë. Më pas vazhduan ritet e lyerjes, kemimit, mbulimit dhe të shndritjes së elterit të cilat shprehin me shenja të dukshme disa aspekte të asaj vepre të padukshme që Zoti ushtron nëpërmjet Kishës, kur ajo kremton misteret hyjnore e në mënyrë të veçantë Eukaristinë.

Në përfundim të kësaj ceremonie, përshëndeti edhe Nunci Apostolik, i cili shprehi gëzimin e tij për këtë vepër të mrekullueshme të realizuar, por përcolli edhe përshpirtërinë, lutjen dhe dedikimin e Atit të Shenjtë Papa Françeskut.

Sigurisht që në momentin e falenderimeve, nuk munguan edhe fjala e Famullitarit, Dom Zef Marku, dhe Kryetarit të Bashkisë Pukë, z. Gjon Gjonaj.

Kisha e Shën Gjonit i pati fillimet për ndërtimin e saj me 18 prill të vitit 2018. Ishte iniciativë e vetë Ipeshkvit, Imzot Simon Kullit, i cili falë ndihmës nga ana e ish Nuncit Apostolik të Shqipërisë, Imzot Charles John Brown, që në bashkëpunim me donatorin nga Amerika, Fondacionin Papal, financuan dhe realizuan ndërtimin e kësaj kishe. Një kontribut të çmueshëm ka dhënë edhe ish famullitari dom Giovanni Fiochi, i cili shërbeu në këtë famulli për 21 vite me radhë. E në fakt janë të shumtë të gjithë që dhuruan dhe kontribuan në mënyra dhe forma të ndryshme që kjo kishë të realizohet, dhe së bashku le ta gëzojmë kishën e Shën Gjon Pagëzuesit, dhe sa herë që besimtarët vijnë në këtë kishë, apo edhe kur kalojnë pranë saj dhe i lartësojnë sytë kah ky vend shenjt, i marrshin me vete në jetë bekimet e Zotit dhe mbrojtjen e Shën Gjonit.

Violeta Marashi 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here