Famullia “Shën Kolli” Vau-Dejës – Katedralja e Dioqezës

FAMULLIA “SHËN KOLLI” – VAU DEJËS

Famullia Shën KolliVau-Dejës, është ndër famullitë më të mëdha të dioqezës së Sapës me rreth 5700 besimtarë. Shtrihet në juglindje të qytetit të Shkodrës dhe ndodhet afër selisë së kësaj dioqeze. Kufizohet nga këto fshatra: Deja, Mjeda, Shelqeti, Naraçi, Mali i Rrëzuar e Gomsiqe. Është famullia e parë në Zadrimë që lidhet me rrugën nacionale ku kryqëzohen te gjitha rrugët e dioqezes.

Famullia e Shën Kollit që në vitet e para të hapjes pas regjimit komunist ka pasë famullitar Dom Nikoll Mazrekun një martir i gjallë i Kishës Shqiptare, i cili e ka drejtuar këtë famulli nga viti 1991 deri 1996.

Pas kalimit të tij në amshim, famullitar erdhi misionari Italian Pader Bonaventura Mossuto, i  urdhërit të Fretërve Minor Kapucin, i cili i shërbej kësaj famullie nga viti 1996 – 2004.

Me të përfunduar misioni i pader Bonaventurës, ipeshkvi i asaj kohe, imzot Dodë Gjergji, emëron për famullitar të kësaj famullie Dom Simon Kullin, i cili e drejtoi famullinë e Katedrales deri më 15 qershor 2017, ditë në të cilën Papa Françesku e emëron dom Simonin për Ipeshkëv të Sapës.

Me shugurimin ipeshkvor si ipeshkëv i dioqezës, dom Simoni lirohet nga detyra e famullitarit dhe me datën 5 nëntor  2017, emëron famullitarin e ri, Dom Mark Shtjefnin.

Përveç famullitarit në këtë famulli shërbejnë edhe bashkësia e motrave Dorote të Shën Paola Frassinettit nga Italia, të cilat janë me mision në Vau Dejës që nga viti 1993 deri në ditët e sotme. Ata veprojnë në fushen baritore në misionet verore dhe në zonat malore. Gjithashtu motrat kanë në shërbim të famullisë edhe  qendrën edukative për fëmijet e moshave nga 3 – 6 vjeç. Por motrat japin edhe një kontribut të shquar në shërbimin e Kishës, në zhvillimin e katekizmit, si dhe gjithë jetës pastorale të famullisë.

Nisur nga numri i banorëve që ka, famullia e Shën Kollit ka rreth 400-500 fëmijë që variojnë nga klasa e parë tek e nënta, ku marrin pjesë rregullisht në katekizem nga e hëna deri të shtunden. Gjithashtu kemi edhe të rinjë nga viti i parë deri te viti i katert i  shkollës së mesme, ku drejtohen nga katekistat e famullisë të cilët kanë mandatin e Ipeshkëvit si katekista zyrtarë.

 

Katedralja Shën Tereza e Kalkutës

Në famullinë e Shën Kollit është e ndërtuar Katedralja që i kushtohet humanistes së madhe Shën Nënë Terezes. Kjo Katedrale është Kisha Nënë e Dioqezës së Sapës, e cila mbledh të gjitha Kishat simotra të kësaj dioqeze. Ndërtimi i saj pati fillimet me datën 10 nëntor të vitit 2002, me bekimin e gur-themelit të parë nga Shkëlqesia e Tij Kardinali Crescenzio Sepe, në atë kohë Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Me angazhimin e madh të ish ipeshkvit të asaj kohe, Imzot Dodë Gjergjit, (sot Ipeshkëv në Kosovë), u bë e mundur që Katedralja e re të ndërtohej pothuajse e gjitha brenda tre viteve. Dhe me datën 5 shtator 2005 u bë Bekimi i saj. Me emërimin e Ipeshkvit të ri të kësaj Dioqeze, Imzot Lucjan Avgustini me 5 janar 2007, punimet për ndërtimin e Katedrales vazhduan intensivisht. Kjo është Katedralja e parë në Shqipëri dhe në botë, që iu kushtua bijës shqiptare, Shën Terezes së Kalkutës, gjerësisht e njohur me emrin Nënë Tereza. Katedralja u Shugurua me datën 6 Shtator 2008, nga duart e ish- Ipeshkvit të Sapës imzot Dodë Gjergji. Në këtë Katedrale vlen të përmendet fakti se janë shuguruar tre Ipeshkvinj: imzot Dodë Gjergji, imzot Lucjan Avgustini dhe ipeshkvi aktual i Dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli. Po në këtë Katedrale janë shuguruar edhe dy rregulltarët e parë në Dioqezë pas periudhës së egër Komuniste: Jezuiti i parë shqiptar, atë Zef Bisha dhe Kapuçini i parë shqiptar atë Prel Syla. Përballë Katedrales, në Sheshin Nënë Tereza, në qendër të qytetit ndodhet edhe Shtatorja e Nënë Terezes, vendosur dhe Bekuar me datën 7 maj 2006.

Në këtë famulli ndodhet edhe kisha e vjetër, një kishë e vogël  në mes të qytetit, kushtuar pajtorit të kësaj famullie, Shën Kollit, e cila daton të jetë e viteve 1800, dhe është sot një simbol i gjallë për të dëshmuar ringjalljen e kishës në Shqipëri,

 

Festat e Famullisë

Kjo famulli feston festen  e pajtorit të saj “Shën Kolli”, i cili festohet çdo vit me 6 dhjetor. Në

këtë festë çdo vit organizohet një proçesion i madh me truporen e Shën Kollit nëpër qytet ku marrin pjesë shumë besimtarë.

Gjithashtu në famulli kremtohet edhe festa e “Shën Markut” ku marrin pjesë një numër shumë i madh besimtarësh nga të gjitha fshatrat per rreth. Mesha thuhet në malin e Shën Markut ku është edhe Kisha e dedikuar ketij shenjti shumë të nderuar. Pikerisht atje në këtë shenjtërore të dedikuar këtij shenjti te rëndësishëm dhe të njohur, Mesha e Shenjtë kremtohet edhe çdo të premte të parë të muajit duke e kërkuar ndërmjetësinë e tij.

Festë tjetër dhe shumë e nderuar me një pjesmarrje të madhe të besimtarëve, është edhe festa e të Shën Terezes së Kalkutes “Nene Tereza” e cila festohet me 5 shtator të çdo viti.

Në këtë festë shtegtojnë besimtarë nga e gjithë dioqeza, ku qendra kryesore është mesha e shenjtë dhe lutjet në nderim të Nënës sonë të shenjtë.