Këto ditë, me 30 shtator 2022, misionarja gjermane, motër Gratia Ruf, me mirënjohje ndaj hirit të Zotit, kremtoi 60 vjetorin e kushtimit në jetën rregulltare françeskane.
Me këtë rast famullia e “Shën Jozefit” në Fushë Arrës së bashku me famullitarin Pader Andreas Waltermann organizuan ceremoninë e kësaj dite me kremtimin e Meshës Shenjte udhëhequr nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli. Morën pjesë besimtarët e famullisë së Fushë-Arrësit, meshtarët dhe motrat e dioqezës së Sapës, si dhe familjarë të motër Gratias të ardhur nga Gjermania.
Në homelinë e rastit, Imzot Simoni “vlerësoi shumë figurën e motrës misionare, e cila prej vitesh jeton dhe i shërben kishës lokale, dioqezane të Sapës. Ai shprehu falenderimet e tij të përzemërta për 60 vjetorin e kushtimit në jetën rregulltare dhuruar Zotit, dhe punës për të mirën e Kishës dhe të mirën e njeriut. Ndërsa shtoi duke e falenderuar për misionin e saj 27 vjeçar në tokën shqiptare, kryesisht në Dioqezën e Sapës, në këtë zonë të Fushë Arrësit. Fjalët e mia – tha ipeshkvi janë të varfëra përpara punës baritore dhe sociale që motër Gratia ka bërë tash sa vite në këtë vend. Ndaj lus Zotin që të keshë jetë të gjatë e shëndet të plotë, në mënyrë që të vazhdosh këtë mision duke dhënë kontributin tënd të çmuar, sepse në këtë mënyrë edhe ne bëhemi pjesë e punuar e arës së Zotit duke e mbjellë farën e Mbretërisë Hyjnore që të mundemi një ditë të gjithë t’i gëzohemi pranisë së saj në mesin tonë”.
Në fund të këtij kremtimi edhe famullitari Pader Andreas, i cili bashkëpunon prej vitesh në këtë mision të dashur, tha se unë dhe të gjithë ne jemi shumë të gëzuar që motër Gratia është në mesin tonë. Ai uroj motrën që Zoti ti japë shëndet dhe paqe. Dhe me urimin Zoti të shpërbleftë gjithçka që bën ti për njerëzit e zonës sonë dhe për gjallërinë e bashkësisë së Fushë Arrësit dhe me darkën vëllazërore përfundoi kjo ditë dedikuar motrës misionare Gratias Ruf.
Misioni i motër Gratias
Motër Gratia hyri në bashkësinë e Motrave Françeskane të Dillingenit në Gjermani, në moshën 20 vjeçe. Këto motra i ka njohur që kur ishte në shkollë. Pas noviciatit dhe pas kushteve te përjetshme Motër Gratias ishte dërguar në Köln për t’u formuar si përgjegjese për radiografinë në spitalin e Dillingenit. Më shumë se sa 30 vite Motër Gratias ka shërbyer ditë e natë në këtë shërbim.
Një ditë ndërsa po dëgjonte mediat gjermane, Motër Gratias ka dëgjuar diçka për situatën në Shqipëri pas shkatërrimit të sistemit komunist dhe kishte dëshirë për të shkuar në këtë vend. Ishte prilli i vitit 1995, kur motër Gratia erdhi për herë të parë, dhe filloi misionin e saj në Shqipëri menjëherë. Gjashtë muajt e parë qëndroi në famullinë e Kallmetit dhe pastaj së bashku me Motër Bernadeta Ebenhoff u vendos në Fushë-Arrëz. Dhe motrat kanë filluar menjeherë në qytetin e Fushë Arrësi dhe në zonën përreth për të ndërtuar kishën prej njerëzve të gjallë, së pari me fëmijet dhe të rinjtë me këngë dhe katekizëm. Ngadalë motrat kanë ngritur edhe strukturat e misionit, si Shtëpinë e tyre, kopshtin për fëmijët e vegjël dhe ambientin të gjitha për komunitetin. Ndërsa, pas pak kohësh ndërtuan edhe kishën e re të Shën Jozefit. Motër Gratias në këtë punë ishte gjithmonë motori i këtij angazhimi.
Me zemërgjerësi të madhe dhe me forcen e saj, pa u lodhur deri më sot, Motër Gratias kujdeset, që gjithçka të jetë në rregull në misionin e saj dhe të famullisë, qoftë me bashkëpunëtorët qoftë me punët dhe shërbime të ndryshme. Po ashtu një kujdes të veçantë ajo tregon duke dëgjuar hallet e shumta të njerëzve. Sigurisht që edhe në lutjet drejtuar Zotit është gjithmonë në kishë apo në kapele, ku shoqëron këto momenti duke i rënë edhe organos. Një kontribut të veçantë ka dhënë në infermieri dhe në kurset e muzikës për të rinjtë e kësaj famullie. Motër Gratias, edhe pse tani është 81 vjeçe, angazhohet me përkushtim, me dashuri dhe mirësi në detyrat e saja. Falënderojmë Zotin për këtë Motër që na ka dhënë, për thirrjen e saj, për besnikërinë e saj dhe për dëshminë e saj.
Violeta Marashi