Të shtunën e 16 korrikut 2022, i është dhënë lamtumira e fundit nëpërmjet Meshës së Salikimit të motër Elena D’Avanti, motër misionare italiane e bashkësisë së motrave Stimgatine në famullinë “Shën Palit e Pjetrit” në Hajmel. Nderimet dhe homazhet për motër Elenen u mbajtën në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër, me pjesëmarrjen e motrave të kësaj kongregate, besimtarëve, meshtarëve dhe motrave të kongregatave të ndryshme. Në mungesë të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili ndodhet për vizitë pastorale në bashkësinë e shqiptarëve të Amerikës, mesha u udhëhoq nga ipeshkvi i Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, në bashkëkremtim me Etërit Kapuçinë dhe meshtarë të tjerë.

Në fillim Imzot Gjergji përcolli mesazhet e ngushëllimit në emër të Ipeshkvinjë të Shqipërisë, e në veçanti të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kullit. Gjatë predikimit të rastit, Imzot Meta vlerësoi kontributin e motër Elenes e cila shërbeu në tokën shqiptare përreth 29 vite. Ajo ka parë dhe ka kuptuar se këtu në Shqipëri ishte vendi i saj. Kjo besnikëri ndaj kësaj thirrjeje që të jetë misionare në tokën Shqiptare është motiv mirënjohjeje për motrën. E falenderojmë për dëshminë, misionin dhe jetën që bashkëndave me ne – shtoi Imzot Meta.

Ndërsa Motër Dukata Radoja, këshilltarja e Nënës Gjenerale të motrave Stigmatine, e cila erdhi enkas nga Roma për të përcjellë motër Elenen, tha se që nga viti 1993 e deri më sot ishe për ne mësuese, dhe me ty filluam ecjen tonë. Me durimin e pafund të një nane na ke shoqëru, na ke përcjellë gjithmonë me atë karakter të një bukurie shpirtërore, me një buzëqeshje hyjnore dhe me thjeshtësinë françeskane. Ajo me buzëqeshjen e saj të veçantë dhe me dashninë e pamasë tërhjeku shumë njerëz afër vetes, shpalli ungjillin e shprehi dashninë e Zotit çdo ditë e gjithkund.

Gjatë këtij kremtimi të gjithë u luten për shpirtin e motër Elenes, ndërsa nën tingujt e këmbanës e shoqëruan drejt banesës së amshimit ku u varros në varrezat e Rrmajit në Shkodër.

Kush ishte motër Elena D’Avanti?

Motër Elena D’Avanti, lindi me 07.03.1938 Riccia Molise (Itali). Shërbeu si mësuese në shkollën fillore, mësuese e novicieve në Prato, Itali. Me dt 18 prill 1993 erdhi misionare në Shqipëri, si formatore e kandidateve Stigmatine dhe ndihmës- mësuese e noviciatit në Shirokë, Shkodër. U emërua disa herë Eprore e bashkësisë së Hajmelit, në Shkodër dhe Dajç B. Bunës. Punoi me shumë delikatesë dhe pasion në rolin e saj si Segretare e Delegacionit në Shqipëri. Me natyrën e saj të qeshur dhe të thjeshtë tërhoqi miqësinë e shumë personave. Gjatë viteve të para në Shqipëri arriti t’u përshtatej kushteve të varfra e të vështira të vendit. Hasi vështirësi me mesimin e gjuhës shqipe, por shërbimi dhe prania e saj qenë një dëshmi e vleshme për të gjitha Motrat Stigmatine në Shqipëri. Motër Elena mund të quhet “Motra e gëzimit”, pasi ajo kishte një shpirt të dlirë ku gjendte gëzim në gjithçka. Me përvujtërinë e saj pohonte “më shumë kam marrë se kam dhënë gjatë këtyre viteve në mision”. Motër Elena jetoi e kushtuar Rregulltare deri në fund, ku kaloi në gëzimin e përjetshëm të Atit qiellor. Faleminderit për këto 29 vite që ia dedikove formimit njerëzor e rregulltar.Pusho në paqe e lutu që të ndjekim gjurmët e Krishtit si na mësove.

Violeta –Marashi

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here