MISIONI VEROR 2021

Që prej javës së fundit të muajit Qershor, Dioqeza e Sapës ka filluar misionin veror në zonat malore, një traditë e hershme kjo, e cila tashmë ka marrë përmasa të gjera duke shpallur Fjalën e Zotit fshat më fshat, qoftë dhe tek besimtari më i fundit ku ndodhet gjeografikisht. Ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, është partizan i kësaj nisme që të realizohet sa më mirë duke dërguar punëtorët e vreshtës së Zotit në çdo skaj të Dioqezës.

“Dashuria e Krishtit na nxit të shpallin Ungjillin”, është kjo ftesa që Imzot Simoni u ka bërë meshtarëve, motrave, katekistave dhe laikëve vullnetmirë, që së bashku në këtë muaj të korrikut t’i kushtohemi shërbimit pastoral për besimtarët që banojnë në zonat malore, si Pukë, Fushë Arrëz dhe Tropojë.

Kanë qenë të shumtë misionarët, rreth 80 persona të cilët janë shpërndarë në çdo cep të këtyre zonave, pa marrë parasysh vështirësitë e terrenit apo edhe vapës së madhe, ato kanë shprehur gatishmërinë e tyre duke shpallur Fjalën e Zotit tek çdo besimtarë. Misioni është zhvilluar kryesisht me katekizëm, bekime shtëpiash, përgatitjen për sakramentet si dhe lojëra rekreative për moshat e të rinjëve dhe të fëmijëve. Është për t’u admiruar edhe përgjigjia nga ana e besimtarëve, të cilët edhe pse në orare të ndryshme, me shumë dashuri kanë marrë pjesë në këto takime mjaft të vlefshme për jetën shpirtërore të secilit prej tyre. E nga ana tjetër nuk ka munguar edhe mikpritja e tyre ku së bashku me misionarët shpeshherë kanë treguar bujarinë e tyre duke bashkëndarë edhe kafshatën me to.

Ashtu siç e kishte dëshirë që ta zhvillonte misionin në këto zona, ashtu edhe vetë Ipeshkvi i ka shoqëruar këto misionarë jo vetëm me lutje por edhe me vizitat e tij të herëpas-hershme, duke vizituar të gjitha grupet e duke parë më nga afër realitetin e këtij misioni. Ai shpreh mirënjohjen dhe falenderimin e tij për të gjithë misionarët që së bashku si vëllezër ecin për Krishtin e me Krishtin.

Nuk mund të mos vlerësohet edhe fakti i bashkëjetesës mes grupeve të misionarëve gjë e cila ka sjellë një klimë të bukur dhe një harmoni të plotë mes tyre, ku përveç çlodhjes nga misioni ditor, të gjithë së bashku kanë bashkëndarë momente të gëzueshme, duke sjellë gëzim e argëtim mes njëri-tjetrit.  Qendrat kryesore të banimit për misionarët kanë qenë shtëpia e motrave në Fushë –Arrëz dhe në Dushaj të Tropojës, të cilat meritojnë një falenderim të veçantë që kanë hapur dyert e zemrës dhe të shtëpisë për misionarët.

Violeta Marashi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here