Muaji marian 31 maj 2022, është mbyllur edhe për Kishën Dioqezane të Sapës, me kremtimin e Meshёs solemne në famullinë e Zojës në Dejë, me praninё e qindra besimtarëve që shtegtuan nga famullitë e ndryshme të dioqezës. Ky shtegtim tradicional tashmë prej vitesh i jep një klimë mjaft shpirtërore kishës së Sapës, e cila mbledh bijtë e saj dhe i ofron pikërisht tek Zoja e bekuar, ku secili gjen ngushëllimin e shpirtit dhe merr bekimet e saj.
Shtegtimi filloi me ecjen në këmbë të besimtarëve dhe me procesionin e trupores së Zojës ndërsa lutshin rruzaren e shenjtë dhe këndonin këngët e Zojës, gjatë gjithë rrugës.
Meshën solemne e udhëhoqi, bariu i Sapës, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me famullitarin dom Kastriot Gjoka dhe me meshtarë të tjerë.
Në predikimin e rastit, Imzot Simoni tha se “sot është dita në të cilën Kisha Katolike kremton festën e Pasisё sё Zojës Mari tek Elizabeta. Pra, kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazaretit në shtëpinë e Elizabetës. Ndaj dëshirojmë t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazaretit, për të dalë edhe ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri. Prandaj mund të themi me shumë gëzim se dita e sotme e Muajit të Zojës tingëllon si ftesë drejtuar gjithë të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan me shpirt eukaristik, që jeta e secilit të bëhet një Magnificat – një këngë e vërtetë lavdërimi që i drejtohet Zotit” – përfundoi Imzot Simoni
Në këtë ditë të mbylljes së muajit të Zojës, shtegtuan edhe familjet e dioqezës ku përveç bekimit të veçantë që morën nga ipeshkvi, ato morën edhe porosinë e bariut të tyre i cili u tha: Të dashura familje të lutemi bashkërisht në familje. Kemi nevojë për Krishtin të gjithë, që Zoja na qon te biri vet! Kemi nevojë për ndihmën e tij, për forcën e tij, për bekimin e tij, për mëshirën e tij, për faljen e tij. Duhet për t’u lutur në familje, rreth tryezës; nuk është një gjë e jashtëzakonshme: është e lehtë. Duhet të lutet së bashku Rruzarja në familje; është një ndjesi shumë e bukur shpirtërore që jep shumë forcë! Të lutemi për njëri-tjetrin: burri për gruan, gruaja për burrin, të dy për bijtë, bijtë për prindërit e për gjyshërit… Lutja në familje është bekim dhe e bën më të fortë familjen, e bën më të durueshme dhe më të paqtë përballë çdo vështirësie apo sfidave të jetës.
Dhe me dëshirën që të na ndihmojë Virgjëra Mari e të mësojmë ta gjejmë kuptimin dhe gëzimin e jetës, u mbyll i gjithë kremtimi i shenjtë i kësaj dite.
Violeta Marashi