Motrat Karmelitane Nënshat

Emertimi: Kuvendi i Motrave Karmelitane (Klauzura)

Vendodhja: Nënshat – Shkodër

Datimi: Në vitin e Shenjtë Jubilar dhe me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbërit, me 29 shtator 2003, Dioqeza e Sapës themelon Kuvendin e Parë Kontemplativ të Motrave Karmelitane, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

Aksesi: Përshkohet nga rruga nëpër fshatrat e Zadrimës, duke filluar nga fshati Dajç që ndodhet në superstradën Tiranë Shkodër, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Mundësi tjetër është dhe me nisje nga qyteti Vau-Dejës duke përshkuar rrugën anës malit të Shitës së Hajmelit.

Rëndësia: Kuvendi i Motrave Karmelitane apo siç quhet edhe ndryshe “Karmeli” në Nënshat, është vatra e lutjeve jo vetëm për Zadrimën dhe Dioqezën e Sapës, por edhe për Shqipërinë. Qëllimi i Motrave Karmelitane është që nëpërmjet lutjeve e sakrificave të tyre të bëjnë të pranishëm besimin në Jezusin, dhe nevojat shpirtërore të këtij populli të vuajtur, t‘ia paraqesin  Hyjit të gjithpushtetshëm, ku merren hiret dhe bekimet e Tij.

Përshkrimi: Në vendin ku është ndërtuar Kuvendi i Motrave Karmelitane, ka qenë Selia Ipeshkvore e Dioqezës së Sapës.  Si dëshmi për të na treguar historinë dhe lashtësinë e saj. Sot gjendet vetëm ballorja e Selisë së vjetër. Ideja për ndërtimin e këtij kuvendi në themelet e ish Selisë së kësaj Dioqeze, ishte e dy misionarëve nga Kosova, Dom Dodë Gjergji dhe Dom Lucian Avgustini, (që më vonë do të ishin Ipeshkvinjtë e Sapës). Guri i Parë-i themelit u bekua me 16 mars 2002, nga Ipeshkëvi i Shkodrës, Imzot  Angelo Massafra. Ndërsa Bekimi dhe Themelimi i Kuvendit u bë me 29 shtator 2003 nga Imzot Dodë Gjergji, ish Ipeshkëvi i Sapës në atë kohë. Pranë Kuvendit të Karmelit është ndërtuar edhe Kisha kushtuar Shën Mëhillit dhe Familjes së Shenjtë.

OCD – ORDO CARMELITARUM DISCALCEATORUM
VËLLEZERIT E MOTRAT E ZBATHURA TË RREGULLIT TË SË LUMËS
VIRGJËR MARI TË MALIT KARMEL

Karmeli është rregull i Marisë i themeluar në Palestinë, në shek. XII. Aty janë bashkuar murgjërit në një kapelë, të cilën ia kanë kushtuar të Lumes Virgjërës Mari. Për këtë edhe Rregulli quhet ”Rregulli i së Lumes Virgjërës Mari të malit Karmel”. “Karmeli” do të thotë kopsht i lulëzuar dhe është vendi më i bukur në Izrael dhe vend i përshtatshëm për lutje e meditim (soditje). Në këtë mal jetonte profeti Elia në shek. IX. Para Krishtit. Karmeli është i përhapur në Europë në shek. XIII. Rregullin e ka ripërtërirë Sh. Tereza e Avilës (1515-1582) dhe Sh. Gjoni i Kryqit (1542-1591). Sot në mbarë botën ka 775 kuvende të motrave të klauzurës dhe 556 kuvende të vëllezërve karmelitanë. Në thirrjen e Mons. Dodë Gjergjit, motrat karmelitane erdhën më 21.5. 2003. edhe në Shqipëri, prej 3 karmeleve të Kroacisë, në vendin e vogël Nënshat. Këtu, në themelet e ipeshkëvisë së vjetër të Sapës, nën udhëheqjen e Mons. Dodë Gjergjit dhe me ndihmen e shumë bamirësave është i ndertuar karmeli. Me mbylljen solemne të klauzures më 29.9.2003. kanonikisht është themeluar karmeli i parë në Shqipëri me titull: Karmeli i Familjes së Shenjte dhe i shen Mëhillit. Prej atëherë motrat karmelitane ditë e natë e ofrojnë jetën e vet të lutjes – miqësisë shpirtërore me Jezusin – për Kishen në Shqipëri, në veçanti për vëllezerit meshtarë, dhe për të gjithë njerëzit e kohës sonë.

Thirja e Jonë: Lutja

Lutja është jeta dhe thirrja e karmelitanes. E lutja nuk është tjetër, përveç se “ bisedë miqësore, shpeshherë vetëm për vetëm, me Atë me të cilin e dimë se na do“. Kurse zemra e Rregullës është “ të sodisë natë e ditë ligjin e Zotit dhe të vigjilojë në lutje.“
“Soditja dhe lutja nuk mbarojnë vetëm me pjesëmarrjen në orët e caktuara të lutjes. Përkundrazi, lutja përshkon tërë jetën e karmelitaneve të zbathura. Kështu ato ecin në praninë e Hyjit të gjallë, duke u stërvitur vazhdimisht në fe, shpresë dhe dashuri, që krejt jeta e tyre të bëhet lutje, duke e kërkuar pandërprerë bashkimin me Zotin.“ (Konst.61)
Lutja e karmelit është lutja e Marisë, Nënës së Jezusit e cila e ka ruajtur Fjalën e Hyjit. Për atë ka medituar dhe ua ka dhënë të tjerëve.
Jeta jonë kontemplative kërkon ambient heshtjeje. Këtë na e mundëson klauzura.

Jeta në Bashkësi

Karmeli është i gërshetuar prej jetës në vetmi dhe jetës në bashkësi. Jeta me Zotin vazhdon në bashkimin motëror. Stilin e jetës së përbashkët , që e jep si model shën Tereza, e karakterizon barazia ungjillore dhe thjeshtësia e sinqertë e marrëdhënieve. Kjo është bashkëndarja e vazhdueshme e gëzimit dhe e vuajtjes në rrethin e familjes së vogël, në të cilën motrat shartohen për krejt jetën, ku të gjitha duhet të jenë dashamire, të gjitha duhet të duan njëra – tjetrën, ta duan të mirën e njëra-tjetrës dhe të ndihmohen, në klimë të gëzimit dhe mirëdashjes, në përkim me kërkesën e shoqërimit me motra dhe të pushimit të përbashkët, në të cilin bashkohen. (Konst.88)

Në rrezatimin e heshtjes, përqëndrimit, gëzimit, kryejmë të gjitha punët që bëjmë në një familje.

Kush mund të jetë karmelitane?

“Kandidatet që interesohen për Rregullin tonë, duhet të jenë persona lutjeje, që përpiqen rreth dashurisë së përsosur dhe ndarjes nga bota; duhet të jenë të afta që ta pranojnë dhe ta zbatojnë mënyrën e jetës së karmelitaneve të zbathura, në bashkim me Zotin, në vetmi të thellë dhe në lidhje të ngushtë me motrat në bashkësi.
Duhet të jenë të afta që t’i kuptojnë gjërat shpirtërore; të kenë vetëdijen e mirë për përgjegjësinë dhe për detyrat në bashkësi.
Duhet të jenë me shëndet të mirë, fizik dhe psiqik, të jenë persona mjaft të qëndrueshëm, me shpirt të fortë, që të mund ta jetojnë jetën e kushtuar Zotit dhe klauzurën e rreptë, që u takon kuvendeve tona.“(Konst.132) Pranojmë vajza nga mosha 17 deri 25 vjeç, me përjashtime.