Violeta Marashi
Nga data 22 prill deri me datën 2 maj 2022, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, njëkohësisht edhe Presidenti i Komisionit të Misionit dhe Migracionit, pranë Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, zhvilloi një vizitë në bashkësitë e shqiptarëve në Angli dhe në Belgjikë.
Vizita e parë e ipeshkvit ishte në Londër, nga data 23 – 29 maj, ku u prit nga At Gary Walsh, meshtari anglez i cili për 8 vite ka shërbyer në Administraturën e Jugut të
Shqipërisë, pastaj është angazhuar edhe si përgjegjës për migrantat shqiptarë në Angli. Në qendër të kësaj vizite, siç nënvizoi edhe vetë Imzot Simoni ishte pjesëmarrja dhe njohja më nga afër e situatës së migrantave shqiptarë që prej vitesh jetojnë atje, por dhe takimet me to, duke nxjerrë në pah nevojën apo problematikat që ato kanë për të qenë sa më afër Kishës.
I shoqëruar edhe nga meshtari i tij dom Zef Marku, në fillim Imzot Simoni ka vizituar Shenjtëroren Kombëtare të Zojës, ku kremtoi edhe Meshën Shenjte. Ndërsa në ditën e Shën Gjergjit, që është dhe pajtori i Anglisë, ipeshkvi ka bashkëkremtuar me Kardinalin Vincent Nicholn, dhe meshtarë të tjerë në Katedralen e vendit. Pas meshës zhvilloi një vizitë miqësore me Kardinalin, ku kanë biseduar më hollësisht mbi situaten e bashkëvëllezërve tanë në Londër. Imzot Simoni shprehet se është ndjerë mjaft mirë përkrah Kardinalit të Anglisë, i cili e vlerësoi shumë vizitën e një ipeshkvi shqiptar, që ishte dhe hera e parë e një vizite të tillë.
Tjetër pritje Imzot Simonit i ishte rezervuar edhe me Ipeshkvin e Këshilltarin e Kardinalit, Pat Brown, me ipeshkvin Paul McAleenan, i cili ishte dhe përgjegjës për bashkësitë etnike, mes tyre edhe të shqiptarëve. Takimi ka qenë shumë miqësor ku u shpalosën idetë, mendimet apo propozimet për shërbimin fetar-baritor për shqiptarët edhe nga një meshtarë nga Shqipëria në të ardhmen.
Një takim mjaft i përzemërt dhe emocionues për Imzot Simonin, ka qenë dhe takimi me migrantët shqiptarë ku ka kremtuar eukaristinë e të dieles së 24 prillit në Kishën e Shën Palit në Londër. Pa meshës kanë kaluar disa momente vëllazërore të gjithë së bashku, dhe patën mundësinë që të takohen, të shëkëmbejnë njohjet e reja dhe me dashuri treguan një harmoni të jashtëzakonshme mes këtij komuniteti, të cilët edhe pse jetojnë larg vendit të tyre, mbartin me vete dashurinë, mikpritjen, traditat ku më së miri prezantohen se janë shqiptarë dhe ndjehen krenar. Gjatë bashkëbisedimit me to e duke i njohur më nga afër, ipeshkvi vlerësoi shumë se shqiptarët janë njerëz të punës, që fitojnë me djersë jetesën e tyre. Ato që jetojnë prej vitesh atje, tashmë janë stabilizuar dhe kanë arritur të kenë jo vetëm thjeshtë një punë, por të krijojnë agjendat e tyre e të bëhen sipërmarrës, kryesisht në fushën e ndërtimit apo edhe të gastronomisë. E kështu kanë ndihmuar të punësojnë edhe bashkëkombasit që kanë migruar më vonë.
Duke përfituar nga kjo vizitë dedikuar shqiptarëve, Imzot Simoni ka preferuar të takojë të burgosurit shqiptarë në burgun e Londrës, i cili kremtoi edhe Meshën Shenjte me to. Papa Benedikti XVI – thotë: “Zoti u kërkon secilit nga ne ta mirëpresim”. E jemi ne meshtarët, që në situata të tilla, ta hapim zemrën, të shkojmë e ta mirëpresim Zotin tek ato që vuajnë dënimin në një ambjent siç është burgu, e madje ta dëgjojnë zërin e Zotit, në mënyrë që të fitojnë pendesën dhe kthimin kah Zoti. Ishte vizitë plot kurajo e shpresë për secilin nga ata që vuajnë dënimin në burg. Zoti është më i madh se gabimet tona, na do ashtu siç jemi.
Gjithashtu, një vizitë kortezie ishte edhe me ambasadorin e Shqipërisë, z. Qirjako Qirko, ku bashkëndanë idetë se vëllezërit tanë shqiptarë, në një të ardhme sa më të shpejtë janë të aftë të ndërtojnë tani për tani jo vetëm Londren por edhe vendin e tyre Shqipërinë, sepse folea e tyre është vendi ku kanë lindur dhe janë rritur toka nënë e Shqipërisë.
Pas vizitës në Londër, me 29 prill, Imzot Simoni është nisur drejt Brukselit, ku është pritur nga meshtari i Kosovës, dom Kastriot Idrizi, Përgjegjësi për Bashkësinë e Shqiptarëve të Belgjikës. Me këtë bashkësi janë takuar në kremtimin e Meshës Shenjte të dielen e 1 majit, e më pas kanë qëndruar së bashku duke ju dëshmuar edhe atyre se, ne barinjët e kishës shqiptare jemi me ju, s’jeni kurrë vetem.
Vizita dhe prania e Imzot Simon Kullit në komunitetet e shqiptarëve të Londrës dhe Brukselit, rezultoi mjaft pozitive dhe hapi një rrugë të re të kujdesit shpirtëror, pse jo dhe për një mision baritor për besimtarët e këtyre vendeve, të cilët e duan Zotin, e duan Kishën dhe e përqafojnë ndjenjën shpirtërore të besimit të krishterë.