Mesazhi i Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli me rastin e Pashkëve
Vëllezër dhe motra, Krishti është ngjallur!
Me këto Pashkë të Shenjta shpallim dashurinë e cila na shëlboj. E mundi mëkatin dhe terrin e të keqes. Në dritën e Krishtit të Ringjallur ne shohim dritën tonë. Ndaj ftoj të gjithë besimtarët e dioqezës së Sapës, kudo që ndodhen, që të vishen me dritën e Krishtit të Ringjallur që është drita e gëzimit dhe e shpresës, dhe të ndriçojmë para të tjerëve.
Këto Pashkë të shenjta janë një ngjarje që na ndihmojnë që të ndihet përsëri freskia dhe aroma e lajmit të gëzuar se Krishti është Zot, është themel dhe qendër e historisë. Pashkët janë me të drejtë festa e të gjitha festave ku gjithçka merr kuptim të ri në Dritën Shëlbimprurëse të Krishtit të Ringjallur.
Edhe sot më shumë se kurrë, sidomos me situatën e luftës në Ukrainë, këtë dritë duhet ta shpërndajmë tek të gjithë që të mos jetojmë në terr, sepse pasoja e territ është lufta dhe e keqja në jetën e njerëzimit. Ne jemi bartësit e dritës së tij.
Të jetosh me forcën e Krishtit të Ringjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes. Mjerisht sot po shohim humbjen e njeriut në kërkimin e lumturisë së plotë tek ana materiale pa u kujtuar për Autorin dhe Krijuesin e gjërave, e kështu na paraqitet një situatë pa rrugëdalje, sepse gjithçka që nuk çon tek Zoti na i mbyll rrugët e lirisë së vërtetë. Dhe ja shkaku i keqkuptimeve dhe luftërave mes popujve.
A nuk i ngjajnë edhe njerëzit e sotëm personave biblik të Besëlidhjes së Vjetër, kur si Adami dhe Eva dëshirojnë të bëhen vetë zot? A nuk ndodh edhe sot, si në kohën e Moisiut, që njerëzit të harrojnë Hyjin e vërtetë e të adhurojnë “viçin e artë“, idhullin e pasurisë që skllavëron mendjet dhe gërryen e varfëron shpirtrat? Historia e Biblës është historia jonë. Nëse nëpërmjet Adamit në botë hyri mëkati dhe vdekja, për shkak të bindjes së Krishtit, mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së tij na vjen shëlbimi. Ndërsa kremtojmë gëzimin e fitores mbi të keqen dhe vdekjen, nuk mund të harrojmë se misteri i vuajtjes dhe i dhimbjes vazhdon të ndrydhë shumë njerëz në vendin tonë, sepse është i madh dhe i rëndë misteri i mëkatit dhe i egoizmit që e errëson dritën e dashurisë.
Shumë të dashur vëllezër dhe motra, tregojuni njerëzve të kohës sonë me fjalë e me vepra dhe me një jetë të shenjtë, se Krishti, shpresa jonë, është ngjallur, se ai i prin historisë dhe pret çdo njeri. Krishti e ka rrokullisur gurin dhe ka hapur një udhë të re. Asnjë udhë tjetër, përveç kësaj të Krishtit, asnjë pushtet, asnjë pasuri, asnjë lavdi tokësore, asnjë sukses njerëzor nuk mund ta shmangin përplasjen me gurin e rëndë të dëshpërimit. Ka vetëm një rrugë për t’i shpëtuar vdekjes: kjo rrugë është Krishti. Shoqëria dhe bota e sotme ka nevojë për tharmin e Krishtit.
Krishti i ngjallur ju mbushtë me hire dhe bekime që të jeni tharmi i një shoqërie më të mirë dhe më të lumtur.
Për shumë mot Pashkët! Bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemrat dhe familjet tuaja.
Vau Dejës, 15 prill 2022
+ Imzot Simon Kulli
Ipeshkëv i Sapës